Sejdarasi është shprehur se diskutimet mes ekspertëve të ekonomisë në të dyja palët e politikës, janë shumë të nevojshme por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodh prej vitesh.
“Janë shumë të rëndësishme diskutimet, sidomos ato të ekspertëve në të dyja krahët e politikës. Tani merret vesh se çfarë planifikimi ka bërë qeveria për buxhetin, nëse është bërë me rezerva apo është realist. Më vjen keq se në shumë raste nuk ndodh. Nuk ndodh që buxhetet faktike të diskutohen, këto diskutime janë shumë të vlefshme edhe për qytetarët”, është shprehur Sajdarasi.
Sajdarsi ka folur edhe për sa i përket ndarjes së buxheteve nëpër ministri, ku njëra ka marrë më shumë dhe tjetra më pak nga buxheti.
Sipas asaj që zoti Sajdarasi tha në studion e Report TV, kjo gjë vjen për arsye të bashkimit ose ndarjes së ministrive, gjë e cila ka kërkuar rialokim të fondeve.
“Pikërisht ky rialokim fondesh është baza ku ekspertët fillojnë të llogarisin buxhetin. Buxheti i vitit2018 është hartuar mbi baza të buxhetit afat mesëm”, është shprehur Sajdarasi.
Ndërkohë e pyetur nga gazetarja e Report TV për buxhetin e ministrisë se Bujqësisë, e cila konsiderohet si një ministri kyçe për sa i përket zhvillimit të vendit dhe ka marrë një pjesë shumë të vogël të buxhetit në krahasim me ministrinë e Financave, Sajdarasi është shprehur se ministria e Bujqësisë përveç buxhetit merr edhe fonde të tjera, të cilat janë fonde që vinë nga projekte dhe që janë pjesë e buxhetit dhe jo drejtpërdrejtë.
Sajdarasi në studion e Report TV ka theksuar edhe mungesën e një autoriteti dhe ekspertë ekonomie të pavarur për sa i përket parashikimeve të bëra në projektbuxhete, në mënyrë që të thonë nëse janë të realizueshëm apo jo.
“Ne nuk kemi një autoritet të pavarur jashtë qeverisë për sa i përket parashikimeve të rritjes ekonomike, nuk kemi ekspert të pavarur dhe për këtë është politika ajo që ndikon, Në vendet fqinje ka ekspertë të cilët e bëjnë këtë gjë.
Nevoja për të pasur një grup ekspertësh të cilat të jenë jashtë qeverisë është shumë i nevojshëm, kjo gjë në Shqipëri mungon prej vitesh. Kapacitetet janë , duhen ekspertët për ti treguar qeverisë se kto gjëra janë mirë dhe këto të tjerat duhen ndryshuar”, tha ai.
Për sa i përket projektbuxhetit 2018, Sajdarasi është shprehur se ai është realist dhe tërësisht i plotësueshëm.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

VIDEO








