Kuvendi miraton në parim pr/buxhetin e vitit 2025, PS kalon portofolin 8.2 miliardë euro me 75 vota! PD-së i dështon protesta

Tirane-   Me 75 vota pro, 40 kundër Kuvendi miratoi në parim mbrëmjen e sotme, pr/buxhetin e vitit 2025 duke i dhënë fund debatit dhe diskutimeve që vijuan prej 2 ditësh. Për të miratuar portofolin me vlerë 8.2 miliardë euro, - më i madhi në historinë e vendit - Socialistët siguruan 75 kartona jeshilë me ndihmën edhe të deputetëve të PSD-së së Tom Doshit, Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi.

Opozita zgjodhi të ndjekë deri në fund procesin dhe nuk e bllokoi seancën. Të 40 kartonët e saj ishin në bllok kundër qeverisë. Ndërsa dështoi protesta e thirrur nga Sali Berisha në orën 17:00 para parlamentit për të zgjatur deri kur të bëhej votimi. Shumë pak iu përgjigjën thirrjes së kryetarit të PD-së, - non grata nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar,  prej gati një viti në 'arrest shtëpie' dhe i marrë i pandehur nga SPAK për 'korrupsion'  -  për të protestuar para parlamentit.   

Nga 116 deputetë prezentë në momentin e votimit 22 deputetë të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim. Pr/buxheti i vitit të ardhshëm nuk mori as votën e Kryeministrit Edi Rama i cili nuk ishte i pranishëm sot në Kuvend, ndërsa dje qëndroi në seancë vetëm për ta prezantuar.  Përmes krahasimeve me vitin 2013, kryeministri Edi Rama tha se buxheti i vitit të ardhshëm financon bujqësinë, shtresat në nevojë, garanton investime dhe gjithashtu ul borxhin publik. 

Ndërsa ish lideri demokrat, Lulzim Basha nuk mori pjesë në punimet e asnjërës prej ditëve të caktuara nga kuvendi për diskutimet e pr/buxhetit.

Debatet në seancë u fokusuan tek pensionet dhe rritja e ekonomisë, kur ndasitë ishin të qarta edhe në fjalimet përmbyllëse.  

"Uroj e shpresoj të jetë buxheti i fundit i socialistëve. 95% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa, çmime më të rritura dhe janë më të varfër. Të gjithë ata pensionistë që presin lëmoshën e qeverisë kanë nevojë për sistem të ri pensionesh dhe ku s’u jepet lëmoshë, por pension të drejtë me çmimet e rritura, duke respektuar edhe minimumin jetik. Ky sigurisht që do jetë buxheti i fundit i shumicës, por shpresoj për një model të ri ekonomik për shqiptarët, që ua kanë marrë frymën' tha Jorida Tabaku në emër të grupit PD ndërsa shtoi se javën tjetër Partia Demokratike do prezantojë 19 amendamente. 

"Keni disa vite që thoni është i fundit. Por do e dëgjoni edhe vitin tjetër edhe vitin tjetër. Objektivi është të ngulim flamurin në oborrin e BE-së" tha Eduard Shalsi duke folur në emër të grupit PS. 

Seanca pati edhe momente tensioni para votimit, si ai i Asllan Dogjanit që donte fjalën me ngulm përpara Shpëtim Idrizit.

Elisa Spiropali: 'Pse krijoni incidentin e panevojshëm. Pse e zini foltoren. I bie të kalojmë në votim direkt. Po provokoni një sallë të tërë në mënyrë të panevojshme. Pse e bëni këtë skenë. Kemi ende për të dëgjuar Idrizin, Tabakun. S'ta kemi frikën'
Asllan Dogjani: Janë 300 pensionistë nga Kukësi, Hasi e Tropoja që marrin 3300 lekë në muaj.
Elisa Spiropali: Dogjani mos e bëni këtë skenë se është e shëmtuar. Nuk është për procedurë. Mbylleni. 

  

Diskutimet në seancën e sotme që nisi në orën 20:00 mbi

Si ndahet buxheti
822.7 miliardë lekë, ose rreth 8.2 mld euro, shpenzime të planifikuara për vitin 2025, do të shpenzohen për paga, investime, mbrojtje sociale, rindërtimin, interesa borxhi, fonde rezervë, për pushtetin vendor, ndihma ekonomike, kompensime dhe skema të tjera deri tek bujqësia. Referuar relacionit të projektbuxhetit afro 1/3 e totalit të shpenzimeve shkon për mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, skemën e pensioneve, për ndihmën ekonomike, pagesa e papunësisë apo kompensimi ish-pronarëve me në total 291.9 miliardë lekë, ose rreth 3 mld euro.

Pas aspektit social, në vend të dytë janë 161.8 miliardë lekë të planifikuara për investime publike, në infrastrukturë, digjitalizim, arsim, rindërtim dhe shëndetësi.

Kategoria e tretë që do të marrë vlerën më të madhe të buxhetit është administrata publike, ku për pagat dhe sigurimet e mbi 86 mijë punonjësve parashikohet të shpenzohen 127 miliardë lekë, pra rreth 1.2 mld euro.

Sa i takon ndarjes së buxhetit për institucionet, portofolin më të madh do e ketë Ministria e Shëndetësisë me 80.7 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura me 74 miliardë lekë, Ministria e Arsimit 62 miliardë lekë, Ministria e Ekonomisë Kulturës-Inovacionit 56 miliardë lekë dhe Ministria e Mbrojtjes 52.6 miliardë lekë.

Shpenzimet operative ku bëjnë pjesë skema e fermerëve, mirëmbajtje e rrugëve, e sistemeve teknologjike, programet e punësimit apo mbështetja për arsimin e sportin do të marrin 71.3 miliardë lekë, rreth 710 mln euro.  

Për interesat e borxhit publik janë planifikuar 68.5 miliardë lekë. Më tej janë 43.1 miliardë lekë që do të shkojnë për pushtetin vendor, si dhe janë planifikuar 5.9 miliardë lekë fond rezervë për emergjenca, për zgjedhjet e përgjithshme dhe për shpenzime në kuadër të zbatimit të agjendës së planit të rritjes me BE-në.

Seanca e sotme nisi në orën 10:00 e diskutimet më shumë se tek buxheti dominuan lidhur me vrasjen e 14 vjeçarit, Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij, të dy nxënës në shkollën 'Fan Noli' në Tiranë. Ndërsa PD kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, PS vuri theksin tek mesazhi që duhet të përcjellin deputetët duke mos dhënë shembullin e dhunës si dhe i ftoi të votojnë paketën e sigurisë. Kështu në orën 20:30 u mbyll seanca maratonë dy ditore e diskutimeve të buxhetit, të nisura dje (18 nëntor) në orën 10:00 - 22:00 për të vijuar sot paradite në orën 10:00 e mbyllur në 20:30 të 19 nëntorit.

Votimi ne parlament i buxhetit 2025

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:42
'Jeni forca politike që mishëruat dhunën dhe agresivitetin', Eduard Shalsi: Keqardhje që e përdoret rastin e Martinit për kapital politik

 

Deputeti socialiste Eduard Shalsi mbajti fjalën e fundit në foltoren e Kuvendit përpara se të miratohej projekt buxheti i vitit 2025 me 75 vota pro. Shalsi fillimisht shprehu ngushëllimet për humbjen e jetës së 14 vjeçarit pas goditjes me thikë dje pranë shkollës Fan Noli.

Më tej akuzoi opozitën se po e përdorin për politikë këtë rast. Sakaq, vlerësoi projekt buxhetin e vitit të ardhshëm duke nënvizuar shtimin e investimeve, uljen e papunësisë dhe rritjen e konsumit. 

'Thellësisht i trishtuar dhe madje i mbushur me indinjatë të madhe nga humbja tragjike e jetës së një djaloshi. Ngushëllimet tona shkojnë me familjarët. Bëj një thirrje për pjesën racionale tuajin për shkak të sjelljes tuaj që e përdorën për kapital politik këtë ngjarje. Kjo forcë politike që mishëroi dhunën dhe agresivitetin kur arriti klimaksin kur sulmoi selinë e PD apo kur përdori fëmijët në protestë. Kjo ngjarje tragjike është një këmbanë mbi rëndësinë për të adresuar dhunën, për të marrë përgjegjësinë tona.

Ti shndërrojmë ngjarje të tilla në leksione për të rritur ndërgjegjësimin, për të marrë angazhim të fortë së bashku të kultivojmë respektin mes nxënësve, mësuesve. Investimet e huaja direkte po kapin shifrën 1.6 mld euro. Vëllimi ekonomik rritet në mënyrë të qëndrueshme. Papunësia në nivelet e ulëta. Prodhimi i përgjithshëm bruto ka kapur shifrën 25 mld euro. Konsumi për fatin tuaj të keq është rritur 10.4%.

Dëgjova një deputet, nuk është këtu, dhe në fakt nuk ju marr seriozisht, një pjesë tuajën më duhet ta them, i cili institucionet e huaja, i quan patronazhist të huaj. Po për fatin tuaj të keq dhe për fatin e mirë të shqiptarëve, Fondi Monetar Ndërkombëtar dëshmoi që ekonomia shqiptare është akonomia më e fortë në rajon, po kështu Standard and Poor's dhe Moody's respektivisht klasifikuan Shqipërinë nga B+ në BB- dhe nga B1 në BA3 si kurrë më parë në historinë e tranzicionit shqiptar. Për fatin tuaj të keq inflacioni po normalizohet.

Ndaj të nderuar kolegë deputetë, jeni krejtësisht jashtë realitetit. Ndoshta ngaqë rrini gjithë ditën me njëri-tjetrin dhe helmatisni, nuk bëni gjë tjetër veçse toksifikoni njëri-tjetrin, por ka indikatorë të rëndësishëm që dëshmojnë se Shqipëria po përjeton një momentum, për të cilën kjo mazhorancë, kjo qeveri dhe ky kryeministër, ka një meritë të jashtëzakonshme. Varfërinë tuaj të ideve po mundoheni ta tregoni si varfëri të shqiptarëve, ndërkohë zymtësinë tuaj, si mungesë të prespektivës së shqiptarëve. Pse? Sepse edhe mendimet, edhe opinionet tuaja formësohen nga dëshirat e secilit prej jush. Për të lëpirë aty ku ka pështyrë. Për çfarë? Për një pozicion deputeti!

Ndaj kjo forcë, kjo mazhorancë që ka treguar se ka një fuqi të jashtëzakonshme transformuese, objektivin madhor do të vazhdojë ta ndjekë me këmbëngulje, pasion, vullnet, profesionalizëm. Mbaheni mend këtë kohë! Edhe koleges parafolëse do t’i them (Jorida Tabaku), keni çdo vit që thoni buxheti i fundit, por do ta dëgjoni edhe vitin tjetër, edhe vitin tjetër, edhe vitin tjetër (e përsërit tre herë), sepse objektivi ynë madhor, tashmë që procesi i negociatave është hapur, është të ngulim flamurin e Shqipërisë, në oborrin e Bashkimit Europian! Dhe për këtë nuk ka forcë që ta pengojë qeverinë shqiptare dhe mazhorancën”.

Ora 20:37
'Shqipëria vendi ku pastrohen paratë e krimit', Fatmir Mediu: Bonusi për pensionistët, tallja e radhës! Po i shoqërojmë me përbuzje dhe varfëri

 

Deputeti i opozitës Fatmir Mediu foli në parlament për projekt buxhetin e vitit 2025. Në emër të Aleancës për Ndryshim, Mediu theksoi se Shqipëria vijon të jetë një vend ku pastrohen paratë e drogës dhe është kthyer në parajsën e krimit.

Buxheti nuk jep shpresë për ekonominë kombëtare sipas Mediut dhe tenton ti mbajë njerëzit në varfëri dhe mëshirë.

'Ka kohë që fjala ka humbur peshën në këtë vend. Edhe rregullorja dhe interesi qytetar. Jetojmë në kohë absurdi dhe qeverisje absurd. Qytetarët po braktisin vendin dhe qeveria krenohet. Për kë lulëzohet Shqipëria? Për të rinjtë dhe të rejat që ikin çdo ditë nga ky vend? Mbi 1 e 3 e qytetarëve janë larguar. Qeveria e konsideron fenomen normal. Ka njerëz që mendojnë se Shqipëri pa shqiptarë, një shoqëri që tulatet është më e lehtë për ta manipuluar dhe për të mbajtur pushtet të përjetshëm. Shqipëria ku pastrohen paratë e krimit, është parajsa e krimit që dikton. Le ta shikojmë realitetin siç është. Intelektualët përbuzen, kriminelët bëjnë ligji. Është shoqëri e krimit dhe korrupsionit.

Lektimi i vazhdueshëm këtu se ky buxhet është i qeverisë, taksat mund ti përdor qeveria mund të përdor si të dojë, taksat janë para të qytetarëve shqiptarë. Janë për ti shërbyer njerëzve në nevojë, jo për ti mbajtur ata në mëshirë dhe varfëri. Për të garantuar minimumin jetik. Ky buxheti nuk jep shpresë për ekonominë kombëtare dhe njerëzit në nevojë. Bonusi për pensionet tallje e radhës, me prindërit tanë. Sot po i shoqërojmë me përbuzjen dhe varfërinë. Sepse djemtë dhe vajzat i kanë në emigracion. Çdo lloj diskutimi se po bëhet diçka për Shqipërinë dhe shqiptarët është një gjë qesharake. Sot duhet të diskutonim, kush do ishin mekanizmat e qeverisë për të ndërtuar një ekonomi për të rinjtë dhe të rejat. Jemi përballë një procesi të rëndësishëm për hapjen e negociatave. Kjo qeveri a ka kostuar kush janë hapat që do duhen për të qenë pjesë e realitetit europian.'

Ora 20:25
Parlament/ Tabaku: Ky është buxheti i fundit i socialistëve, 95% e shqiptarëve janë varfëruar! Buxhet diskriminues veri-jug, PD prezanton javën tjetër 19 amendamente

 

Jorida Tabaku, gjatë diskutimit për buxhetin në Parlament

Deputetja demokrate Jorida Tabaku mbajti fjalën e saj gjatë diskutimeve për buxhetin 2025 në Parlament, teksa diskutimet shkojnë drejt fundit.

Ajo tha se ky do ishte buxheti i fundit i socialistëve, duke e uruar dhe shpresuar këtë, teksa e quajti edhe si buxheti i varfërisë dhe ngriti akuza për abuzime me koncesione dhe tendera që sipas ligjvënëses, shkojnë në dorën e 200 bizneseve.

Tabaku theksoi se 95% e shqiptarëve janë të varfër, paguajnë më shumë taksa, vuajnë nga çmimet e larta dhe pjesa më e madhe e të ardhurave u shkojnë për shpenzime bazë. Kurse për pensionistët tha se qeveria po i trajton me lëmoshë.

Fjala e Tabakut:
“40% e të ardhurave të shqiptarëve shkojnë për ushqime. 50 për qind e pensioneve të pensionistëve shkojnë për këto shpenzime. Dyfishi i mesatares së BE e krahasuar. Bujqësia ka rritje vetëm me 0,05%. 450 mijë shqiptarë të fshatit jetojnë në mëshirë. Pasojë kjo e politikave të gabuara të qeverisë. Shqiptarët meritojnë një qeveri më të mirë. 

Javën tjetër Partia Demokratike do prezantojë 19 amendamente dhe që prekin këto sektorë që unë përmenda më sipër. Amendamente që nuk ndryshojnë as vjedhjen, as modelin ekonomik dhe as gjendjen. Por që u japin shpresë shqiptarëve për ndryshimin e modelit qeverisës. Qeveria flet për informalitetin, por ka mungesë serioze strategjish e politikash. PD e ka gati planin dhe strategjinë. Do ketë riorganizim shpenzimesh. Vendosje balance mes veriut dhe jugut, qytetarë të dorës së dytë ku qeveriset nga opozita dhe të dorës së parë ku qeveris mazhoranca. Shqiptarët kanë nevojë për ujë, ujësjellësa, mirëqenie, rrugë, shkolla, arsim etj. Diskriminim me buxhetin, diskriminim i kthyer në normë. Buxheti duhet t’i japë frymë bizneseve.

Ekonomia përqendrohet në 200 kompani, që marrin tendera e koncesione. Shqipëria ka nevojë për frymë dhe investime në të gjitha qytetet, për vizion ndryshe, për buxhetin që nuk vjen asnjëherë. Uroj e shpresoj të jetë buxheti i fundit i socialistëve. 95% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa, çmime më të rritura dhe janë më të varfër. Të gjithë ata pensionistë që presin lëmoshën e qeverisë kanë nevojë për sistem të ri pensionesh dhe ku s’u jepet lëmoshë, por pension të drejtë me çmimet e rritura, duke respektuar edhe minimumin jetik. Ky sigurisht që do jetë buxheti i fundit i shumicës, por shpresoj për një model të ri ekonomik për shqiptarët, që ua kanë marrë frymën...”.

Ora 20:09
'Babzilandi quhet toka e Qeverisë', Gjekmarkaj në Kuvend: Vrapuesi më i mirë merr ylyfene më të majme

 

Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj, duke folur në Kuvend lidhur me projekt-buxhetin, tha se Qeveria ka harruar pensionistët, ndërsa i konsideroi si propagandë të gjitha çka premton Edi Rama.

“Pensionet. Ju do thoni ç’duhen pensionet, mjafton të shihni kryeministrin në television që të shkrin me qyfyre. Thinjat e tij shtohen për hallet e pensionistëve dhe ju thoni, a nuk është boll kaq?! Partizanët ndanin një lajthi në 8 pjesë, pse këta nuk duhet ta ndajnë një domate zemër kau në tetë pjesë. Po e filloj nga familja ime që mos merrem me të tjerët. Im atë ka punuar 47 vjen, merr 165 mijë lek të vjetra. Nënë ime merr 80-mijë lek të vjetra, të dy bashkë 245 mijë lek të vjetra. Tani drita – ujë, hesapet bëjini vetë. Ky buxhet është hipokrizi, është fyerje, humbje kohe. Por është një rit kuvendor.

Që të preken pensionistët, sidomos këta që votojnë PS, dhe mos të kërkojnë rritje nuk është çudi që Bela të dalë me dy shpata mbi shpinë kundër opozitës duke ngrënë bukë e gjizë tëksa bën inspektimin me kamera në rrugët e Shqipërisë. Nuk është çudi që Taulant Balla të shqepet me bukë misri me djathë e me qepë në torbë tek udhëton nga Londra në Neë York dhe në avion t’u lutet shqiptarëve të marrin nga pak, të ngjallin mallin për atdheun dhe të votojn Partinë Socialiste”, tha Gjekmarkaj.

Në fillim të fjalës së tij, deputeti demokrat u ndal në ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e së hënës kur një nxënës 14-vjeçar u qëllua me thikë për vdekje nga një bashkëmoshatar i tij.

“Ndjesë Martin Cani per jeten që nuk ta ruajtem dot, ndjese familjes se Martinit per dhimbjen e perjetshme që ju lamë në gji”, tha Gjekmarkaj.

Deputeti demokrat tha se ligji për Buxhetin e Shtetit duhet të ishte ligji më i rëndësishëm që ne diskutojmë në mënyrë të përvitshme në sallën e Parlamentit.

“Vrapuesi më i mirë merr ylyfene më te majme! Tek shoqëria jonë mbetet kureshtare, korrupsioni harton buxhetin dhe buxheti si bir i mirë u shërben etërve pra është bujar me korrupsionin.

Ai i shërben qeverisë jo Shqipërisë! Këtë të fundit ai e grabit! Qeveria i merr në xhepat e secilit prej nesh dhe i çon në xhepat e oligarkëve!

Babzilandi quhet toka e Qeverisë.

Nja 110 milion euro me një dorë i merr Beketi! Na thuhej që do merrte Noc Rroku. Po mori milionat e taksapaguesve! Noc rroku si patriot i vërtetë mbeti mes nesh. Ai si besnik i vërtetë i rri pranë Qeverisë në këto ditë të këqija!”, tha Gjekmarkaj.

Ora 20:03
Parlamenti/ Tensione të tjera në sallë, Dogjani kërkon fjalën para Idrizit dhe bllokon foltoren, ndërhyn dhe Garda! Pritet votimi i buxhetit (VIDEO)

 

Nga përplasja e fundit në Parlament, Dogjani bllokon foltoren dhe pengon Idrizin të mbajë fjalën

Parlamenti edhe pse kaloi një ditë përgjithësisht të qetë në debatet për buxhetin 2025, nuk munguan herë pas here edhe tensionet në sallë në episode të veçanta nga deputetët e opozitës.

Pas përplasjes së parë të Gazment Bardhit që sulmoi tre ministret e kabinetit “Rama” që po bisedonin, teksa deputeti Asllan Dogjani kërkoi të mbahej një minutë heshtje për 14-vjeçarin e vrarë dje pas sherrit në shkollë, konfrontimet janë rikthyer sërish.

Dogjani ka kërkuar rreth orës 20:00 fjalën, teksa do dilte në foltore deputeti Shpëtim Idrizi. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali i kërkoi që të lironte foltoren dhe kolegun e PDIU që të fliste. Dogjani ka përdorur edhe fjalë fyese, teksa Spiropali i tërhoqi veshin. Ndërhyrja e Gardës solli debate të tjera dhe deri në konfrontim të lehtë.

Dogjani i kërkoi Spiropalit që të ndërhynte për një nga Gardistët që e kishte ndaluar, teka e quajti atë disa herë "rrugaç". Në këtë moment u ngrit edhe deputeti Gazment Bardhi drejt foltores. Dogjani hodhi akuza, teksa nga salla iu përgjigjen edhe deputetët e mazhorancës, mes tyre edhe Erjon Braçe, që i kërkoi të lironte foltoren dhe të mos kërcënonte e pengonte punimet.

Në një moment, kërcënimeve të Dogjanit, Spiropali iu përgjigj me "nuk ta kemi frikën". Bllokimi i foltores zgjati për disa minuta.

Sipas rendit të ditës, pas fjalës së Idrizit, Shalsit dhe Tabakut, parashikohet të mbahet edhe votimi për buxhetin në seancë plenare.

Debati Spiropali-Dogjani:

Elisa Spiropali: Zoti Dogjani jo me fyerje! Pse krijon incident në mënyrë të panevojshme zoti Dogjani, për çfarë e bëni këtë skenë krejt të panevojshme, Grada ka punën e saj. Përse e zë foltoren dhe mban peng deputetët, po provokoni një sallë të tërë.

Dogjani: Janë 300 pensionistë nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja që marrin vetëm 3300 lekë në muaj.

(Në këtë moment ka edhe reagim të deputetëve të mazhorancës nga salla dhe ngrihen tonet)

Spiropali: Kjo nuk është për procedurë, ju lutem, mos e bëni këtë skenë, se dalim në mënyrë të shëmtuar në sytë e qytetarëve. Uluni ju lutem!

Ora 18:10
Vrasja e 14-vjeçarit, tensione në Kuvend/ Bardhi sulmon Manastirliun: Ja kanë shtruar muhabetit të treja si plakat, ajo është vrasëse! Dogjani: Ngrihuni t’i largojmë këta horra!

 

Momenti i tensionit në Parlament, kur Bardhi dhe Dogjani i drejtohen 3 ministreve në foltore

Tensionohet situata në Kuvend, ku po diskutohet në seancë maratonë dyditore buxheti 2025, që në fund do kalojë edhe për miratim.

Nuk kanë munguar akuzat dhe fyerjet në sallë nga ana e opozitës në disa momente, ndaj ministrave të kabinetit dhe kolegëve deputetë.

Më aktivi ka qenë kreu i grupit, Gazment Bardhi, i cili në momentin që Asllan Dogjani doli të fliste për PD, u pa teksa punonjësit e Gardës u rreshtuan në gardh te foltorja për të penguar ndonjë incident.

Bardhi tentoi t’i afrohej rreshtit të ministrave, duke akuzuar disa prej anëtareve të kabinetit dhe veçanërisht atë të Arsimit, Ogerta Manastirliu, pasi çështja e opozitës sot ka qenë vrasja e 14-vjeçarit ditën e djeshme pas sherrit në shkollë dhe Bardhi e cilësoi ministren edhe si “vrasëse”.

“Ja kanë shtruar muhabetit të treja si plakat!”, u shpreh Bardhi në nervozizëm e sipër afër foltores, duke treguar gishtin, meqë Ogerta Manastirliu po bisedonte me dy kolege të sajat.

Ministrja në ato çaste po fliste me Kumbaron e Ballukun, teksa Dogjani kërkonte 1 minutë heshtje për Martinin e vrarë.

“Ajo është vrarëse...!”, shtoi ai më tej, duke ngritur tonet, duke kujtuar se kishte ndodhur një ngjarje e rëndë në shkollë.

Dogjani vijoi fjalën e tij më tej, duke kërkuar minutë heshtje për 14-vjeçarin.

“Të mbajmë 1 minutë heshtje për Martinin, 14 vjeçarin e vrarë. Ta respektojmë Martinin, familjarët e tij. Ngrihuni dhe të mos presim që nesër të ndodh te fëmija e ndonjërit prej këtu. Ngrihuni t’i largojmë këta horra, këta banditë....”, u shpreh deputeti demokrat.

Në këto momente Spiropali i ndërpreu fjalën, duke i kërkuar që të mos fyente dhe seanca vijoi me deputetin e radhës, teksa Bardhi dhe Dogjani hodhën akuza të reja pa mikrofon drejt foltores. 

Ora 18:05
Buxheti 2025, Spiropali: Ky projektbuxhet krijon premisa për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali foli sot për projektbuxhetin 2025 duke e cilësuar atë jo si një buxhet vetëm për ekonominë, por totalisht për njerëzit dhe familjen.

“Projekt-Ligji i Buxhetit 2025 duhet të mobilizojë burimet financiare e njerëzore për realizimin e vizionit tonë të qartë për rrugën që do të ndjekë Shqipëria vitin e ardhshëm, prioritetet e zhvillimit, sektorët kryesorë të investimeve publike, përdorimin e burimeve kombëtare për të forcuar ekonominë, garantuar rritjen ekonomike dhe “përkthimin” e kësaj rritjeje në mirëqenie për të gjithë qytetarët”.

“Siç u nënvizua edhe gjatë diskutimeve, buxheti i vitit 2025 garanton trendin pozitiv të tre indikatorëve të rëndësishëm makroekonomikë: Qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në nivelin 3.9%. Rritjen e të ardhurave buxhetore e tatimore. Uljen e borxhit publik. Stabiliteti makro-ekonomik është garanci për përmirësimin e treguesve mikro-ekonomik, përmirësimin e gjendjes së bizneseve, familjeve dhe qytetarëve”, – tha Spiropali.

Sipas saj, buxheti synon krijimin e kushteve për zhvillim e mirëqenie, jo duke u mbështetur në slogane, britma politike e elektorale dhe populizëm, por në një logjikë racionale zhvillimore, ekonomike e financiare.

“Një tipar dallues i këtij buxheti është lidhja e drejtpërdrejtë e treguesve të zhvillimit me përmirësimin e  gjendjes ekonomike të qytetarëve, pra ndikimi i rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët. Do rriten financimet buxhetore për të gjithë sektorët: arsimin, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë, infrastrukturën, energjinë etj. Buxheti adreson në mënyrë prioritare sektorët e zhvillimit social dhe njerëzor, jo me karamele elektorale, por me politika afatgjata dhe programe zhvillimi”, – tha Spiropali.

Ajo u shpreh se, “ofrimi i shërbimeve publike dhe adresimi i problemeve të grupeve në nevojë të popullsisë bëhet jo thjesht duke u dhënë përparësi politikave rishpërndarëse, por financimin e politikave zhvillimore që garantojnë rritje të qëndrueshme afatgjatë ekonomike.”

Për Kryetaren e Kuvendit, buxheti niset nga vizioni se qëllimi i qeverisjes nuk duhet të jetë varësia e qytetarëve nga skemat e ndihmave pasive të shërbimeve sociale, por zgjerimi i aksesit të tyre në tregun e punës dhe kultivimi i shpirtit dhe iniciativave  sipërmarrëse individuale, lokale, kombëtare.

“Suksesi i reformave në sistemin e mirëqenies, nuk matet me shtimin e numrit të njerëzve që hyjnë, por të atyre që dalin nga skemat e ndihmës, për një jetë më të lartë, më produktive, më cilësore.

Kujdesi për grupet në nevojë nuk duhet të ofrohet thjesht si përfitim financiar, por edhe si zgjerim aksesi në shërbimet publike. Një shtesë ndihme ekonomike, përfitimesh papunësie a pensioni është kurdoherë e dobishme, por më shumë të dobishme janë për qytetarët përmirësimi i shërbimeve në qendrat shëndetësore, i shkollave, rrugëve kombëtare e rurale, furnizimit me energji dhe ujë, shërbime këto që sjellin një përmirësim të qëndrueshëm të cilësisë së jetës. Buxheti garanton rritjen e nivelit të pagave për të gjithë punonjësit e administratës vendore, dhe mbështet sektorin privat për garantimin e rritjes së pagave dhe përfitimeve edhe për punonjësit e këtij sektori”, cilësoi ajo.

Spiropali shtoi se projekt-buxheti i vitit 2025 synon fillimin e çlirimit gradual të skemës së pensioneve nga varësia buxhetore dhe mbështetja e saj kryesisht në burimet kontributive, duke përgatitur kushtet për qëndrueshmërinë afatgjatë të skemës së pensioneve.

“Këtë synon hapja e vendeve të punës dhe lufta kundër informalitetit në ekonomi dhe tregun e punës, një proces që ka filluar para një dekade. Verifikimi i impaktit pozitiv të reformës së pensioneve dhe plotësimi i saj me elemente të rinj do të shërbejnë edhe për rritjen e drejtësisë sociale brenda skemës, duke ndjekur parimin “Kush kontribuon më shumë, përfiton më shumë”, pa harruar mbështetjen me pension social dhe shërbime të tjera plotësuese për të moshuarit që nuk kanë derdhur kontribute”,- theksoi Spiropali.

Sipas Spiropalit, ky nuk është një buxhet ideal, por një buxhet real që mbështetet në mundësitë që ka vendi dhe ekonomia jonë.

“Projektbuxheti i vitit 2025 përbën një instrument të rëndësishëm për t’i siguruar ekonomisë dhe shoqërisë një mbështetje realiste brenda burimeve e kapaciteteve aktuale te vendit, duke synuar dhe jetësimin e reformave të domosdoshme që duhen ndërmarrë, lidhur me integrimin me ritme të shpejta në Bashkimin Europian.  Këtij synimi i shërben edhe gërshetimi së shpejti i këtij projektbuxheti me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe kohezionin ekonomik e social të vendit tonë me vendet e Bashkimit Europian.

Këtë garanci mora edhe gjatë takimit me Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, në Bruksel, në 6 nëntor, ku entuziazmi për Shqipërinë anëtarë të BE është i dukshëm dhe shumë frymëzues. Për më tepër, ky projektbuxhet krijon premisa optimale për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, jo vetëm për vitin 2025, por dhe më tej”,- përfundoi Spiropali.

Ora 16:52
Vrasja e 14 vjeçarit/ Spiropali: Të mos e përdorim politikisht! Rrjetet sociale janë kthyer në xhungël, të bëhemi bashkë për të rregulluar përdorimin e tyre

 

Në nisje të fjalës së saj në parlament lidhur me projekt buxhetin e vitit 2025, kryeparlamentarja Spiropali u shpreh lidhur me vdekjen tragjike të 14 vjeçarit Martin Cani ditën e djeshme pranë shkollës Fan Noli pasi u godit me thikë në zemër.

Spiropali tha se kjo ngjarje nuk duhet përdorur politikisht, ndërsa theksoi rëndësinë e rregullimit të përdorimit të rrjeteve sociale.

'Rrjete që ngjanë me një xhungël ku urrejtja është kthyer në normë. Të kërkojmë më shumë llogari për sigurinë në shkolla. Të shtohen burimet dhe përkujdesen e njerëzve në nevojë. Një shoqëri ku forcohen institucionet dhe pavarësia e pushtëve mbështet individët. Një shoqëri që jep drejtësi, një Shqipëri që mbështet bizneset.

Buxheti është për njerëzit, prandaj projekt buxheti 2025 duhet të mobilizojë burimet financiare për rrugëtimin e Shqipërisë.

Ky buxheti synon krijimin e kushteve për zhvillim dhe mirëqënie jo duke u mbështetur në slogane por në logjike burimore dhe financiare, një tregues është rritja e mirëqënies së qytetarëve. buxheti niset nga vizioni se niveli i qeverisjes është zgjerimi në aksesin në tregun e punës dhe zhvillimi i shpirtit të sipërmarrjes. Nuk matet me shtimin e njerëzve që hyjnë por që dalin nga skemat e ndihmës. Më shumë të dobishme është përmirësimi në qendrat shëndetësore, zhvillim të qëndrueshëm në cilësinë e jetës.'

Ora 15:48
Debatet në Kuvend/ Leskaj: Borxhi publik u rrit me 1.6 herë! Malaj: Rënie me 14 %

1732027804_petritmalaj.png

Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi sot se borxhi publik është sot rreth 14 % më i ulët se sa ishte në vitin 2013, kur kjo mazhorancë erdhi në drejtim të vendit.

Malaj iu përgjigj akuzave të ngritura nga deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj për rritje të borxhit publik.

Në fjalën e tij, Leskaj tha se borxhi publik ishte në 2013-ën, 883 miliardë lekë, ndërsa sot ka shkuar në 1.4 triliardë lekë, ose 1.6 herë më i lartë.

“Ulja në raport me PBB-në në 50 % vjen si rezultat i mbiçmimit të lekut dhe nga rritja nominale e PBB-së. Borxhi publik që qeveria ka futur qytetarët është sa dyfishi i borxhit publik. Po kështu borxhi publik për frymë është 1.6-1.8 herë më i lartë“, tha Leskaj.

Në replikë me Leskajn, Malaj u shpreh se borxhi publik llogaritet në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe se në vitin 2013 borxhi publik ishte mbi 70 % e PBB-së, ndërsa në 2015 ai do të zbresë në 55.8% .

“Sot borxhi publik është 14 % më i ulët. Borxhi publik për frymë ka qenë 2300 euro në 2013-ën, por të ardhurat vetëm 3300 euro pra diferenca ishte 1 mijë euro. Sot borxhi publik për frymë është 5 200 euro, por të ardhurat për frymë janë 10 300 euro që do të thotë diferenca është 5 mijë euro”, deklaroi Malaj.

Njëkohësisht, Malaj shpjegoi se qeveri po harton një skemë të re pensionesh, përmes së cilës do të ketë rritje të pensioneve në vend.

Sipas tij, në terma afatshkurtër, deri sa skema të jetë gati, pensionistët po mbështeten me bonuse. Sipas tij, hartimi i skemës së re të pensioneve do të dojë një kohë disa mujore.

Këtë fundvit, solli në vëmendje ai, bonusi i pensionistëve u rrit me 3 herë për pensionet deri në 20 mijë lekë dhe 2 herë për ato mbi këtë vlerë.

Njëkohësisht, Malaj bëri të ditur se në projektbuxhetin e vitit që vjen është alokuar një fond për bonusin e fundvitit për pensionistët dhe se ky fond do të shtohet në varësi të performancës së ekonomisë.

Ora 13:54
'Vendosën në Kuvend flamurin serb', Petro Koçi- PD: Përgjegjëse për deklarata antishqiptare dhe ngritjen e një ndërmarrje kriminale

1732022976_petrokoci.JPG

Deputeti i PS, Petro Koçi në fjalën e tij në Kuvend, komentoi vendosjen e flamurit serb në Kuvend nga deputetët e opozitës.

Ai u shpreh se PD bënë këto veprime në një kohë kur është edhe përgjegjëse për deklarata antishqiptare dhe ngritjen e një ndërmarrje kriminale.

‘Vutë flamurin serb dhe flisni për Vucicin, duke harruar se PD është përgjegjëse për deklaratën antishqiptare në rastin e Rambujes. PD është përgjegjëse për ngritjen e një ndërmarrje kriminale që quhej shqiponja që mund të quhej shqiponjë jo shqiptare por serbe. PD është përgjegjëse dhe për takimin e ish-presidnetit Berisha me Bulatovic’, tha ai.

Koçi tha se PD kërkon uljen e taksave dhe rritjen e pensioneve dhe kjo nuk bëhet pa analizuar mundësit finaciare që ka qeveria.

‘Ne kemi përballur 3 fatkeqësi, ose 3 beteja të forta, tërmeti, është pandemia dhe lufta me agresioni rus në ukrainë që hapi luftën e çmimeve, që dalin edhe nga poltika e vjetër e atij që është në katin e 7 apo 8 apo të ndonjë tjetri. Nuk ecën dot shqipëria me skemë piramidale. Nuk mund të thuash ulni taksat dhe rrisni pensionet, duhet një politik e qëndisur mirë me realitetin dhe me mundësit financiare që ka ky vend. Flitet për braktisjen e vendit, por në momnetin që ti ke hequr vizat duhet që ta analizosh këtë gjë, që njerzit të ken lirinë për të dal jashtë vendit’, tha ai.

S.B/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 20/11/2024 02:26

    Z.Koci,do te ndiheshit me mire sikur ne vend te flamurit serb te ishte harta,ose vetem emri i Serbise,ose cdo vendi tjeter?! Aty po flitej per vjedhjet e bera permes IPardit,a si quhet e po behej nje krahasim.U be krahasimi me Serbine,por mund te ishte bere me nje shtet tjeter mik.A ndikon,apo ndryshon gje kjo nga fakti qe parate u vodhen e nuk shkuan atje ku duhet te shkonin?!

    Përgjigju
  • TELEVIZORI: 19/11/2024 19:26

    Po MIRË MORE MIRË VETËM BARZH,DASH,ZHUP,DOGJAN E TË MË FALI E NDONJË TJETËT QË NUK JA PËRMËNDA EMRIN QË BAN BËRË SI RAD/TEL I KOHËS ME NJË KKANAL QË SHANIN IMPERIALIZMI E REVIZIONIZMIN.JA KUSH ËSHTË P.D.SH.(P.P.SH.E R ALIAS).

    Përgjigju
  • Linda: 19/11/2024 18:43

    O hajdut o kriminel o bandit Dogjani ti do jesh nga te paret qe do qerrohesh nga kuvendi ju skeni asnje te drejt morale te drejtoni gishtin te dikush tjeter se te gjithe bashk me Bardhin,Nok trafikantin,Berish kriminelin,Sude Tabaku kriminelja ,Zhupa funderrina jeni autoret e vertet te krimeve te renda ne Shqiperi!

    Përgjigju
    • Bravo: 19/11/2024 22:02

      E paska fajin Dogjani se ti je dashnore e drejtorëve te Rilindjes?

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Dodaj dhe Massafra mesazhe shprese për shqiptarët: Të ndërtojmë një qytetërim dashurie

Krishtlindjet/ Dodaj dhe Massafra mesazhe shprese për shqiptarët: Të ndërtojmë një qytetërim dashurie