Fondet e parashikuara për 2026-ën, nuk janë të mjaftueshme për Autoritetin e Dosjeve që të realizojë të pajktën dy objektiva të rëndëishëm: digjitalizimin e fondit të plotë arkivor, si dhe krijimin e një baze të vetme të dhënash, që të jetë publike dhe e aksesueshme. Kërkesat janë bërë publike ditën e sotme në Kuvend, ku është disktuar për Projektbuxhetin e vitit 2026.
Po për teknologjinë, Sula konsideron të rëndësishme përdorimin e saj për të përfshirë të rinjtë në programin mësimor për të kaluarën komuniste.
“Është investim shumë i rëndësishëm, platformë elektronike me burime të hapura, që të punojmë me mësuesit, por forma e qasjes moderne e teknologjike. Kemi marrë modelet më të mira evropiane. E gjitha është 12. 6 milion lekë dhe do të ketë vlerë të madhe për edukimin qytetar në shkolla dhe përmirësim të punës sonë.”, tha Gentiana Sula, drejtuese e Autoritetit të Dosjeve.
Në hall për digjitalizimin e arkivës së vet historike, është dhe RTSH, së cilës do t’i duheshin 200 milion lekë. Kjo arkivë përfshin materiale të rëndësishme që nga viti 1969, ndërkohë që sot kryhet vetëm digjitalizimi i pjesshëm i arkivës, ajo e pas viteve ’90-të.
“Koha i dëmton arkivat dhe kërkon kosto ruajtja dhe restaurimi. Mund të digjitalizohet vetëm arkiva pas viteve ’90-të e jo më parë, për shkak të aparturës sot në RTSH, që e quajmë Beta. Sa i takon versioneve të tjera, film 18 mm, 16 mm, etj. janë në rrezik degradimi. Shuma që kërkojmë është për fazën e parë dhe ka të bëjë me konservimin fizik para se të fillojmë digjitalizimin e arkivës nga 1969-1990. Digjitalizimi i filmit është akoma i mundshëm, ndërsa për ‘apex’ dhe ‘bosch’ është e vështirë, sepse aparatura është në zhdukje dhe dy-tre vitet e ardhshme nuk do gjenden në treg.”, tha Eni Vasili, drejtuese e RTSH-së.
Transmetimi i ndeshjeve të futbollit të Kombëtares në platformat private ishte një shqetësim i ngritur nga deputetët. Drejtuesit e RTSH-së thanë se po punohet për rikthimin e të drejtave të transmetimit të tyre, në televizionin publik.
Komente










