Plani për të ardhurat nga tatimet dhe doganat është bërë edhe më ambicioz me rishikimin që i është bërë buxhetit të shtetit. Ministria e Financave pret që deri në fund të vitit të mblidhen 843.1 miliardë lekë, ose 20.1 miliardë më shumë se në projeksioni fillestar.
Burimet e kësaj rritjeje thuhet në relacionin e aktit normativ, janë dy: Shtimi i të ardhurave nga tatimet e doganat me 7.12 miliardë lekë ( 538.3 miliardë lekë në total) si dhe 3.9 miliardë lekë shtesë do të vijnë nga kontributet (200.9 miliardë lekë në total).
Edhe më ambicioz duket ‘portofoli’ i shpenzimeve me 906.8 miliardë lekë në dispozicion për t’u shpenzuar për paga, pensione, ndihmën ekonomike, investime, arsim, shëndetësi, bujqësi e më tej. Ky plan i rishikuar i qeverisë parashikon shpenzime 105.1 miliardë lekë më shumë se buxheti faktik i vitit 2025.
Përmes aktit normativ shumë institucioneve iu shtuan fondet, e të tjerave iu hoqën për shkak të mos-realizimit të projekteve në gjysmën e parë të vitit.
Kështu, për të përmbushur detyrimet e NATOS, buxheti për mbrojtjen arrin në 69.2 miliardë lekë nga 58.9 miliardë lekë që ishte, dhe e gjithë rritja shkon tek zërat “Forcat e Luftimit” dhe “Mbështetja e Luftimit”.
Rritja të konsiderueshme me 7.5 miliardë lekë merr Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pasi buxheti i këtij institucioni arrin në 32.3 miliardë lekë, me fokus kryesor tek investimet infrastrukturore, por edhe për mbështetjen e pushtetit vendor me transport publik urban. Po ashtu, brenda kësaj shtese janë edhe fondet për blerjen e pajisjeve, makinerive dhe krijimin e logjistikës për “Operatorin e Shërbimeve të Logjistikës Bashkiake”, që do të ngrihet.
Edhe pse ka shtesë më të ulët se ‘mbrojtja’ apo FSHZH, Ministria e Shëndetësisë mban fronin me buxhetin më të lartë prej 86.4 miliardë lekësh.
Teksa disa institucione fuqizohen me buxhet, Ministria e Infrastrukturës po ‘dobësohet’. Përmes aktit normativ fondet për këtë institucion janë ulur nga 77.2 miliardë lekë në buxhetin fillestar në 61.4 miliardë lekë. E gjithë ulja për këtë ministri, ka ndodhur tek zëri “Transporti detar”, nga afro 15 miliardë lekë që ishte planifikuar është ulur në vetëm 247 milionë lekë, kjo për shkak të dështimit të tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto-Romano.
Komente









