Gjatë javëve të fundit, protestave të studentëve iu bashkuan edhe dhjetëra pedagogë të universiteteve publike në vend. Por në dëgjesën në Kuvend, drejtuesit e universiteteve nuk folën për protestat.
Ata ishin ftuar të paraqisnin kërkesat e tyre për buxhetin e vitit 2027 dhe u përqendruan kryesisht te pagat. Në dëgjesë munguan kryetari i komisionit, i cili vjen nga radhët e PD-së, dhe anëtarët e tjerë të opozitës.
“Që fondi i pagave të rritet pak, në mënyrë të tillë që të arrihet... domethënë të arrijmë të realizojmë objektivat që edhe qeveria edhe projektbuxheti i paraqitur të arrinte të realizonte”, tha Azeta Tartaraj, zëvendësrektore e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
“Së pari është financimi i qëndrueshëm i universitetit dhe një nga çështjet kryesore lidhet me nivelin aktual të grantit të mësimdhënies dhe aftësinë e tij për të mbuluar nevojat reale të funksionimit të institucionit”, tha Blerta Dragusha, rektore e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
“Edhe vjet ne kemi kërkuar një rritje... të paktën të jetë mbuluar në... e planifikuar në buxhet një rritje prej... për të 12 muajt e vitit. Dhe... jemi të detyruar t’i rikthehemi dhe një herë vëmendjes. Neve për të mbuluar muajt e fundit jemi të detyruar të përdorim të ardhurat dytësore. Nuk e di se si do... si do të konsiderohet dhe si do të merret parasysh kjo, po arsimi tashmë ka nevojë”, tha Erald Bakalli, rektor i Universitetit të Arteve.
Më i ashpër në komision u tregua rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili tha se procedurat burokratike të prokurimit kanë dëmtuar funksionimin e universitetit.
“Pedagogu e do pajisjen në momentin kur ka vendosur të kryejë studimin. Doktoranti e do në ditën dhe cilësinë që ai kërkon të kryejë atë studim.
Pyetja për këtë komision, dhe mua më vjen shumë keq që kjo çështje i është adresuar dhe para një viti, është: si nuk mori kush mundimin ta analizojë këtë proces? Çfarë ndodh me këtë? Ç’është kjo barrë kaq e madhe procedurash? Si mundet që universitetet të trajtohen njësoj në agjencinë apo në të gjitha procedurat e prokurimit si një ndërmarrje ujësjellësi, me gjithë respektin?”, tha Fatbardh Sallaku, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Për vitin 2027, qeveria ka parashikuar 14,2 miliardë lekë për arsimin e lartë dhe 25 milionë euro për kërkimin shkencor.








Komente
Komento