Paga e pensione
Fondi i pagave parashikohet të rritet në masën 10.5 për qind. Pra, kjo do të jetë rritja në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017. Por në vitin në vazhdim, ky fond ishte më i ulët, pasi vetëm në gjashtë muajt e fundit u rritën pagat e administratës, duke pasqyruar një politikë të përsëritur të qeverive shqiptare në vite elektorale.
Ndërkohë, rritja me 10.5 për qind e fondit të pagave për vitin e ardhshëm pasqyron pagat e rritura tashmë, që do të paguhen në 12 muajt e vitit për nëpunësit e administratës qendrore apo vendore.
Konkretisht, për politika të reja pagash vihet re një ulje fondi prej 82 përqindësh më 2018 krahasuar me këtë vit, pikërisht për faktin se vitin e ardhshëm nuk parashikohen ndryshime thelbësore.
Po kështu, për politika të reja pensionesh janë planifikuar për vitin e ardhshëm 30 për qind më pak fonde se fondi i sivjetëm. Madje, edhe me parashikimin që ishte bërë një vit më parë për shifrat e buxhetit 2018, kemi një ulje të ndjeshme: nga 3.12 miliardë lekë, në draftin e projektbuxhetit caktohen vetëm 1.82 miliardë lekë, ose 40 për qind më pak.
Ndërkohë, ndërsa kohët e fundit punësimi ka shënuar rritje, të paktën në shifrat zyrtare, pagesa e papunësisë parashikohet me rritje jo të vogël: 33.3 për qind. Kjo le të kuptohet se një numër të punësuarish mendohet të humbasin punën, si rezultat i reformave institucionale nëpër dikastere, apo edhe nga avancimi drejt fundit i investimeve në fushën e energjetikës.
Investimet
Nga ana tjetër, rikthehet në vëmendje, pas katër viteve të vakëta, shpenzimet kapitale. Ka një rritje në masën 15.9 të investimeve publike, të cilat, nga 74 miliardë lekë në vitin në vazhdim, kalojnë në afro 86 miliardë lekë vitin e ardhshëm.
Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, fondet për ndërtimin e rrugëve dyfishohen, nga 130 milionë euro sivjet, në 280 milionë euro vitin e ardhshëm.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, investimet pritet të arrijnë në 5.2% të PBB-së, duke iu afruar nivele të larta të para në periudhën 2008-2010. Efekt në këtë rrije do kenë edhe shpenzimet për koncesionet aktuale që kanë nisur vitet e fundit. Pjesa më e madhe e financimit, rreth 62%, do të vijë nga burime të brendshme.
Redaksia Onile
J.Sh Shqiptarja.com







