Kryetari i PD Lulëzim Basha ju ka dhënë urdhër deputetëve që të jenë më shumë aktiv në media. Mungesa e mendimit të tyre në media në kohën që ata janë në opozitë duket se e ka shqetësuar kryetarin Basha përderisa ju kërkon më shumë angazhim.
Kështu që deputetet do të jenë më të lirshëm për të dhënë intervista për median lidhur me zhvillimet politike. Në mbledhjen e PD me dyer të mbyllura, Basha ju ka kërkuar demokratëve që të jenë sa më shumë aktiv në seancën e të premtes ku do të zhvillohen diskutimet mbi buxhetin, për të dhënë mendimin e tyre opozitar. Kryetari Basha ka kërkuar që të diskutohet në seancën e të premtes mbi buxhetin, dhe të ketë sa më shumë pjesëmarrje.
Basha
Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit me dyer të hapura ka thënë se ndryshimi i pr/buxhetit 2013 me një akt normativ është një minë me sahat dhe kërkon që ai të tërhiqet. “Sot i akuzoj për paligjshmëri. Akti normativ i ndryshimit të buxhetit është i paligjshëm. Rishikimi i buxhetit 2013 është ëndrra më e keqe që kjo qeveri i ofron shqiptarëve. Është minë me sahat kundër stabilitetit financiar dhe më gjerë, është rruga e rrokullisjes drejt recensionit dhe formula e përgatitjes së krizës Rama. U çorrën kundër korrupsionit evazionit dhe keqmenaxhimit të financave. Tani që kanë ardhur në pushtet duhan të ligjërojnë me akt normativ një krim financiar për mos mbledhjen e të ardhurave. Parashikojnë të mbledhin 18 milionë më pak se plani”- vazhdoi më tej Basha duke shtuar se “Kësaj i thonë të të zërë mallkimi i gënjeshtrave që i ke bërë popullit për të marrë votat”.
Sipas demokratëve, ndryshimi i buxhetit nuk është i domosdoshëm. Referuar Bashës akti normativ mbështet “një rënie drastike pa asnjë logjikë ekonomike të të ardhurave të mbledhura dhe të thellimit me kazëm të broxhit publik”. Duke folur për reagimet e qeverisë mbi borxhin publik të trashëguar nga PD, Basha tha: “U çorrën kundër borxhit publik edhe pse e menaxhuam me stabilitet pa rrezikuar daljen nga kontrolli. Dhanë alarme të rreme dhe e paraqitën si gogol, dhe mbodhën gënjeshtra se do të plasë sot e nesër dhe me të ardhur në pushtet këtij gogoli do i vënë frenat. Tani do të marrin 3 herë më shumë afro 40 miliardë lekë apo 400 milonë dollarë. Në 8 muaj qeverisja e PD-së mori 35.7 mld lekë borxh, 40 miliardë lekë duan të marrin këta në tre muaj”.
Interpelanca
Partia Demokratike kërkon interpelancë me Kryeministrin Edi Rama për emërimin e Artan Didit në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. PD-së bën të ditur se kërkesa e një grupi deputetësh të PD-së i është dorëzuar dje Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Partia Demokratike ka denoncuar publikisht, në mënyrë të përsëritur se emërimi i Artan Didi është kryer në kundërshtim flagrant me nenin 21 të Ligjit Për Policinë e Shtetit, sepse personi i emëruar nuk plotëson asnjë nga kriteret taksative të këtij neni për funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Shkrimi u publikua sot (23.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)