Buxheti 2016, Veliaj: 100 mln $ 
do rikthejmë traditën e Ramës

Buxheti 2016, Veliaj: 100 mln $ <br />do rikthejmë traditën e Ramës
Bashkia e Tiranës i është kthyer traditës së kohës kur drejtohej nga  Edi Rama, kur buxheti  i saj konceptohej mbi bazën e nevojave që çdo njësi komunitare prezanton në takime të hapura publike. Kështu ka deklaruar sot kryebashkiaku Erion Veliaj në takimin e parë në këtë kuadër të zhvilluar në njësinë nr .7 nga ku theksoi se buxheti i Bashkisë për vitin 2016, është planifikuar të jetë 10 miliard lekë ose 100 milion $. Duke folur për projektet prioritare për 2016, ai renditi si më të rëndësishmin rikonstruksionin e “Pazarit të ri”.

“Realizimi i të ardhurave në Bashkinë e Tiranës ka qenë vetëm 60%, pra Bashkia e Tiranës nuk mblidhte as ato që planifikonte. Është si të thuash, planifiko një buxhet për 100 lekë dhe mbledh vetëm 60 lekë”, sqaroi Veliaj. Ai tha se buxheti i planifikuar për Bashkinë e Tiranës, për vitin 2016 është 10 miliardë lekë, e thënë në shifra të përafërta, rreth 100 milionë dollarë. “Na duket një buxhet i arsyeshëm dhe një buxhet, të cilin besojmë se mund ta arrijmë, duke shtuar të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, por edhe duke marrë të ardhura nga fonde, të cilat më përpara Bashkia e Tiranës nuk i ka shfrytëzuar fare”, deklaroi Veliaj.

Veliaj tha se projektet më të rëndësishme do të jenë rikonstrukimi i Pazair të Ri, Parku Qëndor i Tiranës dhe Unaza e Vogël. Për unazën ai shpjegoi se do të ketë 3 korsi, njësoj si rruga Dritan Hoxha.

“Kemi shumë pak pjesë trandicionale në qytet, ndaj rigjenerimi i “Pazarit të Ri” dhe sheshit “Avni Rustemi”, përbën prioritet. Në bashkëpunim edhe me Fondin Amerikan për Zhvillim, do të mund të kthejmë në një zonë me karakter ekonomik dhe turistik”. I klasifikuar si projekti i dytë madhor vjen në listën e bashkisë për vitin 2015, Parku qendror i Tiranës. Fondet për këto projekte nuk prekin buxhetin e bashkisë, janë marrë nga grante që bashkia i fitoi prej konkurrimit me Fondin e Zhvillimit të Rajoneve. Në njëfarë mënyre edhe ato para tonat janë, me taksat e qytetarëve, por nuk vinë nga buxheti direkt, pasi janë fitoret e vogla të bashkisë në këto tre muaj, për të thithur fondin jashtë xhepit të bashkisë, për projektet e Tiranës”,.-tha kryebashkiaku

Më tej, Veliaj theksoi se administrata e kaluar, për vitin 2016 kishte planifikuar 7 herë më shumë investime se i gjithë buxheti. “Kompanitë e pastrimit nuk janë paguar për shërbimet që kanë ofruar në vitin 2014 dhe 2016. Vetëm detyrimet e prapambetura të pastrimit janë sa 35% e gjithë buxhetit të pastrimit. Ne kemi rikuperuar 4-5 muaj pagesa, por dua t’ju informoj, se një pjesë e buxhetit do të vazhdojë për të paguar kompanitë e pastrimit”, sqaroi Veliaj problemet financiare të Bashkisë së Tiranës.
 
Për këtë qëllim, kryebashkiaku tha se nuk është paguar as bonusi i bebeve, as fondi i ekselencës për nxënësit me dhjeta. “Për herë të parë në këtë buxhet do të rifusim bonusin e bebeve për qytetarët më të rinj të qytetit tonë, një mënyrë për t’u uruar mirëseardhjen dhe një pagesë simbolike për të hapur një llogari kursimi, e cila mund të mbushet gjatë viteve nga prindërit. Ky është filli i solidaritetit që e bën një qytet”, deklaroi Veliaj. 
 
Në këtë takim, Bashkia e Tiranës prezantoi edhe buxhetin e detajuar të parashikuar për Njësinë Administrative nr. 7. Për investimet e ardhshme që kapin vlerën 55 milionë lekë për këtë njësi administrative parashikohet rehabilitimi i Rrugëve "Nikolla Lena", "Adem S.Kruja" dhe “Sulejman Pitarka”, rrethimi i ambientit të shkollës "Sabaudin Gabrani" e Re, rehabilitimi i lulishtes në Blv. Gjergj Fishta dhe rehabilitimi i lulishtes në krah të Policisë Bashkiake dhe ndërtimin e një ambienti për qytetarët. Gjithashtu, ky buxhet parashikon rehabilitimin e 7 shkollave, 4 kopshteve dhe 5 çerdheve të kësaj njësie si dhe sigurimi i ngrohjes për stinën e dimrit. Një tjetër angazhim i Bashkisë së Tiranës është ndriçimi i rrugëve të Njësisë Administrative Nr.7, në masën 70%, mirëmbajtja e rrugëve dhe plotësimi i zgarave e pusetave në masën 90% dhe gjelbërimi i rrugëve, vendosja e koshave, rehabilitimi i hapësirave publike.

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Karrigedjegurit

Mero Baze: Karrigedjegurit