By Pass i Vlorës sigurohen 18
milionë euro nga Banka Europiane

By Pass i Vlorës sigurohen 18<br />milionë euro nga Banka Europiane
TIRANE- Qeveria shqiptare nënshkroi dje kontratën me Bankën Europiane të Investimeve, që siguron financimin për By Pass-in e Vlorës, nyje lidhëse në korridorin Veri-Jug dhe ndër segmentet rrugore më të rëndësishme për Vlorën, e cila, përmes një rruge panoramike, bën devijimin e lëvizjes nga qyteti përtej vijës bregdetare.  

Kontrata me vlerë 18 milionë ëuro u nënshkrua në Sallën e Hartave në kryeministri nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe zv.presidenti i BEI, Dario Scannapieco, në një ceremoni, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministrat e Transportit Edmond Haxhinasto, Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri. Kontrata me BEI-n është pjesë e bashkëfinancimit të projektit, sëbashku me BERZH-in dhe BE-në përmes fondeve IPA, me vlerë totale financimi prej 53 milionë euro.
 
Projekti
Bypass-i i Vlorës përshin një rrugë prej 29,0 km të gjatë, e cila do të klasifikohet, sipas Manualit të Projektimit te Rrugëve në Shqipëri (MPRSH), si një rrugë dytësore njëshe (me dy korsi). Km 0 është vendosur aty ku do të ndërtohet një rrethrrotullim në fund të autostradës Levan – Vlorë. Për 800 m e parë, gjurma do të ndjekë në fillim një luginë të vogël, dhe do të kalojë pranë 20 shtëpive. Në vazhdim për 2,2 km, ajo do të ngjitet mbi një kodër të mbuluar me ullishte. Në majë të kodrës, ajo do të kalojë pranë një shtëpie të vetme, një rezervuari uji dhe një varreze. Deri tek rrethrrotullimi i Babicës së Madhe në km 7+150, projekti do të kalojë përmes një fushe bujqësore.

Në vazhdim, për 350 m gjurma ndjek një rrugë bujqësore me baltë ku janë të vendosura dy shtëpi. Në km 7+500, gjurma fillon me ngjitjen në kodrat e mbuluara me ullishte përgjatë gjithë rrugës deri në kryqëzimin me rrugën ekzistuese në Kaninë në km 10+070. Nga kjo pikë bypass-i ofron pamje spektakolare përgjatë Gjirit të Vlorës. Projekti është i pozicionuar në shpatet poshtë fshatit, duke shmangur qendrën e fshatit. Disa gërmime do të jenë më shumë se 10 m të larta.

Pas Kaninës, rruga fillon të ngjitet përsëri, në male të mbuluara me bimësi të ulët mesdhetare, deri sa arrin majën e tij afër urës së ndodhur në 513 m mbi lartësinë e detit në km 16+000. Duke ecur më poshtë, projekti ndeshet me kullota dhe rrënjë më të reja ulliri.

Projekti do të përshkojë 5 zona me karakter peizazhi: Fushën bregdetare të Vlorës e rrethuar nga kodra të mbuluara me bimësi të dendur, pemishte ulliri dhe zhvillime të fundit urbane; pllajën e sheshtë, të hapur dhe bujqësore të Babicës, ku ngastra të vogla të kultivuara toke janë nënndarë nga kanale drenazhimi; kodrat e Shushicës ku qyteti historik ilir dhe kalaja e Kaninës është e vendosur me pamje nga qyteti dhe gjiri i Vlorës. Më të larta dhe më pak pjellore se kodrat e Shushicës, malet e Gambritit mirëpresin vetëm disa lugina të vogla me bimësi drusore. Fshati historik i Radhimës është i vendosur në këtë njësi peizazhi në një kodër më të ulët, me pamje nga gjiri i Vlorës dhe luginës së Orikumit. Lugina e Dukatit është në vazhdimësinë vizuale të gjirit të Vlorës. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç