Ç'fsheh Ministria e Kulturës
rreth ikonave të Gjergji Thimios?

Ç'fsheh Ministria e Kulturës<br />rreth ikonave të Gjergji Thimios?
Pamjet e transportimit të ikonave të sekuestruara të koleksionistit të burgosur Gjergji Thimio nga Galeria e Arteve drejt Muzeut Kombetar kanë ngritur disa pyetje që nuk kanë marrë ende përgjigje. Për këtë arsye redaksia e Shqiptarja.com pikërisht në ditën e publikimit të pamjeve 13 nëntor 2015, ku ikonat transportoheshin në kushte skandaloze dhe pa asnjë kujdes me furgon policie, i dërgoi disa pyetje për kërkesë informacioni zonjës Milena Selimi, këshilltare për mediat në Ministrinë e Kulturës.

Edhe pse pyetjet iu dërguan në një adresë që ajo vetë e përdor për shpërndarjen e informacionit nëpër redaksi, mailin e kishte parë vetëm sot 19 nëntor pa dhënë përgjigje, por duke na adresuar te një sqarim që ka bërë website i kryeministrisë Transparenca.al, njoftim që nuk jepte në detaj përgjigje interesimit tonë.

ikonat me logo

Ja cilat janë pyetjet që Shqiptarja.com i dërgoi znj. Milena Selimi më 13.11.2015

Mirdita,

Pas publikimit të pamjeve të mënyrës së transportimit të ikonave te sekuestruara te Gjergji Thimios nga Galeria e Arteve drejt Muzeut Kombetar, ju lutem na duhet nje informacion i plote per ngjarjen dhe sidomos se ne ç'gjendje ndodhen dhe çfarë do te behet me ikonat.

Ministria e Kulturës ishte në dijeni të mënyrës së transportit?

Pse u bë në këtë formë?

Çfarë do të bëhet me ikonat në dhomën e Muzeut dhe në ç'kushte klimaterike janë vendosur ato?

A keni ju një inventar të tyre? Sa janë?

Faleminderit!

Shqiptarja.com


Ja si përgjigjet pas gjashtë ditësh, pra me 19 nëntor znj Milena Selimi:

Përshëndetje!

Duke qenë se kam qenë jashtë zyrës në lëvizje nuk kam patur mundësi të kontrrolloj këtë adresë. 
Besoj se i keni marrë përgjigjet në atë ç'ka kemi publikuar në Transparenca.al

Ju faleminderit

email

(Përgjigjja e dhënë nga Këshilltarja për mediat në Ministrinë e Kulturës, Milena Selimi)

Por ja pse Transparenca.al nuk i jep përgjigje kërkesave tona, sidomos në shifrat e sakta, inventarin dhe sidomos në ç'kushte do të sistemohen.

"Për transportin e ikonave nga Galeria Kombëtare e Arteve:
Në tetor 2013, një sasi e konsiderueshme ikonash të sekuestruara nga Policia e Shtetit në cilësinë e provës materiale, u vendosën përkohësisht në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve (GKA). Këto prova janë ruajtur nga Policia e Shtetit në mjediset e GKA. Gjatë kësaj periudhe, Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore ka inventarizuar ikonat duke i pajisur me pasaportën përkatëse të vlerave kulturore, por në asnjë moment ato nuk kanë kaluar në pronësi të Ministrisë së Kulturës.
Duke pasur parasysh se këto objekte ishin të pa trajtuara në momentin e sekuestrimit, qëndrimi i tyre i tejzgjatur në GKA rrezikonte ruajtjen e tyre dhe infektimin e veprave të GKA. Pas dy vite kërkesash nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Galerisë Kombëtare të Arteve për të bërë të mundur kalimin e ikonave në një ambient më të përshtatshëm për trajtimin dhe ruajtjen e tyre, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 31.07.2015 ka mundësuar lejimin e kalimit të provave të sekuestruara nga ambientet e GKA te Muzeu Historik Kombëtar.
Pasi verifikoi dhe përshtati ambientet pranë MHK ku do të mund të disinfektoheshin, restauroheshin dhe ruheshin objektet pasuri kulturore deri në përfundim të procesit penal, Ministria e Kulturës urdhëroi institucionet e saj të varësisë për koordinimin dhe marrjen e masave të menjëhershme për zbatimin e urdhrit të prokurorit. Në kushtet kur veprat e trashëgimisë kulturore janë prova materiale të sekuestruara, MK nuk mund të organizojë procedurat e transportit të tyre deri në ekzekutimin e vendimit penal të formës së prerë.
Vetëm me datë 11.11.2015 GKA u njoftua nga Prokurori i çështjes për kryerjen e transportit të veprave të trashëgimisë kulturore më datat 12 dhe 13 nëntor 2015. Në kushtet e kohës tejet të shkurtër, kur ekspertët e trashëgimisë i gjykuan të pamjaftueshme mjetet dhe mënyrat për këtë transport, është urdhëruar pezullimi i lëvizjes së tyre, për të vijuar në ditët në vazhdim konform procedurave përkatëse. Për sa i përket objekteve tashmë të transportuara në MHK, njoftojmë se këto ikona janë sistemuar sipas procedurave nga punonjës të specializuar të fushës në pritje të trajtimit të tyre".


Shqiptarja.com përsërit publikisht kërkesën ndaj Ministrisë së kulturës për të patur akses në informacion për të investiguar në detaje historinë e ikonave të sekuestruara, duke i konsideruar këto si një pasuri Kombëtare dhe si një e drejtë elementare për informacion.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin