TIRANE- Asnjë prej projekteve të mëdha rrugore nuk do të përfundojë as në vitin 2016 për shkak të pamjaftueshmërisë së fondeve. Në dispozicion të Ministrisë së Transporteve për vitin 2016 janë vënë 12.5 miliardë lekë, afërsisht 100 milionë dollarë të cilat do të përdoren për përfundimin e infrastrukturës apo mirambajtjen e rreth 40 segmenteve.

Ndërkohë që vetë ky dikaster ka bërë me dije se nevojiten 1.2 miliardë euro për një sistem rrugor të niveleve të duhura. Vetë Qeveria pranon në projektbuxhetin 2016 se prioritet do të jenë: Rritja dhe përmirësimi i sistemit të mirëmbajtjes së rrjetit rrugor kombëtar; rritjen e sigurisë së qarkullimit rrugor, duke synuar arritjen e standardeve evropiane dhe uljen e aksidenteve rrugorë; Shtrirja më tej të procesit të dhënies me koncesion të mirëmbajtjes rrugore (pritet që të fillojë dhënia me koncesion e shërbimit të mirëmbajtjes së autostradës Milot-Rrëshen-Morinë, me gjatësi 115 km); dhe vënia në eficiencë të rrugëve që lidhen me zonat turistike të vendit.