Në mbyllje të sezonit turistik 1311 efektivë të policisë morën një pagë shpërblim ndërsa policia e Rinasit dhe e Vlorës morën medalje nderi. Vlerësimet u ndanë në bilancin 100-ditor të ministrisë së brendshme.

‘Gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike/plazhe mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës sonë të disponueshme policore. Duhet ta kemi të gjithë parasysh një fakt, tek i cili duhet të bazohet një mbështetje edhe më e madhe dhe e merituar për Policinë e Shtetit, jo vetëm sa i përket trajtimit financiar. I gjithë ky fluks gjatë vitit 2023, me 30% më shumë sesa një vit më parë, është përballuar nga e njëjta trupë policore. Mirënjohje e merituar për të gjithë efektivët e policisë së shterit të cilët mundësuan një sezon turistik me 0 ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.’- tha Balla.

Ministri i Brendshëm kujtoi para trupës policore, se dy prej tyre, rrezikuan edhe jetën në detyrë gjatë kësaj periudhe.

Kreu i policisë, Muhamet Rrumbullaku evidentoi se gjatë sezonit turistik në kufi janë regjistruar hyrje-dalje 28.6 milionë shtetas shqiptarë e të huaj, 7.7 milionë automjete, 8.8 milionë shtetas të huaj dhe rreth 3700 jahte dhe 3.8 milion mjete. Ndërkohë Balla konfirmoi ekzistencën e një hetimi për efektiva dhe drejtues policie që veç të tjerave, kanë komunikime me krimin, emsa duket përmes platformave Sky dhe Ecc, si rasti i dosjes metamorfoza.

‘Hetime komplekse nën drejtimin e SPAK apo prokurorive në rrethe do të çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, apo trafiqe e pastrime parash. Policia e Shtetit po fiton një besim më të madh jo vetëm nga publiku por dhe nga agjencitë e vendeve partnere. Vetëm me Policine italiane kemi 14 grupe të përbashkëta hetimore, që kanë dhënë rezultate të rëndësishme në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Kemi ende shumë persona në kërkim, ngjarje të rënda pa autor, e vrasje të vjetra që nuk mund të harrohen nëse autorët nuk përballen me drejtësinë.’- tha Balla.

Mes të shpërblyerve me medalje mirënjohje, ishin edhe oficerë të operacionit Tempulli, që prangosi qindra shpërndarës droge ndërkohë që ministri i brendshëm foli edhe për ndryshimet ligjore për sigurinë në shkolla.

Ministri i Brendshëm foli edhe për banesat që do ndahen për punonjësit e policisë dhe rritjen e pagave e trajtimin e tyre financiar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:26
Sezoni turistik, Ministri i Brendshëm: Presim deri në fund të vitit të kapim shifrën e 10 mln turistëve! Është pastruar imazhi i Shqipërisë

 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla thotë se deri në fund të vitit pritet që shqipëria të regjistrojë shifrën prej 10 mln turistësh. Balla u shpreh se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare.

‘Lajmi më i bukur i këtij viti nuk është vetëm shifra 10 milionë (që presim të mbyllim deri më 31 Dhjetor) , por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse.

Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare.

Siguria e turistëve në këtë sezon turistik historik, ishte një test i rëndësishëm pasi çertifikoi vendin tonë si një destinacion të sigurtë turistik.

Praktika e vendeve të tjera që e kanë kaluar këtë proces ka qenë rritja e njësive policore turistike për të ndihmuar dhe mbrojtur turistët, sepse policia është padyshim një pjesë e rëndësishme e imazhit të destinacionit turistik.

Gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike/plazhe mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës sonë të disponueshme policore. Duhet ta kemi të gjithë parasysh një fakt, tek i cili duhet të bazohet një mbështetje edhe më e madhe dhe e merituar për Policinë e Shtetit, jo vetëm sa i përket trajtimit financiar. I gjithë ky fluks gjatë vitit 2023, me 30% më shumë sesa një vit më parë, është përballuar nga e njëjta trupë policore.

Mirënjohje e merituar për të gjithë efektivët e policisë së shtetit të cilët mundësuan një sezon turistik me 0 ngjarje kriminale, ndaj jetës së turistëve të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.’- tha Balla.