Buxheti për vitin 2015, Mustafa:
'Rritje ekonomike me të paktën 4%'

Buxheti për vitin 2015, Mustafa:<br />'Rritje ekonomike me të paktën 4%'
PRISHTINE - Në seancën e sotme parlamentare, Kuvendi i Kosovës shqyrtoi në parim projektligjin për buxhetin e e vitit 2015. Në nisje të seancës parlamentare Kuvendi miratoi me 95 vota pro, një kundër dhe asnjë abstenim që shqyrtimi i parë i projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Në fjalën e tij kryeministri Isa Mustafa theksoi se në buxhetin e vitit të ardhshëm është parashikuar një rritje ekonomike, me të paktën 4%. Në prezantimin e tij për planifikimin buxhetor, Mustafa premtoi se qeveria do të jetë e angazhuarn ë krijimin e një ambienti të favorshëm për biznesin privat.

Mustafa tha se pritet që investimet nga jashtë të rriten me 8.6% si dhe rritje të mëtejshme të eksporteve. Kryeministri Mustafa tha se edhe konsumi do të ketë rritje prej 4%.

"Në projektligjin e buxhetit të vitit 2015, rritja ekonomike, në vitin që po hyjmë, do të jetë 4% apo edhe më e madhe. Sektori privat është normale të pret që qeveria të krijojë ambient të favorshëm për biznes, dhe ne do të punojmë në këtë drejtim. Presim që investimet nga jashtë të rriten 8.6%. Rritje është parashikuar edhe për eksportet.
Konsumi do të ketë rritje prej 4%, ndërsa konsumi privat edhe më shumë." u shpreh Mustafa

Sa i përket inflacionit, Mustafa tha se nuk ka mundësi të kontrollit të çmimeve për shkak se Kosova nuk ka valutë të saj. Sipas tij, në tre vitet në vijim, inflacioni do të sillet rreth 1%.

Ndër të tjera shefi i qeverisë së Kosovës, nënvizoi se janë parashikuar që për vitin 2015 të ardhurat të kapin shifrën e 1.5 miliardë eurove ndërsa shtoi se nuk do të rriten taksat, por do luftohet ekonomia informale.

"Lidhur me inflacionin,  nuk ka mundësi të kontrollit të çmimeve për shkak se Kosova nuk ka valutë të saj. Në tre vitet në vijim, besojmë se inflacioni do të sillet rreth 1%. Janë 1.5 miliardë të planifikuara të jenë të ardhurat në vitin 2015, dhe se nuk do të rriten tatimet, por do luftohet ekonomia joformale dhe përmes fushave të tjera." tha Mustafa

Hoti: Rritje e vogël çmimesh, por nuk ndikon në shportën familjare
Ndërsa Ministri i Financave Abdullah Hoti tha se do të ketë rritje çmimesh me një përqindje shumë të vogël, por që sipas tij, nuk do të ndikojnë shumë në shportën familjare. Sipas Hotit do të rriten të ardhurat e buxhetit, por edhe shpenzimet. Sipas tij “470 milionë euro do të jenë shpenzimet kapitale”.

Lidhje me rritjen e buxhetit në disa institucione, ai tha se atë do ta kenë Ministria e Punëve të Brendshme, ajo e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Këshilli Gjyqësor dhe Prokuroria e Shtetit.

Hoti tha se do të vazhdojë emetimi i letrave me vlerë, por që sipas tij, do e bëjnë me shumë kujdes që mos t’i lënë borxhe gjeneratave të ardhshme. Në përfundim Hoti ftoi deputetët që ta votojnë buxhetin e vendit.

Projektbuxheti i propozuar në Kuvend është i njëjti me atë që është miratuar në 31 tetor nga qeveria e kaluar. Bazuar në vlerësimet makrofiskale, për vitin 2015 janë parashikuar 1 miliard e 576 milionë euro të ardhura, pjesa më e madhe e të cilave do të vijnë nga doganat.

Kufiri i shpenzimeve është 1 miliard e 682 milionë euro, me rritje prej 67 milionë euro vetëm për paga, e cila reflekton rritjen që ka ndodhur në vitin 2014.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Itali, kapen 11.5 kg kokainë në port, në pranga një shqiptar dhe një italian

Itali, kapen 11.5 kg kokainë në port, në pranga një shqiptar dhe një italian