By Pass Fier e Vlorë, gara për
pjesën e mbetur në shtato

By Pass Fier e Vlorë, gara për<br />pjesën e mbetur në shtato
Pas prishjes së kontratës me kompaninë që do të ndërtonte bypass-in e Vlorës dhe atë të Fierit në muajin prill, duket se qeveria është gati të rihapë tenderat për ndërtimin e këtyre segmenteve.

Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila kishte financuar projektet origjinale, ritenderimi i këtyre kontratave pritet të nisë në tremujorin e tretë të vitit 2017, pra deri në fund të Shtatorit, ndryshe nga sa ishte paralajmëruar se kjo procedurë mund të shtyhej deri në vitin e ardhshëm.

Për punimet e mbetura, qeveria nuk do të kërkojë fonde shtesë nga BERZH, apo Banka Europiane e Investimeve, por do të përdorë pjesën e mbetur të kredive dhe granteve përkatëse.

Kështu, për bypass-in e Fierit (22 km) që lidh segmentin Lushnje-Fier me atë Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, të cilët janë nën ndërtim, qeveria do të përdorë 48.8 milionë euro të mbetura nga kredia 60 milionë euro e BERZH dhe BEI.

Ndërsa për bypass-in e Vlorës, qeveria do të përdorë 48 milionë euro të mbetura nga kredia e BERZH, BEI dhe delegacionit të Komisionit Europian, i cili ka akorduar një grant prej 15.1 milionë eurosh. Ndërtimi prej 29 km do të lidhë fundin e autostradës Fier-Vlorë, duke kaluar nga fshatrat Babicë dhe Kaninë përgjatë vijës së bregdetit, derisa të lidhet me rrugën ekzistuese Orikum-Sarandë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ndërpreu kontratën me kompaninë fituese “Serenissima”, për shkak se kontraktori kishte zvarritur punimet që duhet të kishin mbaruar në 2016 për bypass-in e Fierit dhe këtë vit për atë të Vlorës.
Sakaq, kompania italiane ka krijuar një listë të gjatë me borxhe dhe rezulton debitore me doganat dhe një pjesë të madhe kompanish të nënkontraktuara.
 
Bllokimi
Në prill të këtij viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka anuluar në mënyrë të njëanshme kontratat e lidhur me kompaninë italiane “Serenissima Construzioni”. Këtë e pohoi për Shqiptarja.com drejtori i përgjithshëm i ARRSH, Dashamir Xhika. Sipas tij, institucioni që ai drejton i kishte dërguar një letër shoqërisë në fjalë, duke e njoftuar se e quan të patolerueshme zgjatjen e mëtejshme të afateve të ndërtimit të dy nga veprave serioze infrastrukturore rrugore, tej çdo limiti të parashikuar në kontratat e nënshkruara nga dy palët. Si pasojë, ARRZH e konsideron nga ana e saj të përfunduar marrëdhënien kontraktore.

Ndërkohë, Xhika sqaroi se, duke qenë që projektet po realizoheshin me financim të huaj, konkretisht të dy bankave evropiane: Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), pala shqiptare ka njoftuar njëkohësisht partnerët financues, duke lënë në dorë të tyre fjalën e fundit. Por shpresat për një ‘prapa ktheu’ duket se janë minimale.
 
Situata
Çfarë ka ndodhur? Në kohën kur “Serenissima” ka aplikuar dhe ka fituar tenderat për ndërtimin e by pass-eve të Fierit e të Vlorës, ajo ka qenë një kompani me një CV të pasur në vendin e saj, degë e “A4 Holding”, që menaxhon një nga autostradat më të rrahura në Itali, si dhe pronare e shoqërisë “Brescia-Padova”.

Në të vërtetë, edhe vetë qeveria shqiptare u habit me çmimin çuditërisht të ulët të propozuar nga ajo për të kryer punimet. Por nuk kishte pse të refuzonte. Kështu, ajo fitoi tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e By Pass-it të Fierit, duke nënshkruar kontratën me Autoritetin kompetent Rrugor më 18 mars 2013, gjatë qeverisë Berisha. Dhe, më pas, me qeverinë Rama, në muajin mars 2015 u nënshkrua marrëveshja mes kompanisë “Serenissima Construction International” dhe Autoritetit Kombëtar të Rrugëve edhe për ndërtimin e By pass-it të Vlorës. 
      
Ka qenë ministri i Financave Arben Ahmetaj vjet që, për herë të parë, hodhi hijen e dyshimit për ofertat e ulta, me të cilat kompania kishte fituar tenderat përkatës. Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ai tha se “një nga problematikat kryesore të By Pass-it të Fierit është edhe kostoja e ulët joreale e tenderimit dhe çështja kryesore ka të bëjë me kontraktorët dhe nënkontraktorët. Të dy By Pass-et janë në tryezë për bisedime intensive të qeverisë për zgjidhje”, deklaroi ministri kur u diskutua Akti Normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit.

Në fakt, By Pass-i i Fierit, gjatë projektimit, u vlerësua se do të kushtonte rreth 60 milionë euro, të gjitha të financuara me kredi. Por në tenderin e zhvilluar, kompania italiane “Serenissima” ofroi kryerjen e punimeve për më pak se 40 milionë euro, 20 milionë më pak se sa fondi limit. Një shifër anomalisht e ulët.

Më pas, jo vetëm që punimet u bllokuan, në Fier e Vlorë, por dega e kompanisë sipërmarrëse në Shqipëri, “Serenissima Costruzioni Tirana”, deklaroi bilanc me humbje prej 156 milionë lekësh (më se 1.1 milionë euro) për vitin 2015, pasi pati deklaruar humbje prej 166 milionë lekësh të tjera edhe në vitin 2014.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)