Maxhoranca e Këshillit bashkiak të Tiranës (PS- LSI) ktheu mbrapsht pr/buxhetin e kryetarit të bashkisë Lulzim Basha për Kryeqytetin, duke e cilësuar jo transparent por dhe duke e akuzuar për zhdukje fondesh si dhe mos përmbushje të shumë detyrimeve nga ana e saj.
Shtyrja e miratimit të projekt buxhetit në parim është kundërshtuar nga nënkryetari i bashkisë Enno Bozdo dhe këshilltarët e djathtë të këshillit.
DISKUTOHET BUXHETI , POR BASHA S'MERR PJESE
Mbledhja, fillimisht nisi paraditen e sotme dhe më pas u rimblodh pasdite rreth orës 18:00 për të vazhduar për 4 orë të tjera.
Megjithëse ishte dita më e rëndësishme për qytetarët e Tiranës, kryebashkiaku Lulzim Basha nuk ka qenë prezent as në mbledhjen e paradites dhe as në atë të pasdites së sotme, (e premte,28 dhjetor 2013).
Ka qenë kjo arsyeja që kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Aldrin Dalipi kërkoi dorëheqjen e tij. Vendin e Bashës e zuri nënkryetari i bashkisë, Enno Bozdo.
"Kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të jetë këtu. Nëse gjen kohë për konferenca shtypi, duhet të gjejë kohë një herë në vit të vijë këtu dhe të flasë përpara qytetarëve. Kur anashkalohet ky këshill unë gjykoj që është një shprehje e mospërfilljes, shprehje e asaj që deri diku po vuan Tirana. Futjes së politikës së madhe në atë çka ky qytet pret në të sotmen dhe të nesërmen e vet. Tirana është një kryeqytet pa kryetar. Braktisja e tij është joserioze. Nëse nuk është i aftë le të vijë të japë dorëheqjen.”- u shpreh Dalipi.
"Nuk ka treguar minimumim e dinjitetit të ishte sot në këtë sallë. Tirana është pa kryetar bashkie", u mbështet edhe nga anëtari i Këshillit Bashkiak, Florian Pullazi. Ai shtoi se "Basha duhet o t’i shërbejë PD, ose bashkisë së Tiranës"."Para dy vjetësh tha se qytetarët janë të parët, ndërkohë që qytetarët jo më që s’janë të parët, por ndihen të mashtruar. Edhe në këtë buxhet vijnë vetëm shifra, vetëm projekte, ndërkohë qe ne kemi pa realizuar projektet e investimeve të vitit të mëparshëm", tha Pullazi.
JO TRANSPARENCE, KU SHKUAN FONDET?
Maxhoranca e këshillit bashkiak ka ngritur akuza ndaj bashkisë për mos transparecë dhe mos përmbushje të shumë detyrimeve. Po kështu është kërkuar të dihet se sa është niveli borxhit të krijuar në Bashkinë e Tiranës, për largimet nga puna, projektet e papërfunduara apo fondet për sport klub Tirana
BASHKIA DESHTOI
Pullazi thotë se bashkia ka dështuar totalisht në realizimin e afateve dhe planeve para Këshillit Bashkiak që i dha votën.
"Shumë nga projektet që solli para një viti jo vetëm që s’janë realizuar, por janë gjysmakë. Si për shembull, kopshti nr.40 s’ka përfunduar, afati ishte të përfundonte brenda 8 muajve. Rruga Josif Pashko është shtruar vetëm 300 metra. Rruga "Petro Nini Luarasi", që duhej të ishte mbaruar, dhe aty s’ka përfunduar asgjë. Priten fonde nga 2014.
Po ku kanë shkuar këto fonde, që janë dhënë për të mbaruar këto rrugë, duke nisur nga çerdhet e duke mbaruar te shkollat?!”, pyeti i çuditur Pullazi.
“Një nga kolegët tha se po të vihej kryetar Bozdo do bëheshin”, shtoi më tej Pullazi.
KLUBI I FUTBOLLIT "TIRANA"
Në Këshill është diskutuar edhe fati i klubit të futbollit "Tirana", ku 140 sportisë kanë mbetur pa paguar. Pullazi kujtoi se "për klubin e futbollit të Tiranës ishte 80 milion fondi. Janë shpenzuar dhe nuk dihet ku kanë shkuar fondet'.
Ai ka quajtur përgjegjësi direkte të kryetarit të bashkisë, "mashtroi para tifozëve për fushatë elektorale". Ndërsa këshilltarë të djathtë kanë shpjeguar se "shkuam në derexhe sepse duheshin 80 milionë lekë në muaj për të paguar klubin, shifër ekstremisht e ekzagjeruar. Të marrin 3-4 lojtarë jo kushedi çfarë 20 milionë në muaj është krim. Futbollistët cilësorë janë larguar se nuk ishte në gjendje t’i paguante", u shpreh një prej këshilltarëve të djathtë. Ai ka akuzuar edhe Akademinë e Futbollit, e cila ka njerëz të paaftë dhe bordi qe i pazoti për t’iu kundërvënë këtyre njerëzve duke u konfliktuar edhe fizikisht.
"Buxheti i 2013 nuk ka realizuar planin e të ardhurave. Është mbledhur vetëm 44% e taksës së biznesit të vogël. Vetëm 67,2% taksa mbi ndërtesat, ndaj nuk ka para për sportin", shtoi Arjana Berberi, këshilltare e PS. Ajo shtoi se ishte mashtrim buxheti i 2013 dhe i 2014 dhe mungon transparenca, se pse janë shtyrë projekte në letër.
"Nëse janë arsye teknike le të na thonë dhe do ta mbështesim bashkinë, por s'na është thënë. Kemi bërë dhe kërkesa me shkrim dhe asnjë përgjigje. Për çfarë transparencë flisni!!!". "Bashkia ka të tjera emergjenca e jo tramin, që i ka lënë pasdore", do shtonte këshilltari i majtë Eridian Salianji.
BOYDO: PO SHLYEJME BORXHET E RAMES
"Janë 84 projekte të kryera në Bashkinë e Tiranës. Borxhet janë shlyer 70%. Të ardhurat janë mbi 63% të mbledhura nga rreth 50% në vitet 2011, kur bashkine e drejtonte Edi Rama. Deri tani bashkia ka pasur 800 mijë dollarë borxhë nga të cilat , i ka likuiduar 720 milionë dhe për 2014 do likudojë edhe 56 milionë", u kundërpërgjigj Bozdo.
LARGIMET NGA PUNA
Këshilltarët socialistë kanë akuzuar bashkinë e Tiranës për shpërdorim detyre mungesën e transparencës për borxhet që bashkia ka për shkak të largimit të qindra punonjësve për shkaqe politike nga administrata.
"Ka një shifër që s’tregon asgjë. T’i jepej dritë këtij buxheti me dy propozim: së pari bashkia borxhet e saj t’i bëjë zero, të marrë shembull nga qeveria, e jo kamatë që u vijnë qytetarëve", u shpreh Pullazi.
"Ke gënjyer qytetarët paradite dhe vijon kur thua: Po 300 milionë lekë ne do t’i marrim nga kazinotë. Kjo përgjigje i lejohet një spikeri, jo nënkryetarit. Vendimin e datës 1.10.2013 e bën të pavlefshëm gjykata dhe gjyqi ka mbaruar me formë të prerë. Duke thënë se të ardhurat do t’i marrim kur të mbarojë gjyqi në apel", shtoi më tej Pullazi.
Ndërsa nënkryetari Enno Bozdo u përgjigj se "po e ndjekim çështjen në Gjykatën e Lartë, që vendos pas Apelit". Bozdo ka bërë të ditur borxhin 80 milionë dollarë që gjetëm në vitin 2011 ndaj të tretëve; punë të papaguara. "Edhe sot ndeshemi me vendime gjyqësore që s’kemi pasur dijeni për shpronësime të parregullta. Rruspa pastronte të dyja anët e rrugëve pa dokument, pa folur me komunitetin", deklaroi Bozdo.
BUXHETI 2014 PER TIRANEN 8.65 MILIARDE LEKE
Duke prezantuar projektbuxhetin e Bashkisë për vitin 2014, nënkryetari i këtij institucioni Eno Bozdo, tha se për vitin që vjen buxheti parashikohet në 8 miliardë e 645 milionë lekë, me një rritje prej 5% krahasur me vitin 2013. Ndërkaq të ardhurat pashikohen në 7.5 miliadë lekë, rreth 4% më shumë se vitin që po mbyllim. Bozdo tha se shpenzimet e Bashkisë për vitiin 2014, parashikohen në rreth 8.6 miliardë lekë.
"Dokumenti i sotëm është ka vijimësi logjike, programore dhe financiare. Ai hyn plotësisht në kuadrin e dokumentit të planifikimit buxhetor afat-mesëm 2014-2016, duke respektuar tavanet buxhetore, vijimësi e PBA 2013-2015. Veçanërisht ky i fundit është i rëndësishëm sepse përfaqëson një planifikim tre vjeçar koherent, i zbatuar për herë të parë në Bashkinë e Tiranës, me vizionin e ofrimit të zgjidhjeve tërësore dhe jo ad hoc, duke shënuar kështu një rritje cilësore shumë të madhe në mirëmenaxhimin financiar dhe vendosjen e objektivave të integruara për qytetarët e Tiranës", theksoi Bozdo.
Bozdo: Ja projekt-buxheti i Bashkisë së Tiranës 2014-2016
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)