Dua ta nis me një fakt që është mirë ta rikujtojmë sa më shumë aq më tepër në sfondin e gjithë kësaj zhurme dhe e gjithë kësaj pafytyrësie që edhe Raportin e Progresit të Bashkimit Europian, e ripërtyp në publik si të ishte një fakt kundër kësaj shumice dhe kundër kësaj qeverie. Në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian ka një togfjalësh që i thotë të tëra, që i thotë të tëra arsyet pse ne jemi krenarë për punën tonë, që i thotë të tëra arsyet pse ne duhet dhe do ta vazhdojmë deri në fund punën tonë, që i thotë të tëra arsyet pse askush tjetër nuk e bën dot punën tonë.

Komisioni Europian i rekomandon Këshillit Europian që në vitin 2027, pra në vitin që po troket, të nisë përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik t’i bëhet Këshillit nga Komisioni Europian, në rast se vendi do të ishte ai që përpiqen me këmbë e me duar, me britma si të shurdhuar, ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestën.

Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë, është gjëja më e natyrshme; të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta, është gjëja më e natyrshme. Po të jesh në opozitë dhe të mos të të pranojnë t’i afrohesh protestës, është gjëja më e dhimbshme dhe është fakti që qoftë dhe i vetëm, vlen për të kuptuar se çfarë janë këta që s’janë fare, jo vetëm fizikisht, por as politikisht relevantë në këtë vend.

Tani, zonja Tabaku e cila është një zëdhënëse e palodhur e fjalës ‘’vjedhje, vjedhje’’, që sa herë e përmend ajo atë fjalë, aq herë unë mendoj me vete kush e di ç’do kish vjedhur kjo zonjë po të kishte gjë në dorë, sepse vetëm nëse i ke bërë vetë, ose nëse do t’i bëje vetë ato për të cilat akuzon në mënyrë shurdhuese të tjerët, mund të përsërisësh aq shpesh fjalën ‘’vjedhje’’, tha se unë paskam ardhur këtu për kartonin. Unë s’kam ardhur këtu për kartonin, unë kam ardhur këtu për të bërë fjalën hyrëse lidhur me një buxhet i cili në plot kuptimin e fjalës, është historik për Shqipërinë, pasi për herë të parë, shteti shqiptar ka një buxhet që prek tavanin e 10 miliardë eurove, por ky buxhet është i rëndësishëm, jo vetëm për këtë fakt, ky fakt është thjesht domethënës përsa i takon rritjes së mundësive të ekonomisë sonë.

Ky buxhet është i rëndësishëm edhe për një fakt tjetër; për faktin që kjo shumice qeverisëse, Partia Socialiste e Shqipërisë, falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë, me këtë buxhet, ul drejtpërdrejt pikërisht atë që është edhe fjala kyçe e ditëve të sotme në Shqipëri edhe në Evropë po të doni, në rajon po se po, koston e jetesës për familjet shqiptare, duke lehtësuar barrën fiskale për shtresën e mesme dhe duke vazhduar të rrisë mbështetjen për pensionistët dhe për ata që janë më në nevojë.

E nis pikërisht nga kjo sepse i kemi dëgjuar shpesh këto masa si të ishin thjesht çështje dëshirash; i kemi dëgjuar shpesh të na kundërvihen, a thua se ne nuk e kishim dëshirën për t’i marrë më parë këto masa; i kemi dëgjuar shpesh si argumente për pse njerëzit nuk duhet të na votojnë, por në fakt arsyeja pse shumica e shqiptarëve na ka votuar dhe do të vazhdojë të na votojë, qëndron pikërisht tek një e vërtetë shumë e thjeshtë,  e vërteta që ndan shqiptarët që janë jashtë kësaj salle, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, me këta që janë këtu në këtë sallë dhe që nuk kanë asnjë lidhje, fare me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, duke filluar nga niveli logjik. Pasi ua kam thënë qysh në fjalën time të parë në këtë Kuvend si kryeministër, ‘’mos i bëni shqiptarët për budallenj, se shqiptarët të japin ujë në bisht të lugës”  dhe faktikisht, ‘’ujin në bishtin e lugës’’ kanë marrë në gjithë këto vite dhe sikundër e konfirmoi edhe zonja Tabaku, do të marrin edhe në 9 maj.

Këto nuk janë çështje dëshirash. Dëshirën për të ulur taksat e ushqimeve bazë, ne e kemi patur qysh në krye të herës dhe e kemi të shkruar edhe në programin tonë të parë, në programin bazë të këtyre mandateve, programin për një rilindje shqiptare. Dëshirën për të lehtësuar barrën e karburantit pa diskutim që e kemi pasur qysh në krye të herës, por arsyeja pse barra e karburantit ka qenë më e lartë se sa në vendet e tjera të rajonit, është se në strukturën e çmimit, ne kemi ende sot, por nuk do të kemi më duke filluar nga 1 janari, taksën e qarkullimit.

Dëshirën për t’i rritur më shume pensionet, për t’i mbështetur më fort familjet e reja, për t’i dhënë më shumë mundësi atyre që duan ta ndërtojnë jetën këtu, që të kenë akses në strehimin e përballueshëm, e kemi pasur qysh në krye të herës, por nuk janë dëshirat që e mbushin arkën e shtetit. Nuk janë dëshirat që përcaktojnë rrugën e një qeverisjeje. Nuk janë dëshirat që e bëjnë një qeveri më të mirë, por është ekonomia.

Nuk janë dëshirat që e bëjnë një qeveri më të mirë por është ekonomia që mbush arkën e shtetit, është ekonomia që përcakton edhe shpejtësinë e rrugës, është ekonomia që e bën qeverinë edhe më të mirë ajo ka mundësi të rishpërndajë më shumë dhe ndryshimi mes asaj që ti do të bësh dhe asaj që je në gjendje të besh nuk është ndonjë ndryshim teknik, nuk është një ndryshim ideologjik, por është dallimi mes premtimeve që mbeten në ajër dhe zotimeve që nuk harrohen por që me këmbëngulje përmbushen duke mbushur paraprakisht arkën e shteti për t’i mbajtur ato zotime.

Sepse nëse përpiqesh t’iu pëlqesh njerëzve pa bërë llogaritë, atëherë nuk bën asgjë tjetër përveçse iu hap gropën që vjen pas dhe këta që nuk janë këtu bashkë me ca që kanë mbetur, janë pikërisht ata që në historinë e këtij vendi do të mbeten si hapësit e gropave, e gropave të qeverisjes së parë, e gropave të qeverisjes së dytë. Ndërkohë që historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë së re europiane. Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë sepse kemi zgjedhur rrugën e rritjes së ekonomisë duke i forcuar financat publike, kemi zgjedhur rritjen së investimeve duke ulur borxhin publik, kemi zgjedhur rrugën e rritjes së të ardhurave pa renduar me taksa ata që firojnë më pak. Kemi zgjedhur rrugën e krijimit të mundësive të reja duke besuar tek zhvillimi, duke besuar te sipërmarrja dhe duke besuar tek drejtësia e vendimeve tona.

Sot ne kemi një ekonomi të trefishuar. Ishte më pak se 10 miliardë euro kur ne morëm detyrën dhe ka prekur tavanin e 30 miliardë eurove. Ishte një vend me një rritje ekonomike të zeruar. Sot është një vend që rritet vijimësisht me një ritëm i cili është rreth 4% ndërkohë që edhe në raportin e progresit të BE një nga pikat më të forta të këtij vendi është vlerësimi për ekonominë.

Sot ne kemi një papunësi që ka rënë nën 10% dhe nga ana tjetër një pagë mesatare që është rritur në 967 euro. Ndërkohë që investimet e huaja kanë prekur nivele historike. Dhe rritja e investimeve te huaja në nivele historike dhe potenciali për t’i rritur ato ende shumë më tepër është shumë e qartë që nuk iu pëlqen të gjithëve. Nuk iu pëlqen të gjithëve këtu, nuk iu pëlqen të gjithëve përtej kufijve të Shqipërisë

Ndërkohë kemi një buxhet më të madh se asnjëherë dhe siç thashë, një borxh publik më të ulet se asnjëherë qysh se ne morëm detyrën. Kjo do të thotë që Shqipëria ka fituar një fuqi të re ekonomike që nuk është një shifër e hedhur në letër, por është një mundësi e re për të bërë më shumë për njerëzit, por nga ana tjetër ne jemi shumë të vetëdijshëm që një ekonomi që rritet nuk do të thotë automatikisht se çdo familje e ndjen njësoj rritjen. Përkundrazi, zhvillimi i shpejtë, transformimi i madh sjell me vete edhe një paradoks që ne tanimë e kemi dhe më të qartë falë edhe mobilizimit të qytetarëve në javët e para të qershorit. Rriten pagat, por rriten dhe pritshmëritë. Rriten të ardhurat, por rriten edhe kërkesat.

Rritet aktiviteti ekonomik, por në tregun e banesave, në qiratë, në çmimet e produkteve të përditshme krijohen presione të reja që rëndojnë drejtpërdrejtë në familjet më të zakonshme dhe një nënë që shkon në treg për të mbushur shportën e javës, nuk e bën llogarinë me prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Një pensionist që numëron leket për ilaçet dhe për ushqimet nuk e bën llogarinë me rritjen e investimeve të huaja. Një çift i ri që ka një punë të mirë por që e sheh çmimin e një apartamenti të largohet nga horizonti më shpejt sesa rriten kursimet e veta, nuk ngushëllohet dot me faktin që Shqipëria është bërë më tërheqëse për investitorët dhe që në Shqipëri kryen ndërtime spektakolare dhe kanë plotësisht të drejtë të gjithë sepse në fund të fundit dhe vetë rritja e ekonomisë nuk është një qëllim në vetvete.

Ekonomia është një fuqi që duhet tua bëjë jetën më të mirë njerëzve të vendit ku ajo fuqi rritet dhe pikërisht ky është thelbi i buxhetit 2027 dhe pikërisht ky është thelbi i këtij mandati të katërt dhe pikërisht këtu është rasti për të kujtuar se programi ynë qeverisës i këtij mandati, Shqipëria në Bashkimin Europian në 2030 është pazgjidhshmërisht i lidhur me Shqipërinë ku shqiptarët ndihen familjarisht më të fortë në ekonominë e tyre këtu në Shqipëri.

Sot na jepet mundësia që falë reformave dhe punës e përpjekjeve të mëdha të bëjmë lehtësime që nuk i bënim dot deri dje, e përsëris jo se nuk donim, por se nuk mundnim dhe sot ne vijmë këtu për të miratuar uljen e TVSh- së në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore, për bukën, për qumështin, për miellin, për vezët, për mishin, për peshkun, për vajin, frutat, perimet, ushqimet bazë për foshnjat dhe të tjera produkte të konsumit të përditshëm.

Kjo është një masë që ne na jep atë kënaqësinë e veçantë që mund ta japi vetëm politika kur ajo bëhet forcë e përbashkët për të sjellë rezultate që ndryshojnë drejtpërdrejtë jetën e njerëzve dhe ky është një lehtësim që e thënë ndryshe lë rreth 150 milionë euro çdo vit në arkën e familjeve. 150 milionë euro të cilat përndryshe do vinin në buxhetin e shtetit, drejtpërdrejtë përmes çmimeve të ulura, falë uljes domethënëse të TVSH-së, por dua të jem shumë i qartë këtu, ne nuk po e ulim TVSh-në që diferencën ta fusin në xhep tregtarët ndërkohë që fëmijët vazhdojnë të paguajnë njësoj logjikën e kapitalizmit prandaj kjo masë do të shoqërohet edhe me fuqizimin e pasqyrës së çmimeve e cila ka filluar të japë rezultate inkurajuese dhe të mekanizmave të transparencës dhe të kontrollit të tregut sepse prova e vërtetë e kësaj politike të re nuk do të jetë përqindja që ne shkruajmë në ligj, por duhet të jetë çmimi që qytetari do të shohë në raftin e dyqanit.

Këtu dua të shpjegoj dhe një vendim tjetër, se ne rrisim në të njëjtën kohë për një pikë përqindje normës standarde të TVSH-së për mallrat jashtë shportës bazë sepse nuk ka asnjë arsye që barra fiskale mbi ushqimin e domosdoshëm të një familje më të ardhura të pakta të trajtohet në të njëjtën mënyrë si taksimi i konsumit të mallrave të tjera dhe sepse në vazhdojmë të mbetemi ata që ishim qysh në ditën e parë, ne vazhdojmë mbetemi besnik të asaj që jemi për sa kohë i përkasim kësaj partie të mbledhur dhe të fuqizuar në vite rreth atij trëndafilit që është simboli ynë, që do të thotë, ne jemi partia që mendon në radhë të parë për ata që fitojnë më pak dhe ne besojmë shumë që kush fiton më shumë duhet të kontribuojë më shumë në mënyrë që ata që fitojnë më pak të mos kenë më pak, por të mos jenë të detyruar të kontribuojnë më shumë për të pasur më shumë.

Ne nuk duam absolutisht më pak njerëz të pasur në Shqipëri, përkundrazi, duam shumë më tepër njerëz të pasur. Duam shumë më tepër sipërmarrës të suksesshëm, duam shumë më shumë kompani, investime private, njerëz që pasurohen me punën dhe talentin e tyre dhe që krijojnë vende pune për të tjerët.

Problemi ynë nuk janë të pasurit. Problemi është hendeku mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë shumë më pak. Prandaj e mbajmë të pandryshuar ne tatimin 15% të fitimit të sipërmarrjes, por ama rrisim tatimin mbi dividendin nga 8% në 15% sepse kur vjen fjala për të ri investuar të ardhurat e fituara, ne jemi me sipërmarrjen. Kur vjen fjala për të kontribuar me taksa për buxhetin e shtetit nga e ardhura personale, ne jemi me ata që fitojnë më pak, jo me ata që fitojnë më shumë dhe nuk ka asgjë të padrejtë, më të padrejtë që ata që fitojnë më shumë, të mos kontribuojnë më shumë. Përkundrazi, e drejta e do që ata që fitojnë më pak të kenë mundësi të përfitojnë më shumë nga një shoqëri e cila bëhet më e fortë falë atyre që fitojnë më shumë.

Në të njëjtën kohë ne marrim një tjetër vendim që pritet prej kohësh, por nuk kemi pasur mundësi ta marrim deri dje, sepse nuk na e ka lejuar ekonomia. Sot ekonomia e rritur na jep mundësinë që 32.000 tatim paguesve që i përkasin shtresës së mesme, ne t'ju ngremë pragun e sipërm të tatimit mbi pagën nga 200.000 në 300.000 lekë dhe t'u japim mundësinë këtyre profesionistëve që të ndjehen më mirë në vendin e tyre dhe që kjo shtresë të vazhdojë të zgjerohet duke pasur një barrë fiskale më të ulët, sepse sot ekonomia na jep këtë mundësi.

Ndërkohë që për pjesën e pagës mbi 700.000 lekë, ne shkojmë me një normë taksimi në 30% që është kombinimi faktikisht i të dyjave, i 15% të fitimit të kompanisë me 15% e dividendit, pra fitimit personal, në mënyrë që duke forcuar progresivitetin e sistemit të mbyllim shtigje të evazionit fiskal dhe të mos i lejojmë ata që janë pronarë kompanish që të shfaqen si rrogëtar apo si biznes i vogël dhe ruajmë zotimin tonë të tatimit zero, mbi fitimin për biznesin e vogël, deri në vitin 2029. Kemi thënë që do të jemi i vetmi vend në rajon dhe në Europë që deri në 2029 nuk do ta tatojmë biznesin e vogël dhe i qëndrojmë 100% këtij zotimi.

Ndërkohë që patjetër për të forcuar formalizimin, për të mos lejuar që biznesi i vogël rëndom të përdoret si një shteg për të mëdhenjtë që të shmangin detyrimet e tyre, ne do ta ulim pragun e regjistrimit të TVSH-së në 5 milion lekë xhiro vjetore dhe kush e konsideron këtë një taksë mbi biznesin e vogël duhet të rishikojë formimin e vetë dhe duhet të rishikojë edhe njëherë atë kumtimin tim të përsëritur këtu ‘’mos i bëni shqiptarët për budalllenj sepse pastaj kur vjen dita e hesapit, hesapin do ta keni më të kripur’’ dhe kështu ka ndodhur në çdo zgjedhje dhe kështu do të ndodhë përsëri në 9 maj.

Vijmë te taksa e qarkullimit në çmimin e karburantit. Duam ta ulim çmimin në pompë me 32 lekë për litër duke e zhvendosur taksën tek automjeti dhe faktikisht duke e lidhur më drejtpërdrejtë edhe me karakteristikat e automjetit. Pra këtë e kemi sqaruar dhe ri sqaruar, por përfundimisht duke qenë se ekonomia na jep mundësinë, duke qenë se të ardhurat na japin mundësinë, kemi rënë dakord që mos vazhdojmë të përpiqemi të bindim njerëzit se perceptimi i tyre është i gabuar, por t'i hapim rrugë atij perceptimi duke faktikisht e bërë çmimin e karburantit në Shqipëri njësoj si në vendet e tjera të rajonit dhe pastaj duke kaluar detyrimin për të paguar taksën e qarkullimit të makinës në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Publik.

Këtë reformë së bashku me vetë buxhetin në tërësi, ne e ndërmarrim sot edhe në emër të zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë, të lehtësimit të mëtejshëm për të ecur më shpejt makineria e ekonomisë, sepse le të marrim për shembull koston e karburantit, ajo nuk prek vetëm atë që ka një makinë, po prek shumë më tepër se kaq. Ashtu sikundër dhe ulja e TVSH-së së shportës apo edhe ndryshimi i pragut për shtresën e mesme, përveçse lehtësojnë drejtpërdrejtë ato kategori të cilat targetojnë, do të sjellin më shumë konsum dhe do të sjellin përsëri mbrapsht në ekonominë e përbashkët më mirë dhe patjetër hap pas hapi më shumë.

Më lejoni të vij tek pensionistët sepse nëse ka një kategori të shoqërisë sonë që meritojnë të ndjejë më shumë nga përfitimet e rritjes ekonomike, pa diskutim është kategoria e pensionistëve. Këtë e them me vetëdijen e plotë të kësaj shumice qeverisëse. Këtë e them në emër edhe të të gjithëve ju, sepse në mënyrë të vazhdueshme, njësoj si unë dhe të gjithë ju, ndesheni me këtë nevojë të brendshme që vjen si rezultat i një marrëdhënie të patjetërsueshme të kësaj partie me atë këtë kategori e cila të mos e harrojmë sa më shumë kalon koha, aq më shumë mbetet një kategori më vete për sa i përket lapsit, sepse pensionistët akoma vazhdojnë t'i besojnë lapsit dhe t'i besojnë llogarisë dhe këta honxho-bonxhot këtu kujtojnë se mund t'i torrolisin pensionistët me llogaritë e tyre kokë poshtë, por ja që pensionistët e dinë më mirë se kushdo se çdo të thotë të rrisësh një ekonomi me mund dhe të shpërndash atë që del nga mundi.

Prandaj ndërkohë që realiteti i tyre mbetet i vështirë, ndërkohë që ka shumë pensionistë që jetojnë me pak, ndërkohë që ka pensionistë që kanë punuar një jetë tërë dhe jo vetëm kanë rritur fëmijët në mënyrë dinjitoze dhe kanë mbajtur familjen, por kanë kontribuar për vendin shumë e shumë herë më tepër sesa shumëkush nga këta që ikën dhe nga plot të tjerë që kanë ikur më parë, ne nuk mundet dot të mbetemi tek entuziazmi legjitim për rritjen ekonomike apo për trefishimin ekonomikisht të Shqipërisë, nëse nuk i qëndrojmë një për një detyrimit tonë ndaj tyre, ndaj pensionistëve, por si të gjitha të tjerat edhe pensionet nuk rriten nga dëshira, por rriten me ekonomi dhe falë rritjes ne jemi në gjendje të vazhdojmë atë që kemi nisur.

Nga 1 janari, të dyfishojmë rritjen e vitit që po lëmë pas dhe t'i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës me dyfishim dhe dyfishim dhe dyfishim, krahasimisht me vitin e parë që është ky i këtij procesi dhe kështu janë 20 miliardë ose rreth 200 milion euro në këtë buxhet që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët. Ndërkohë që indeksimi afrohet në muajin prill dhe për të është një fond shtesë prej 4 miliardësh ose 40 milionë eurosh. Me një sistem që në fund të vitit 2027 do ta prekë tavanin e 800.000 pensionistëve, është e domosdoshme që ne të mbetemi deri në fund besnikë të kësaj kategorie, duke bërë gjithçka që çfarë nxjerr ekonomia të rishpërndahet në mënyrë sa më të drejtë duke filluar nga ata dhe kjo është beteja jonë, të rrisim ekonominë duke rritur investimet dhe duke vazhduar të rrisim fuqinë e atyre që vijën pas nesh sepse janë dy kategori sot që gjenden në një pozitë delikate, pensionistët nga njëra anë dhe më të rinjtë nga ana tjetër.

Për këtë arsye sot unë jam shumë i lehtësuar nga fakti që parlamenti do të kalojë dhe një ligj të ri, që është ligji i asaj reforme të strehimit që ne e prezantuam në programin tonë qeverisës në fushatën e vitit 2025. Një ligj falë të cilit ne do të kemi një transformim tërësor të qasjes ndaj strehimit. Një ligj ku ne nuk flasim vetëm për strehimin social, por edhe për strehimin e përballueshëm, nuk flasim vetëm për ata që janë të varfër por edhe ata që janë të rinj, sepse ne nuk mund ta pranojmë si një normalitet të pandryshueshëm që një çift i ri ku të dy punojnë, të dy kontribuojnë me taksat e tyre nga puna, të dy përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta ketë gjithnjë më të vështirë të sigurojë një çati mbi kokë. Këtë ne nuk mund ta pranojmë.

Nga ana tjetër, ne nuk mund të mjaftohemi me faktin që kryeqyteti ynë bëhet më i pasur, që në kryeqytetin tonë bëhen më shumë ndërtime spektakolare, që në qytetet tona të mëdha rriten ekonomitë, por ndërkohë një pjesë e të rinjve që janë e ardhmja e kryeqytetit dhe e atyre qyteteve dhe që kontribuojnë me punën e tyre ta kenë gjithnjë më të vështirë ta imagjinojnë veten të pavarur në shtëpinë e tyre, sepse një qytet mund të bëhet më i shtrenjtë nga zhvillimi, por nuk mund të bëhet i paarritshëm për njerëzit që jetojnë aty. Dhe kur kjo ndodh, atëherë ky është një problem që vetë zhvillimi nuk e zgjidh dot dhe prandaj duhet Partia Socialiste e Shqipërisë, prandaj duhemi ne në këtë mes.

Se këtu ka edhe ulëritës profesionistë që bëjnë lekë në pallate pa leje dhe natyrisht që ne nuk do ta bëjmë këtë duke luftuar tregun e pasurive të paluajtshme. Nuk do ta bëjmë këtë duke penguar ndërtimin, duke anatemuar kullat sepse është e rëndësishme që njerëzit ta dëgjojnë, ta kuptojnë, ta mësojnë se çfarë ka në ato kulla për ta, se çfarë vjen nga ndërtimi i atyre kullave për fondin e strehimit. Njerëzit duhet ta dinë që nga taksat e atyre kullave përfitimi është shumë i lartë dhe shkon për qytetin, ndërkohë që 3% e atyre kullave shkojnë pikërisht për strehimin social dhe të përballueshëm.

Dhe në ndërkohë fillojmë nga pikërisht buxheti pa llogaritur çfarë vjen me ligjin e ri të strehimit ku janë 1000 familje që përfshihen në skemat e kreditimit të lehtësuar dhe janë 2000 familje të tjera që mbështeten me subvencionimin e qerasë në tregun e lirë, ndërkohë që 7000 familje të tjera, pra në total janë 10 000 familje që do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin.

Dëgjova këtu zonjën “vjedhje, vjedhje, vjedhje” që foli për rindërtimin dhe foli për vonesën. Nëse ka një proces rindërtimi të suksesshëm, për të qenë krenar, duke marrë parasysh se çfarë ka ndodhur pas tërmeteve në vende shumë më të zhvilluara se yni është procesi i rindërtimit në Shqipëri, por patjetër që ne kemi një problem. Kemi një problem me rindërtimin në Bashkinë e Tiranës. Kemi një problem sepse Bashkia e Tiranës ka dy vjet pa kokë. Kemi një problem sepse një shumë e madhe në dispozicion të strehimit dhe të rindërtimit nuk është vënë në lëvizje.

Në ndërkohë që nga ana tjetër ne do të përfshijmë në këtë politikë të re edhe zgjerimin e stokut të banesave që ndërtohet nga vetë Fondi i Strehimit. Kështu që nuk mund të kemi një realitet ku apartamentet mbahen bosh si depo pasurie, ndërkohë që për shumë familje të reja qiraja bëhet e lartë dhe prandaj në paketën e sotme fiskale ka dhe një propozim tjetër, për të rritur taksën për apartamentet që mbahen bosh dhe natyrisht duke pasur parasysh në radhë të parë ata që janë blerës të huaj.

Nga ana tjetër regjimi i ri i taksimit për apartamentet e mbajtura bosh që nuk hidhen në tregun e qirave, nuk është një qasje agresive ndaj pronës dhe të drejtës së njerëzve për ta administruar pronën e tyre si të duan, as për t'i ndëshkuar ata që investojnë, por për të nxitur një përdorim produktiv në aspektin social të stokut të banesave dhe për të ndihmuar që tregu i qirave të ketë një ofertë më të gjerë dhe sigurisht kjo shkon në të njëjtën logjikë me trajtimin e diferencuar të pronave të luksit, përfshirë vilat në bregdet apo përfshirë dhe konsumin e ujit të pishinave. Është koha që të ndahen kategoritë. Apartamentet e dyta janë një gjë, vilat në bregdet janë një gjë tjetër.

Në ndërkohë e njëjta gjë vlen edhe për makinat e luksit. Ashtu si kundër për ne mbetet shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë më shumë mundësi ta ndërtojnë jetën e tyre këtu, jo vetëm duke gjetur një punë, por duke mos pasur frikë të krijojnë një familje për shkak se kanë pamundësinë për të pasur një strehë dhe në drejtim të familjes ne kemi ndryshuar një tjetër politikë tonën duke propozuar që nga bonusi i bebeve, prej 1 korrikut të vitit të ardhshëm, familjet të marrin një mbështetje të shtrirë në kohë deri kur fëmija mbush moshën pesë vjeç sepse në këtë mënyrë ne i gjendemi pranë familjeve të reja dhe ndihmojmë për të lehtësuar barrën e tyre në raport me mirë rritjen e foshnjave.

Nga ana tjetër, e kemi marrë këtë zotim dhe është i sanksionuar në këtë projekt të ri të qeverisë, dyfishimi për mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe mbulimi i kontributeve shoqërore për gjithë kujdestarët e tyre. Sepse kujdesi për një fëmijë me aftësi të kufizuar është një punë e përditshme, është një punë e jashtëzakonshme, që nuk mund ta lëmë në supet e prindit pa mbrojtje për të ardhmen e vet. Nga ana tjetër, në vazhdim të gjithë kësaj qasjeje që lidhet me koston e jetesës, projekti ka një propozim të rëndësishëm për studentët që vijnë nga familjet në nevojë.

Bursa e tyre do të rritet nga 10.000 në 25.000 lekë të reja në muaj dhe do të shtrihet edhe në ciklin e masterit. Kjo do t'ua lehtësojë edhe marrjen pjesë në ato grupet që bëhen bashkë të studentëve për të marrë me qira shtëpi në Tiranë.

Edhe këto nuk janë gjëra që ne nuk kishim dashur t'i bënim më parë, i kemi bërë më pak, edhe bonusin dhe bursën dhe mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe.. dhe.. dhe. Këto janë gjëra që sot shtohen sepse ekonomia rritet.

Të nderuar deputetë,

Në mbyllje dua të them se s'duhet ta harrojmë për asnjë çast që të gjitha këto lehtësime, të gjitha këto mbështetje, gjitha këto investime nuk bien nga qielli. Ato vijnë nga një punë domethënëse kuptimplotë e përditshme e shqiptarëve.

E shqiptarëve që nuk dalin në televizor, e shqiptarëve për të cilët nuk flitet nëpër lajme se quhet reklamë, e shqiptarëve që nuk kanë kohë të ulërinë në TikTok apo të shajnë në Instagram; e shqiptarëve që janë të organizuar në sipërmarrje, që janë të organizuar në ferma, që janë të organizuar në prodhim, në turizëm, në shërbime; e shqiptarëve që me aktivitetet e tyre kanë krijuar rrjetin e një ekonomie, që i jep Shqipërisë sot mundësinë të rishpërndajë më shumë dhe mbi të gjitha, këto vijnë nga një Shqipëri ku rriten investimet e brendshme dhe të huaja.

Prandaj, unë e refuzoj kategorikisht çdo lloj thirrjeje dhe çdo lloj qasjeje e për më tepër pastaj çdo lloj pabesie dhe poshtërsie në kurriz të këtij vendi që ushqen refuzimin dhe kundërshtimin ndaj investimeve të huaja. Sot, të gjitha vendet edhe Kina edhe vendet naftëmbajtëse, edhe të gjitha vendet e Europës janë në një konkurrencë gjithmonë e më të egër kush tërheq më shumë investime të huaja. Ne nuk mund të jemi vendi që kur dera për investimet e huaja hapet nga investitorët, të sillemi sikur duam të mbrojmë vendin nga investimet.

Kjo është kundërhistorike dhe kjo është vetëvrasje ekonomike, që ne nuk kemi për ta pranuar kurrën e kurrës. Nga ana tjetër, investimet publike në infrastrukturë, në energji, në arsim, në shëndetësi, në bujqësi dhe patjetër edhe në hekurudha që më në fund po bëhen realitet edhe ato, dhe në të gjithë sektorët që e bëjnë ekonominë më konkurruese, janë në këtë buxhet më të larta se asnjëherë.

200 miliardë lekë investime publike të planifikuara, nuk janë thjesht konsum i fryteve të rritjes së ekonomisë, por janë riinvestim në një ekonomi që do të rritet ende më shumë. Dhe kjo është përgjegjësia jonë, natyrisht, ashtu sikundër, ne duhet të bëjmë një sforco maksimale që të shkojmë dhe përtej këtyre investimeve, duke parë më shumë aty, ku njerëzit jetojnë jetën e tyre të përditshme, në lagjet periferike dhe në zonat rurale, ku potenciali i rritjes ekonomike është ende i paeksploruar, ashtu si duhet.

Ne nuk shpenzojmë të nesërmen për të shtyrë të sotmen, por as nuk mund t'ju themi njerëzve që të presin pafundësisht të nesërmen që të ndjejnë përfitimet e zhvillimit të sotëm. Dhe kjo është filozofia e këtij buxheti të ri.

Të rrisim ekonominë për të rritur mirëqenien, të forcojmë financat publike për të lehtësuar barrën e familjeve, të krijojmë më shumë pasuri për të pasur më shumë mundësi ta shpërndajmë atë më drejt. Sepse këtu nuk flasim për garë statistikash. Ne kemi fituar me kohë çdo garë statistikash me këta të lodhurit këtu, por flasim për një pensionist që merr më shumë çdo muaj në këtë buxhet.

Flasim për një familje që paguan më pak për ushqimet bazë në këtë buxhet. Flasim për një profesionist që mban më shumë për vete dhe familjen nga paga e tij në këtë buxhet. Flasim për një çift të ri që ka një mundësi më shumë për shtëpinë e vet të re në këtë buxhet.

Flasim për një prind që merr mbështetje mujore për fëmijën me aftësi të kufizuar në këtë buxhet. Flasim për një familje të re që merr pesë vjet rresht mbështetje për beben e porsalindur në këtë buxhet. Flasim për studentë që vijnë nga familje në vështirësi dhe që duan të vazhdojnë deri në fund studimet në këtë buxhet.

Dhe nëse sot flasim për kaq shumë njerëz, kjo ndodh sepse ndryshe nga ç'flasin ata që s'dinë çfarë flasin, ndryshe nga ç' thonë ata që s'dinë çfarë thonë, ndryshe nga sa pëllasin dhe ulërasin ata, që bëjnë sikur s'kuptojnë ose nuk kuptojnë dhe kurrë mos kuptofshin, kjo Shqipëri është një Shqipëri tjetër dhe ekonomia shqiptare është më e fortë se asnjëherë tjetër.

Dhe prandaj, ne jemi më optimistë dhe më të bindur se ekonomia shqiptare, nesër do të jetë shumë më e fortë se ekonomia sot, pasi do të bazohet, jo siç e nisëm ne, tek një ekonomi e shkatërruar, por tek një ekonomi që tanimë ka forcën e vet.

Nuk ka diskutim që, dhe pas këtij buxheti do ketë shumë njerëz që do thonë nuk mjafton dhe prandaj ne jemi këtu, sepse edhe për ne nuk mjafton sepse ditën që ne do të na duket dhe do mendojmë se mjafton, ne nuk jemi më të vlefshëm për Shqipërinë dhe ata kanë arsyet e tyre sepse as pensionet nuk janë aty, ku ne duam të jenë. As kostoja e jetesës nuk është sot një problem i zgjidhur, por vetëm i lehtësuar. As strehimi i të rinjve nuk mund të zgjidhet me një buxhet të vetëm. Por ajo që duhet të kuptojnë të gjithë ata është se mundësia për të bërë më shumë nesër varet drejtpërdrejtë nga aftësia jonë sot për të pasur një ekonomi më të fortë.

Dhe kjo është arsyeja pse nuk ka kundërshti midis mbështetjes së sipërmarrjes dhe mbështetjes sociale, midis investimeve dhe pensioneve, midis rritjes ekonomike dhe drejtësisë fiskale. Përkundrazi, pa një ekonomi që rritet, të gjitha janë përralla.

Pa një ekonomi që rritet, të gjitha janë gënjeshtra. Pa një ekonomi që rritet, të gjitha janë lojëra politike në kurriz të njerëzve dhe janë një treg ku ‘’shitësat e qilimave fluturues bubërrojnë’’ me idenë se njerëzit janë budallej dhe të shkojnë mbas iluzioneve. Ne nuk shkojmë pas iluzioneve, ne shkojmë pas një vizioni.

Vizioni i Shqipërisë në Bashkimin Europian sot, jo mbas 10 apo 20 vjetësh dhe një Shqipëri në Bashkimin Europian, ku ka një rishpërndarje më të drejtë, ku rritja ekonomike nuk zgjeron hendekun mes Shqipërisë që ndryshon dhe njerëzve që përjetojnë në jetën e tyre të përditshme, jo të mirat, por pasojat e këtij ndryshimi dhe këtë hendek vetëm ne mund ta ngushtojmë sepse vetëm ne e shohim dhe vetëm ne e dimë se nga vjen. Jo ajo zonja “vjedhje, vjedhje, vjedhje” bashkë me atë që rrinte këtu edhe merr fjalën midis seancave kur sheh në internet se çfarë pantallonash blej.