Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha sot se dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD në thelb është një largim me turp. Për studion e emisionit ‘Kontrast’ në Report TV, Bylykbashi theksoi se qëndrimi i tij me forcë pas 9 shtatorit kur u pa se nga anonte anëtarësia, kishte si qëllim shkatërrimin e PD-së.

Bylykbashi shtoi se cikli i Bashës pavarësisht se duket i mbyllur, ai do të kërkojë të krijojë cikle të reja për veten e tij në politikë.

“Akti i dorëheqjes së Lulzim Bashës do të vlente deri në 11 Dhjetor. Kjo e sotmja është kronika e një largimi me turp. Si iku Basha? I ikën të gjithë. Iku anëtarësia, e votuesve etj. Pra është maskarada e një largimi me turp. Kush e ka njohur nga afër e di që Basha shkon deri në nivelet e marrisë. Ndaj nuk jam i surprizuar nga dorëheqja, por nga veprimet e mëtejshme pas 9 shtatorit kur ishte e dukshme që anëtarësia ishte kundër tij. Dhe qëndrimi dukej i qëllimshëm për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe pse nuk iku në 25 Prill, na mblodhi dhe na pyeti se si ta quajmë procesin e zgjedhjeve dhe i pëlqeu fjala masakër. Edhe pse nuk ishim në ato kushte. Mesazhi që sot marrin të gjithë shqiptarët është që cikli i tij ishte mbyllur dhe ai do të përpiqet të krijojë cikël tjetër. Por ky mesazh vlen më shumë për anëtarët e Partisë Demokratike” – tha Bylykbashi për “Kontrast” në Report TV.

Pyetjes se a mund të jetë sali Berisha kapitulli i ri i Partisë Demokratike, Bylykbashi iu përgjigj nuk duhet të biem në kurthin e emrave, por në procesin se si ka ardhur Partia Demokratike deri në largimin e Lulzim Bashës. Sipas tij, tani mbetet detyrë e Berishës që nëse vjen në krye të PD-së përmes zgjedhjeve, të vërë në jetë statutin e 11 dhjetorit.

“Ne bëmë një udhërrëfyes që kishte tre komponentet. I  pari ishte ai politik që udhëhiqej nga Berisha dhe Foltoret. E dyta ai statutor që na bashkonte dhe i treti komponenti organizativ që u konfirmua në 11 dhjetor në mënyrë spektakolare. Ajo që synohet është ndarja e pushtetit me organet apo futja e elementëve si referendum, primaret etj. E gjitha mund të mbetet në letër nëse në nuk i japim hapësirë kësaj. Kjo duhet të jetë Partia Demokratike nesër. Berisha është autor dhe protagonist i kësaj sepse e ka detyrë më shumë se kushdo. Për Sali Berishën do të jetë guri i madh i themelit për këtë PD që propozoi ai. Asnjë nga anëtarët e PD nuk ka pasur ndonjë iluzion se kjo do t’ia heqë non-gratan Berishës. Por një Sali Berishë i cili merr drejtimin e PD me zgjedhje dhe vë në punë atë statut të ri që ka potenciale të jashtëzakonshme, jam i bindur që 2023 do të jetë një përballje elektorale krejt e ndryshme dhe pozitive” – tha Bylykbashi për emisionin ‘Kontrast’.