TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, prezantoi sot para qytetarëve të njësive numër 8 dhe 9 në kryeqytet, projektbuxhetin për vitin 2013. Ai theksoi se do të ketë lehtësi fiskale për buxhetin dhe se do të prekin kryesisht librashitësit, kopshtarinë dhe artizanin.

Basha bëri të ditur se në total, shuma e investuar deri në fund të këtij mandati parashikohet të jetë 310 milionë dollarë. Vetëm për vitin 2013, shuma për qytetin e Tiranës është 80 milionë dollarë, 10 milionë më shumë se sa shuma e parashikuar në këtë vit që po përfundon.

“Për ne nuk ka objektiv më të rëndësishëm se sa rritja e qëndrueshme e ekonomisë, nëpërmjet krijimit të shanseve për punësim. Ndaj pas reduktimit të 60 taksave e tarifave vendore të cilat sollën si impakt hapjen e 1500 bizneseve të reja neto, afro 6600 në total, por nëse heqim edhe bizneset që janë mbyllur, 1500 biznese neto dhe rritjen e numrit të të punësuarve në 6680 persona, deri në muajin shtator, ne do të propozojmë një sërë masash të tjera lehtësuese për biznesin e kryeqytetit”, u shpreh kryebashkiaku.

Për herë të parë Bashkia e Tiranës vendos 1 milion euro, për të mbështetur hapjen e bizneseve nga të rinj nën moshën 35 vjeç, çka do të përkthehet në më shumë mirëqenie dhe rritje të punësimit për të rinjtë e sapodiplomuar ose jo, në qytetin e Tiranës, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Bashkisë së Tiranës.

Basha tha se projekt buxheti i jep fund problematikës që ka pasur dhe ka administrata e Bashkisë ose për mungesë fondesh, ose se nuk i ka ardhur radha. Kujdes të veçantë sipas tij do të ketë biznesi dhe punësimi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)