Buxheti 2025, Spiropali: Ky projektbuxhet krijon premisa për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik

Buxheti 2025, Spiropali: Ky projektbuxhet krijon premisa për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali foli sot për projektbuxhetin 2025 duke e cilësuar atë jo si një buxhet vetëm për ekonominë, por totalisht për njerëzit dhe familjen.

“Projekt-Ligji i Buxhetit 2025 duhet të mobilizojë burimet financiare e njerëzore për realizimin e vizionit tonë të qartë për rrugën që do të ndjekë Shqipëria vitin e ardhshëm, prioritetet e zhvillimit, sektorët kryesorë të investimeve publike, përdorimin e burimeve kombëtare për të forcuar ekonominë, garantuar rritjen ekonomike dhe “përkthimin” e kësaj rritjeje në mirëqenie për të gjithë qytetarët”.

“Siç u nënvizua edhe gjatë diskutimeve, buxheti i vitit 2025 garanton trendin pozitiv të tre indikatorëve të rëndësishëm makroekonomikë: Qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në nivelin 3.9%. Rritjen e të ardhurave buxhetore e tatimore. Uljen e borxhit publik. Stabiliteti makro-ekonomik është garanci për përmirësimin e treguesve mikro-ekonomik, përmirësimin e gjendjes së bizneseve, familjeve dhe qytetarëve”, – tha Spiropali.

Sipas saj, buxheti synon krijimin e kushteve për zhvillim e mirëqenie, jo duke u mbështetur në slogane, britma politike e elektorale dhe populizëm, por në një logjikë racionale zhvillimore, ekonomike e financiare.

“Një tipar dallues i këtij buxheti është lidhja e drejtpërdrejtë e treguesve të zhvillimit me përmirësimin e  gjendjes ekonomike të qytetarëve, pra ndikimi i rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Do rriten financimet buxhetore për të gjithë sektorët: arsimin, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë, infrastrukturën, energjinë etj. Buxheti adreson në mënyrë prioritare sektorët e zhvillimit social dhe njerëzor, jo me karamele elektorale, por me politika afatgjata dhe programe zhvillimi”, – tha Spiropali.

Ajo u shpreh se, “ofrimi i shërbimeve publike dhe adresimi i problemeve të grupeve në nevojë të popullsisë bëhet jo thjesht duke u dhënë përparësi politikave rishpërndarëse, por financimin e politikave zhvillimore që garantojnë rritje të qëndrueshme afatgjatë ekonomike.”

Për Kryetaren e Kuvendit, buxheti niset nga vizioni se qëllimi i qeverisjes nuk duhet të jetë varësia e qytetarëve nga skemat e ndihmave pasive të shërbimeve sociale, por zgjerimi i aksesit të tyre në tregun e punës dhe kultivimi i shpirtit dhe iniciativave  sipërmarrëse individuale, lokale, kombëtare.

“Suksesi i reformave në sistemin e mirëqenies, nuk matet me shtimin e numrit të njerëzve që hyjnë, por të atyre që dalin nga skemat e ndihmës, për një jetë më të lartë, më produktive, më cilësore.

Kujdesi për grupet në nevojë nuk duhet të ofrohet thjesht si përfitim financiar, por edhe si zgjerim aksesi në shërbimet publike. Një shtesë ndihme ekonomike, përfitimesh papunësie a pensioni është kurdoherë e dobishme, por më shumë të dobishme janë për qytetarët përmirësimi i shërbimeve në qendrat shëndetësore, i shkollave, rrugëve kombëtare e rurale, furnizimit me energji dhe ujë, shërbime këto që sjellin një përmirësim të qëndrueshëm të cilësisë së jetës. Buxheti garanton rritjen e nivelit të pagave për të gjithë punonjësit e administratës vendore, dhe mbështet sektorin privat për garantimin e rritjes së pagave dhe përfitimeve edhe për punonjësit e këtij sektori”, cilësoi ajo.

Spiropali shtoi se projekt-buxheti i vitit 2025 synon fillimin e çlirimit gradual të skemës së pensioneve nga varësia buxhetore dhe mbështetja e saj kryesisht në burimet kontributive, duke përgatitur kushtet për qëndrueshmërinë afatgjatë të skemës së pensioneve.

“Këtë synon hapja e vendeve të punës dhe lufta kundër informalitetit në ekonomi dhe tregun e punës, një proces që ka filluar para një dekade. Verifikimi i impaktit pozitiv të reformës së pensioneve dhe plotësimi i saj me elemente të rinj do të shërbejnë edhe për rritjen e drejtësisë sociale brenda skemës, duke ndjekur parimin “Kush kontribuon më shumë, përfiton më shumë”, pa harruar mbështetjen me pension social dhe shërbime të tjera plotësuese për të moshuarit që nuk kanë derdhur kontribute”,- theksoi Spiropali.

Sipas Spiropalit, ky nuk është një buxhet ideal, por një buxhet real që mbështetet në mundësitë që ka vendi dhe ekonomia jonë.

“Projektbuxheti i vitit 2025 përbën një instrument të rëndësishëm për t’i siguruar ekonomisë dhe shoqërisë një mbështetje realiste brenda burimeve e kapaciteteve aktuale te vendit, duke synuar dhe jetësimin e reformave të domosdoshme që duhen ndërmarrë, lidhur me integrimin me ritme të shpejta në Bashkimin Europian.  Këtij synimi i shërben edhe gërshetimi së shpejti i këtij projektbuxheti me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe kohezionin ekonomik e social të vendit tonë me vendet e Bashkimit Europian.

Këtë garanci mora edhe gjatë takimit me Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, në Bruksel, në 6 nëntor, ku entuziazmi për Shqipërinë anëtarë të BE është i dukshëm dhe shumë frymëzues. Për më tepër, ky projektbuxhet krijon premisa optimale për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, jo vetëm për vitin 2025, por dhe më tej”,- përfundoi Spiropali.


Lajmi kryesor:

Kuvendi miraton në parim pr/buxhetin e vitit 2025, PS kalon portofolin 8.2 miliardë euro me 75 vota! PD-së i dështon protesta


S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit