Erifili Bezhani, ishte vetëm 37 vjeçare kur iu vendosën prangat e regjimit komunist në vitin 1947, si pjesë e procesit që u regjistrua në histori si ‘grupi i deputetëve’, kur u dënua elita e politikës dhe intelektualëve të kohës.
Bezhani, njihet si një prej avokateve më të para shqiptare, e shkolluar në një prej universiteteve më të mira të Francës.
Historia e jetës së saj dhe përballja me komunizmin u rikujtua këtë të premte, në aktivitetin e Autoritetit të Dosjeve me temë “Mbrojtja në pranga: Përkujtimi i avokatëve dhe shtypja e drejtësisë (1944–1966)”. Dokumente arkivore, fotografi dhe dosje të ish-Sigurimit të Shtetit rikthejnë historinë e avokatëve që u përndoqën nga regjimi komunist.
“Erifili Bezhani është grua. Ajo në vitin ‘47 futet në grupin e Musine Kokalarit... Por përtej fatit të saj kemi parë një histori më të madhe. Nga 130 avokatë që kemi identifikuar, 30 janë dënuar me burg.”, tha drejtuesja e AIDSSH-së, Gentiana Sula.
“Liria që gëzojmë sot është paguar me çmimin më të lartë nga avokatë si Erifili Bezhani. Nuk ka dhe nuk mund të ketë drejtësi pa një mbrojtje të fortë, të lirë dhe të pavarur.”, tha Ulsi Manja, kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore.
“Erifili Bezhani, avokatja e parë shqiptare e diplomuar për drejtësi në Francë, u dënua bashkë me grupin e deputetëve... Regjimi nuk i ndëshkoi këta njerëz pavarësisht se ishin avokatë, por pikërisht sepse ishin avokatë.”, tha Avokati i Popullit, Endri Shabani.
Përmes historisë së Erifili Bezhanit, e cila u dënua me 20 vite burg nga komunizmi dhe u nda nga jeta vetëm 49-vjeçare, u tregua edhe përndjekja e qindra avokatëve të tjerë. Ekspozita sjell në vëmendje koston që pati zhdukja e mbrojtjes së pavarur ligjore.
“Në një vend ku avokatët dikur u vunë në pranga sepse guxuan të mbronin, sot shteti shqiptar merr përsipër të mbrojë të drejtën e tyre për të mbrojtur.”, tha zv.ministrja e drejtësisë. Elona Hoxha.
Përfaqësues të institucioneve theksuan se kujtesa për këta profesionistë nuk është vetëm një homazh për të shkuarën, por një kujtesë për rëndësinë e pavarësisë së avokatit dhe të drejtës së mbrojtjes në një shtet demokratik. Ekspozita sjell përmes dokumenteve arkivore historitë e atyre që mbrojtën ligjin edhe kur vetë u bënë viktima të sistemit.
Komente









