Buxheti 2025/ Shehi kërkon rritjen e pensioneve te Ekonomia: Le të rritet borxhi me 0,4%, pse medalje nga FMN do marrim?!

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, është shprehur sot (20 nëntor) se duhet të krijohet një shportë prej 300 milionë eurosh, për rritjen e pensioneve në Shqipëri.

Ai foli në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave në Kuvend ku diskutohej nen për nen Buxheti 2025 i kaluar në Parlament ditën e djeshme (19 nëntor), ku tregoi edhe strategjinë se ku do të gjenden këto para.

Shehi tha se propozimi i tij “është e vetmja mënyrë” për nxjerrjen e pensionistëve nga varfëria me të cilën po përballen në ditët e sotme.

“Që të arrijmë një të mesme, një mesatare, mund të jetë 250 mijë lekë, më pak ose më shumë. Skema mirë apo keq nuk është se nuk ka funksionuar. A mund të rregullohet skema? Sigurisht, edhe me ato që keni llogaritur ju sipas viteve apo kontributeve. Por gjithsesi skema nuk është se ka për të zgjidhur gjë, sepse nuk është burim pafund. Ju thoni rritja e moshës së pensionit. Jam dakord, sepse nuk e ka efektin sot, e ka pas 7 vjetësh, ose pas 10 vjetëve. Por kjo është një rezervë dhe nuk zgjidh punë. Pse ka dalë jashtë funksionit skema e pensioneve? Sepse ka ec më shpejtë inflacioni sesa pensioni. Ndërhyrja duhet të jetë drastike dhe radikale, sepse pensionet janë mizerje. Por të mos e prekim llogjikën lineare që ka skema, që është afatgjatë".

Deputeti dhe kryetari i LZHK dha edhe shpjegime ekonomike se si mund të arrihej, duke kujtuar se edhe më herët e kishin cilësuar si “të çmendur” kur propozoi për pagat.

“Thonë ka luajt mendsh. S’kam luajt fare mendsh, edhe ta them unë ku do i marrim. Ndaj them hajde të krijojmë një buxhet më vete, që ai zoti kryeministër i ka vënë këtë emër. Po them 300 mln euro. Po kujt do ia marrim? Investimeve them unë, 160 milionë! Në buxhetin e 2023 nuk u realizuan 160 mln investime, edhe për vitin e kaluar e zëmë po aq. Dmth. Po heq një gjë që nuk përdoret. Se kemi blerë 3 kile patate për një kile supë. Edhe këtë e heqim dhe e fusim këtu. 55 milionë i ka llogaritur qeveria shqiptare vetë, 16 mln indeksimi dhe 35 bonusi fundvitit. Ja ku u bë 225 milionë euro. 85 mln do i marrim në tregun e brendshëm".

Shehi theksoi se kjo rritje nuk ndikon shumë në gjendjen e borxhit të vendit dhe situatës ekonomike.

“Sa rritet borxhi për këto para, e zëmë 100 mln euro, ja 0,7%, madje 0,6%. Po pse ça do bëjmë ne garë, do na japi medalje FMN-ja. Madje 0,4% thotë zotëria, kaq rritet borxhi. E kemi pasur borxhin 90%, e kemi ulur tani, 55-56% thotë qeveria është tani, shyqyr. Do prishet makroekonomia thonë! A e dini sa e ka Eurozona borxhin, Luksemburgu apo Gjermania, Belgjika? Ta them unë, 89% dhe s’i luan qepallat hiç! Dhe investojmë akoma. Shqipëria jonë e vogël do ta ulka, do ta bëka, po pse? Për çfarë? Do i japi kryeministrit ndonjë medalje FMN-ja? E keni gabim, nuk luan fare, as rankimi (renditja)! Kjo kështu bëhet dhe bëhet që ç’ke me të. Ne kemi marrë borxhe për rrugë, që nuk dihet se ku kanë shkuar paret. Pse 100 milionëshi i pensionistëve e prishka?!”, tha Shehi ndër të tjera.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

I vodhën me dhunë portofolin 66-vjeçarit, arrestohen 2 të miturit në Vlorë

I vodhën me dhunë portofolin 66-vjeçarit, arrestohen 2 të miturit në Vlorë