Arsyeja pse jemi mes kutive të votimit edhe kur nuk kemi një proces zgjedhor, është sepse KQZ është duke kontrolluar nëse ka pasur hajdutë votash gjatë numërimit më 11 maj. KQZ ka hapur me short 5 % të kutive, 210 në total. Kontrolli i kryer deri më tani, në ditën e katërt, ka përfshirë kutitë brenda vendit, dhe kur KQZ ka bërë gjysmën e punës, nuk ka shenja të vjedhjes së votave.
Numëruesit politikë i kanë ruajtur me besnikëri votat për partitë, dhe numrat për gati 100 kuti të hapura, janë 9-11 vota diferencë, e dhënë kjo e papërfillshme që konsiderohet gabim njerëzor.
Gjithsesi, siç provoi hapja e kutive në korrik për Fierin dhe Tiranën, në një rinumërim të kërkuar nga opozita, komisionerët kishin abuzuar tek votat e kandidatëve në listën e hapur, ku brenda të njëjtës parti votat ishin tjetërsuar si pasojë e luftës së brendshme për të fituar mandatin.
Kur KQZ të rinumërojë edhe votat preferencialë të listës së hapur, atëherë do të kemi një panoramë më të plotë, nëse kandidatët kanë luftuar njëri-tjetrin edhe në zonat e tjera të Shqipërisë duke nxitur numëruesit të abuzojnë.
Javën tjetër, në përfundim të këtij procesi, Komisioneri Ilirjan Celibashi do të bëjë një vlerësim nëse ka grupe numërimi që dyshohet të kenë tjetërsuar rezultatin me qëllim. Nëse do të ketë të tillë, ata do të referohen pranë prokurorive përkatëse. Pjesë e kësaj dosjeje do të jenë edhe numëruesit e Fierit, të cilët u zbuluan gjatë rinumërimit të votave në verë, se kishin kryer zhvendosje masive votash në favor të një kandidati të PS-së dhe një kandidateje të PD-së.
Komente












