Bylykbashi akuza të forta Bashës: Po bën pazar me Ramën, po shet votën për zgjatjen e vettingut, në këmbim të shtimit të disa bashkive! PD e mohon

Bylykbashi akuza të forta Bashës: Po bën pazar me Ramën, po shet votën për zgjatjen e vettingut, në këmbim të shtimit të disa bashkive! PD e mohon

Deputeti I PD-së, Oerd Bylykbashi ka barë akuza të forta ndaj kryedemokratit Lulzim Basha se po bën pazar me Ramën në lidhje me çështjen e zgjatjes së afatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vetingun e gjyqtarëve në këmbim me Reformën Territoriale që duan demokratët. PD kërkon një reformë të re territoriale dhe synon shtimin e numrit të bashkive në vend, ndërsa PS nga ana tjetër kërkon zvogëlim të tyre. Por sipas Bylykbashit, Basha po bënë marrëveshje që të shtojë disa bashki në hartë, ku shpreson se mund të shtojë votat e demokratëve dhe në këmbim do i jap votat e nevojshme qeverisë që i duhen për të shtyrë afatin e vetingut.

Deputeti demokrat thotë se Rama dhe Basha po luajnë si tregti me kuajt, kur në fakt opozita duhet të fokusohet në ndryshimin e një sistemi të ri zgjedhor që të mund t’i garantojë asaj votën e lirë. Bylykbashi është një ‘nga ushtarët’ që Basha humbi, duke i bashkuar Berishës në ‘Foltoren’ e Durrësit dhe akuzat e pazareve Basha-Rama të artikuluara nga Berisha, sot po dalin nga goja e tij.

“Më zgjat afatin e anëtarëve të vetingut, të të shtoj disa bashki ne hartë.” Këtë pazar i ofron Rama PD-së. Si tregti kuajsh. Më jep një kalë, të të jap një mushkë. Anglezët e quajnë “horse trading” apo tregti kuajsh. Kjo është kundër interesave parësorë dhe themelore të opozitës. Reforma më kryesore për opozitën duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës për të vendosur një sistem të ri zgjedhor, sepse ky sistem që miratoi Rama pa konsensusin e opozitës më 30 korrik 2020 është i padrejtë, shkel parimet kushtetuese dhe është toksik për demokracinë”, shkruan Bylykbashi.

Bylykbashi thotë se pas rishikimit të sistemit zgjedhor duhet parë ndarja territoriale, pasi po ‘asfikson’ demokracinë lokale.

“Bashkë me të, duhet rishikuar ndarja territoriale e bashkive. Demokracia lokale po asfiksohet nga reforma e dështuar e 2014, e bërë keq me qëllim për të fituar zgjedhjet ne tavolinë. Pjesëmarrja në zgjedhjet bashkiake të 2019 ku opozita mund të fitonte gjysmën e bashkive, do të rekuperonte mospjesmarjen e opozitës në reformën territoriale. Por ky shans u humb kur u vendos të mos hyj në zgjedhje. Gjithashtu duhet bërë reformë për të bllokuar, ndalur dhe ndëshkuar ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje siç ndodhi më 25 prill 2021. Ky është rreziku më i madh që kanë zgjedhjet, shumë më i madh se bandat, sepse ndërhyrja e një shteti të politizuar në zgjedhje është sistematike, masive dhe kapilare”, tha ai.

Për Bylykbashin pasi të zgjidhet sistemi zgjedhor dhe të garantohet vota e lirë, mund të flitet për ‘rregullimin’ e reformës në drejtësi për zgjatjen e afatit të vetingut. Deputeti demokrat thotë se opozita nuk duhet të pranojë pazaret e Ramës, pasi nuk janë të interes të saj.

“Më pas mund të ndreqim dështimet e “sukseshme” të reformës në drejtësi. Sigurisht, dështimet nuk mund të lihen pa ndrequr sepse vuajnë shqiptarët që nuk po marrin më asnjë lloj drejtësie. Por vota e lirë dhe e drejtë qëndron më lartë se vettingu sepse aty qëndron sovraniteti i popullit. Sigurisht të gjitha këto duhen dhe mund të bëhen njëkohësisht që mazhoranca të mos luajë me “teorinë e sallamit” duke marrë nga një fetë e nga një fetë. Do të ishte naivitet i pafalshëm. Prandaj 94 votat për ndryshimin e Kushtetutës janë e vetmja garanci për opozitën. Nuk mund ta lëshojë. PD mund të japë votat e saj vetëm nëse sigurohen reformat e mësipërme që garantojnë votën e shqiptarëve. Përndryshe do të përsëriten reforma kushtetuese në drejtësi e 22 korrikut 2016 dhe marrëveshja e 5 qershorit 2020, kur opozita i dha votat paraprakisht në mirëbesim, shpresoi në garancitë që iu dhanë e më pas PS theu çdo konsensus. Pazaret që ofron PS nuk kanë asgjë në interes të Opozitës. Nuk mund të qahemi nesër sërish. Sepse kur vret veten, nuk ka kush të merr hakun.

Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt. Deputeti Enkelejd Alibeaj konfirmoi në emisionin "5 pyetjet nga Babaramo" në Report Tv se do e votonin shtyrjen e vetingut. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:04
Rama pazar me Bashën për vetingun? PD i përgjigjet Bylykbashit: Nuk kemi hyrë në asnjë diskutim as me PS-në, as me partnerët! S’është prioritet i ynë

Selia blu i ka mohuar akuzat e ardhura nga vetë deputeti  tyre, Oerd Bylykbashi se Lulzim Basha po bën pazar me Ramën, po shet votën për zgjatjen e  vettingut, në këmbim të shtimit të disa bashkive! Në një reagim nga burime zyrtare nga selia blu, thonë se zgjatja e afatit të organeve të vettingut nuk është në prioritete e PD-së, për pasojë nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët.

“Reforma territoriale është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë për të marrë shërbimet që i mungojnë prej 6 vitesh, që kur Edi Rama njëanshmërisht miratoi reformën që në thelb kishte vetëm avantazhin e PS në zgjedhje. Po ashtu, reforma zgjedhore duhet të nisë me garantimin e votës së lirë dhe zgjedhjeve të lira, jo siç gabimisht u orientua më parë, vetëm tek kërkesa e panegociueshme e Edi Ramës për të marrë nën kontroll komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike dhe që, fatkeqësisht, iu prezantua lidershipit të partisë si kërkesë e panegociueshme e partnerëve ndërkombëtarë. Këto dy reforma janë i vetmi prioritet i Partisë Demokratike. Kjo është shpallur publikisht dhe është miratuar edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Përsa i përket zgjatjes së afatit të organeve të vettingut, Partia Demokratike nuk ka hyrë në asnjë diskutim apo vlerësim, as me Partinë Socialiste dhe as me partnerët, sepse nuk është në prioritetet tona. Nëse zoti Bylykbashi është kontaktuar nga Edi Rama për këtë çështje dhe i është ofruar ndonjë zgjidhje, jo vetëm duhet ta refuzojë, por duhet të informojë edhe Kryetarin e Grupit Parlamentar për këtë”, thuhet në reagim.

I.K/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër