Rekordin negativ e mbajnë tatimfitimi i ndërmarrjeve dhe shpenzimet kapitale, siç quhen ndryshe investimet. Si njeri, ashtu edhe tjetri zë kanë shënuar nivele 17 për qind më të ulta se në të njejtën periudhë të një viti më parë.
Në të njejtën kohë, interesat e borxhit publik, që duhet të paguhen për kreditë e marra, janë rritur 4 për qind, krahasuar me një vit më parë, duke rritur koston e këtij borxhi.
Kjo bie ndesh me deklarimet publike të kryeministrit se kreditë janë marrë për investime dhe jo për paga e shpenzime operative. Në fakt, shpenzimet korrente të qeverisë janë rritur në tetë muajt e vitit 3.4 për qind më shumë se vjet. Këtu përfshihen pagat e administratës, shpenzimet për mirëmbajtjen, etj.
Në tetë muajt e parë të vitit plani fillestar i të ardhurave në buxhet rezulton deficitar për mbi 12.1 miliardë lekë ose 121 milionë dollarë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë peridhës janar-gusht, qeveria ka mbledhur në buxhet rreth 218.8 miliardë lekë, nga 230.9 miliardë që ishte parashikuar.
Shifrat tregojnë se ky mosrealizim vjen në pjesën dërrmuese nga të ardhurat tatimore, defiçiti i të cilave për këtë periudhë është 10.8 miliardë lekë. Në rënie vjetore me përkatësisht 6% dhe 2% janë të ardhurat nga akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale.
Ajo që po vazhdon të shpëtojë buxhetin e shtetit është shtimi i ndjeshëm i të ardhurave nga zëri "Taksa nacionale dhe të tjera" që është zgjeruar me rreth 50%, apo 6.5 miliardë lekë, duke amortizuar në këtë mënyrë efektin negativ të pikiatës së tatimfitimit. Një pjesë e konsiderueshme e rritjes së të ardhurave nga ky zë vjen nga gjobat, për shtimin e të cilave u ankua dhe biznesi pak ditë më parë.
Në tetë muajt e parë të vitit ministria e Financave ka ezauruar të gjithë kuotën vjetore të huamarrjes brenda vendit. Gjatë periudhës janar-gusht, qeveria ka marrë në tregun e brendshëm nga bankat dhe individët 18.45 miliardë lekë borxh, që përbën 99.67 për qind të gjithë planit vjetor.
Në këto kushte, kur shpresat për huamarrje jashtë vendit janë shumë të kufizuara, ekziston rreziku që qeveria të shtyjë më tej pagesat për kompanitë që kryejnë punë publike, të cilat ankohen prej kohësh për një praktikë të tillë.
Në rast se vijojnë të vinë këto të ardhura në buxhet, e vetmja rrugë shpëtimi është arkëtimi i parave nga shitja e Albpetrolit. Në të kundërt, ndryshimi i ligjit të buxhetit të shtetit është i pashmangshëm dhe kjo, jo në rritje, por në ulje të shifrave. Shpresat e qeverisë janë që të arkëtohet oferta e madhe e paraqitur, prej 850 milionë eurosh, çka do të jepte dorë jo vetëm për buxhetin aktual, por edhe për qëllimet elektorale për vitin e ardhshëm.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)