Ka zgjatur vetëm pak minuta mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku në rend dite ishte seanca dëgjimore me ministrinë e Shëndetësisë, Evis Sala për projektbuxhetin e vitit 2026. Që në nisje, kryetarja Jorida Tabaku kërkoi prezencën e ministres Sala, duke thënë se në çështje të tilla si buxheti, prezenca e saj është e rëndësishme. Tabaku theksoi se dëgjesën muind ta zhvillojnë në një ditë dhe orar tjetër kur ministrja të ketë kohë.
“Le të vijë ministrja këtu për të ndjekur diskutimin e buxhetit. Programi i qeverisë dhe buxheti janë dy element kryesorë. E kuptoj ngarkesën në komision, edhe e një ministre të re që ka ardhur në një pozicion të vështirë por për të vendosur një standart, për buxhetin duhet të jetë ministrja. Në temë tjetër zëvendës ministri.”, tha ajo.
Anëtarja socialiste Iris Luarasi kërkoi që seanca të vazhdojë me zëvendës ministret në respekt edhe të zyrtarëve të tjerë që kanë shkuar për raportim në komision.
“Ndaj të njëjtin shqetësim me ju zonja kryetare, patjetër se dëgjesa për buxhetin është e rëndësishme. Do ishte edhe në nderin e komisionit dhe ministrisë që ministrja të ishte e pranishme. Megjithatë, fakti që në komision kanë ardhur dy zëvendësministret dhe drejtuesit e ministrisë mendojmë se duhet ta vazhdojmë dëgjesën.”, tha Luarasi.
Në mungesë të ministres, Tabaku mbylli mbledhjen dhe kërkoi që diskutimi të vijojë vetëm në prani të saj, duke nënvizuar rëndësinë e llogaridhënies institucionale, sidomos në procesin e buxhetimit.
Komente












