Në Kuvend, ku po diskutohen aktet normative të Qeverisë, pjesë e paketës anti-dhunë për protestat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur në Kuvend se Parlamenti nuk mund të shqyrtojë një akt ligjor të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

Fjala e Berishës vjen pasi më herët Gjykata Kushtetuese vendosi që të pranojë pjesërisht kërkesën e studentëve dhe të pezullojë pikën 2 të aktit normative nr.5, për gjobat për bllokimin e rrugëve në protestë.

“Na parimin themelor të ndarjes së pushteteve, në asnjë rrethanë Parlamenti nuk mundet të shqyrtojë një akt ligjor të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Kjo përbën një asgjësim të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë apo autonomisë së pushtetit gjyqësor.

Dekretet e qeverisë ose miratohen siç janë dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë nen, ç’ka do të thotë ky dekret i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, nuk mund të shqyrtohet në parlament, nuk ka tagër parlamenti.

Është një nen tjetër i Kushtetutës që garanton votimin, të tërë ose asgjë, të dekreteve të qeverisë. Nuk i lejon parlamentit të ndryshojë dekretin.

Duhet t’i nënshtrohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nenin 5 pikën 2 e pezullon. Ju keni shpallur një armiqësi të egër, mendoni mirë se kjo armiqësi e egër që shpallni ndaj tyre mbart në vete shpërthime për të cilat do jeni shumë përgjegjës. Dekreti nuk mund të kalojë në parlament në momentin që gjykata ka pezulluar një nen të tij”, tha mes të tjerash Berisha.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Kuvend/ PD kundër aktit normativ për protestuesit e dhunshëm: Anti demokratike, tërhiqeni! PS: Selia juaj, fabrikë molotovësh! Nuk thatë një fjalë kundër djegies së policëve