Buxheti-Presidenca më pak fonde në 2015, Nishani letër Metës

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i është drejtuar sot me një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kreut të grupit të PD-së, Edi Paloka, si dhe kreut të grupit të LSI-së, Petrit Vasili, ku i shpreh shqetësimin për fondet që qeveria i ka akorduar këtij institucioni në pr/buxhetin e vitit 2015.
Me anë të kësaj letre, Kreu i shtetit i kërkon Kuvendit që ta vendosë institucionin e Presidentit në parametrat e funksionimit normal dhe të përmbushjes së misionit kushtetues. Fillimisht në letër Nishani shpreh keqardhjen që Institucioni i Presidentit nuk është ftuar në seancat dëgjimore që po zhvillohen nga komisionet e përhershme lidhur me kërkesat specifike që i paraqiten Ministrisë së Financave, gjatë fazës së hartimit të p/buxhetit.
Në pamundësi për t'u dëgjuar, shprehet Nishani, jam i detyruar t'iu paraqes disa problematika që implikojnë veprimtarinë e Institucionit të Presidentit përgjatë vitit 2015, ndërkohë që pr/buxheti po diskutohet në seancë plenare. Për vitin 2014, Institucionit të Presidentit, megjithëse me ulje të theksuar krahasuar me dhjetë vitet e fundit, iu akorduan 183.2 milion lekë në total, ndërkohë që për vitin 2015 janë parashikuar 177 milion lekë,  me një diferencë negative prej rreth 3.4% më pak. Po kështu, për zërin shpenzime të tjera operative në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar ulje e këtij zëri me 8.5%.
Nisur nga natyra specifike e Institucionit për përmbushjen e funksioneve kushtetuese të Presidentit të  Republikës, si në veprimtari brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, dalin vazhdimisht aktivitete shumë të rëndësishme për t'u kryer. Në këto kushte buxheti i Institucionit të Presidentit të Republikës duhet të vendoset në parametrat e funksionimit normal të tij dhe të përmbushjes së misionit kushtetues, citohet letra e Kreut të Shtetit. /ATSh/
 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Nuk ishte parashikuar të vinte', Xavi Hernandez: Braziliani bën polemika të kota