Buxheti i 2014, Kuvendi: Në
datën 28 dhjetor bëhet votimi

Buxheti i 2014, Kuvendi: Në<br />datën 28 dhjetor bëhet votimi
TIRANË - Debate në Kuvend për prokejt-ligjin për "Buxhetin e shtetit 2014" dhe Paketën Fiskale. Partia Demokratike akuzon mazhorancën se me këtë projekt-buxhet po rrënon ekonominë e shqiptarëve. Ata akuzojnë për mungesë transparence dhe rritje taksash për shqiptarët.

Në fund të seancës, është votuar propozimi i deputetit socialist njëkohësisht edhe i kreut të komisionit të Financave në Kuvend, Erjon Braçe, i cili kërkoi shtyerjen me një ditë të datës së miratimit të buxhetit në 28 dhjetor 2013. Propozimi u miratua me 74 vota pro dhe 48 kundër.

Nga ana e tij kreu i grupit PS-së Gramoz Ruçi thotë se mazhoranca është  gati të shtojmë edhe 48 orë por buxheti të miratohet brenda kalendarit, që kufiri maksimal është data 31 dhjetor.

Parlamenti i Shqipërisë që nga ora 17: 00 dhe ka vazhduar deri në orën 18:20 diskutimet në lidhje me procedurat për diskutimin e projekt-buxhetit dhe paketës fiskale. Në fillim të seancës, gjatë fjalës e tij, kreu i Kuvendi, Ilir Meta ka deklaruar se, janë disa deputetë që kanë bërë amendime në lidhje me buxhetin e Shqipërisë për vitin 2014.

SEANCA MINUTE PAS MINUTE

ORA 18: 14 BERISHA: VOTA IME KUNDËR PASI KY ËSHTË BUXHETI I KATASTROFËS

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka kërkuar që të shpjegojë votën e tij kundër amendametit të fundit, që i jepte kohë Kuvendit për të diskutuar këtë buxhet.
“Votova kundër sepse konstatoj se ky është buxheti i frikës dhe tmerrit të kësaj qeverie. Panik të madh, frikë të plotë, qeveria Rama-Meta, përpiqet që ta kalojë me shpejtësisë.

Ky buxhet është i vdekur pa lindur fare. Ky buxhet është i rrokullisjes së ekonomisë, e prandaj kanë përjashtuar, komisionet, grupet e interesit dhe qytetarët. Prandaj sjellin këtu buxhetin e katastrofës. Ky buxhet nuk shpreh asnjë nga pretendimet e bëra në fushë nga Edvin Rama. Prandaj e tërhoqa votën time, sepse nuk ja vlen fare”, tha gjatë fjalës së tij, ish-kreu i qeverisë, Sali Berisha.

ORA 18:00 VOKSHI: KY BUXHET NJË MINË ME SAHAT
“Sa kohë do ju duhet juve që të vini në Kuvend dhe të mos akuzoni opozitën se, për shkak të saj kanë ardhur vonesat. Të nderuar qytetarë shqiptarë, ky buxhet është një minë me sahat. Qytetarët do të paguajnë shumë më shumë në 2014 dhe në vitet që vijnë”, deklaroi gjatë fjalës së saj, deputetja demokrate, Albana Vokshi e cila kishte bërë një amendament në lidhje me buxhetin.

ORA 17:40 TOPALLI: KY ËSHTË BUXHETI I KATASTROFËS EKONOMIKE
“Borxhi i shtetit ka qenë në 62 përqind dhe ju do e çoni në 72-74 përqind, dmth më shumë se 12 për qind. Ju po merrni peng të ardhmen e fëmijëve. Ky që keni sjellë në Kuvend është buxheti i katastrofës së ekonomisë”, deklaroi deputetja e PD-së, Jozefina Topalli.

ORA 17:37 BODE: DO MERRNI 1 MILIARDË DOLLARË BORXH
“1 milardë dollarë borxh pa e diskutuar në mënyrë publike. Ky është një buxhet i veçantë pasi prej 13-14 vjetësh nuk ka ardhur kurrë një buxhet me rritje taksash. Ky është i pari buxhet që vjen të miratohet në parlament dhe t’ju thotë shqiptarëve që vetëm brenda 1 viti do marrim 1 miliardë dollarë borxh. Është i vetmi buxhet që në moment rritje taksash nuk konsultohet me biznesin. Buxheti i shtetit nuk është arka e hajdutëve por e shqiptarëve”, deklaroi Bode.

ORA 17:30 BERISHA: U HOQËT SHPËRBLIMIN PUNONJËSVE TË ADMINISTRATËS
Duke marrë fjalën pas Ruçi, ish-kryeministri Berisha tha se “parafolësi diskutoi për buxhetin e vitit 2009, kur nuk ishte në Shqipëri, e jo më në Kuvend, pasi qëndronte jashtë me urdhër. Ky buxheti juaj rrit borxhin katër herë më shumë se sa e kemi rritur ne për katër vite”.

“Ne lamë në arkën për ndihmë ekonomike dhe të paraplegjike 40 milionë dollarë. Ju ua pretë shpërblimin punonjësve të administratës. Këta e kanë në ligj shpërblimin. Ju shtrini duart mbi xhepat e sanitarëve, punonjësve të ulët të lartë të administratës dhe u hiqni vitin e ri administratës. Sajoni luftëra të brendshme. Nasip ajo është një betejë që Fatmir Xhafa bën ndaj teje”, deklaroi Berisha.

ORA 17:20 RUÇI: BUXHETI DO MIRATOHET BRENDA DATËS 31 DHJETOR
“Është i drejtë pretendimi i opozitës që sivjet buxheti është i vonuar, por opozita e sotme nuk ka të drejtë në anën tjetër për arsyet objektive të vonesës dhe paraqitjes së buxhetit të 2014. Mos bëni sikur nuk e dini situatën ekonomike, nuk e sollëm ne, por e gjetëm midis jush. Krizës, situatën ekonomike, borxhet, rrogat e padhëna të paraplegjikë etj. Ka qenë kjo situatë dhe përgjegjësia politike e qeverisë së re, që të gjejë rrugët e zgjidhjes. Më e rëndësishme është kjo se sa disa data, më shpejt apo më vonë. E përzutë FMN në 1996 dhe dihet se ca ndodhi në Shqipëri. E përzutë në vitin 2007 dhe ja fundi. Ne e thirrëm pasi këto që themi nuk janë tona, nuk i themi ne, por një organizëm ndërkombëtar. Ja ku jemi, në një buxhet.

Të diskutojmë natë e ditë që të votojmë buxhetin tonë. Jemi të hapur  të dëgjojmë çdo lloj propozimi tuaj. Por jo të kundërshtoni me amendimet tuaja, që të hamë gjelin e vitit të ri, e më pas të diskutojmë. Jemi gati të shtojmë edhe 48 orë por buxheti të miratohet brenda kalendarit, që kufiri maksimal është dala 31 dhjetor”, tha gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi.
 
ORA 17:17 PALOKA: PRISNI QYTETARË, SE NUK KENI PARË ASGJË AKOMA
“Nuk i lë njeriu të reagojë për buxhetin për paratë që çdo qytetarë do paguajë nga xhepi i tij. Janë lënë vetëm 2 ditë kohë për 8 projekt-ligje. Vetëm për një projekt-ligj të tahometrave opozita e atëhershme mazhoranca e sotme e mbajti 2 javë. Gjatë vitit 2014 nuk do të ketë asnjë rritje pensionesh. Ne nuk pranuam kalendarin që na u propozua sepse duhet tu jepet kohë qytetarëve që të flasin për këtë. Prisni të dashur qytetarë, ju që e votuar qeverinë, sepse nuk keni parë asgjë akoma”, tha gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

ORA 17:10 BERISHA: KY ËSHTË BUXHETI KLANDESIN
“Ky është një buxhet klandestin dhe është bërë pa asnjë konsulltë. Të gjithë ministrat janë kthyer në megafonë të pushtetit. Dëgjova një nga ministrat sot që thoshte se 97 %  e shqiptarëve u ulen taksat. Përfitojnë vetëm 70 mijë shqiptarë dhe penalizohet 100 % çdo shqiptar. Qeveria Rama-Meta po funksionon si institucion mashtrimesh. Taksat për të ardhura personale për punonjësit i kemi hequr ne, me këto doni të mashtroni ju. A nuk kanë të drejtë shqiptarët të diskutojnë një jave për buxhetin e dytë të tyre. Ju po e çoni vendin drejt destabilizimit, që do ju kushtojë shumë shtrenjtë. Nuk është kjo vota që ju ka dhënë populli”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.
 
Në lidhje me këtë diskutim ka reaguar edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i cili tha se, buxheti do të diskutohet me të gjithë. “Ne duhet ti respektojmë, pasi do i diskutojmë në parim të gjitha dhe do i diskutojmë edhe me grupet e interesit”, deklaroi Meta.

ORA 17:03 PROCEDURAT, DEBATE TOPALLI-META
Sipas tij, kreu i komisionit të Financave në Kuvend, Erjon Braçe ka kërkuar edhe për shtyrjen me një ditë të diskutimeve për buxhetin e ri, deri në datën 28 dhjetor 2013.
 
Ndërkaq, deputetja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka akuzuar kreun e Kuvendit, Ilir Meta se, të gjitha procedurat e kuvendit janë kundër rregullores. Sipas saj, është duke u vepruar në mënyrë për të fshehur draftin e buxhetit.
 
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Ky i fundit tha se, është zbatuar vetëm rregullorja dhe veprimet në lidhje me diskutimin e buxhetit të vitit 2014, janë bërë konform të gjitha rregullave të rregullores së Kuvendit. “Nuk kemi asnjë shkelje të Rregullores së Kuvendit, po të kemi parasysh që diskutohet për projekt-ligjet financiare të vendit”.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit