Ç’fat e pret Vetingun?

Një sistem që nuk kënaq shumicën e popullsisë nuk mund të ekzistojë. Vërtetësia e kësaj thënieje të përsëritur shumë e shumë herë është provuar në mënyrë pohuese po aq herë gjatë gjithë jetës së shoqërisë njerëzore. Mund të ketë pasur edhe dështime, të përkohshme dhe të pjesëshme, nga shkaqe të ndryshme, nga prirje devijimesh, nga ndikime grupesh të interesuara për ruajtje të gjendjes së amullt apo për pengim dhe zvarritje të progresit. Por më tej, kur zhvillimet i kanë kapërcyer ato prirje negative, dështimet janë vështruar si procese që i kanë dhënë shtysë më të fuqishme suksesit final. Ndonëse me ritme më të ngadalta, kështu ka ndodhur edhe te ne. Edhe për drejtime të veçanta të veprimtarisë së shqiptarëve. Edhe dikur. Edhe tani...

Le të qëndrojmë te zhvillimet e dy viteve të fundit, ku më së fundi ka spikatur artikulimi, hartimi dhe miratimi i ndryshimeve të thella në Sistemin e Drejtësisë, pro të cilave është shprehur (sipas disa sondazheve) mbi 90 për qind e popullit tonë. Mbetet zbatimi i këtyre ndryshimeve, fillimisht i 7 ligjeve më të rëndësishme të përpunuara integralisht në frymën dhe për zbatimin e amendamenteve kushtetuese. Duke pritur që sot të shtrohet për miratim edhe ligji i fundit i kësaj pakete përparësore, shumëkujt i shkon mendja te fati që do të ketë ligji për Vetingun, prej të cilit varet edhe jetësimi i 6 të tjerave.

Pra, a do të bllokohet për shumë kohë hyrja në fuqi e këtyre akteve normative, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin tërësor të të ashtuquajturit ligj i Vetingut, që parashikon përgjithësisht skanimin tre planësh të veprimtarisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve? Për t’i dhënë një përgjigje qoftë edhe paraprake kësaj pyetjeje, ndoshta është me vend t’i hedhim një sy fillimisht mënyrës së dhënies së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin, si masë e përkohshme, të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe më pas, përmbajtjes së kërkesës, me anën e të cilës i kërkohet opinion këshillimor Komisionit të Venecias.
 
Kur Gjykata Kushtetuese vendosi më 24 tetor 2016 që të pezullojë efektet e ligjit të Vetingut dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të vlerësuar kushtetutshmërinë apo jo të këtij ligji dhe përputhshmërinë e tij me Konventën Evropiane për të Drejtat e Liritë Themelore të Njeriut, në qarqet politike dhe në opinionin tonë publik qarkulloi më së shumti mendimi se ai vendim ishte politik, i paragjykuar dhe i paprecedent. Për pohimin e dy cilësimeve të para, vështirë që të gjenden prova materiale, megjithë dyshimet e shumta që të çojnë te ato. Ndërsa për cilësimin e tretë, domethënë, që ai vendim është i paprecedent, mund të ballafaqohesh me praktikën e Gjykatës Kushtetuese, që ndonëse nuk i kanë munguar raste të tjera të dhënies së vendimeve për pezullim të shqyrtimit të çështjeve, procedura e ndjekur së fundmi është krejtësisht e ndryshme. Për shembull, dhënie e vendimit për pezullim të shqyrtimit të çështjes së Lustracionit (2008) deri në hartimin apo dërgimin e opinionit kërkuar Komisionit të Venecias, pa dyshim që u bë në një seancë gjyqësore mbasi u dëgjuan pretendimet e palëve në proces. Po kështu, edhe për pezullimin e ligjit të fundit për kompensimin e pronarëve (2016). Ndërkohë që vendimi për pezullim, nga mosmarrja e të cilit mund të sillen pasoja të rënda dhe të pariparueshme, menjëherë u njoftohet të gjitha institucioneve përkatëse, si edhe dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

Kurse për marrjen apo dhënien e vendimit të 24 tetorit të këtij viti, seanca nuk u duk të ishte as e plotë dhe as e rregullt; palët as u thirrën dhe as u dëgjuan; vendimi i pezullimit më parë iu komunikua mediave, pa ndjekur rigorozisht rrugën e përcaktuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e këtij organi të rishikimit dhe interpretimit kushtetues. Pra, tek pritet që të zhvillohet dhe të forcohet praktika procedurale e Gjykatës Kushtetuese, e cila sidoqoftë ka një jetë relativisht të shkurtër vetëm 25 vjeçare, me vendimin e fundit u la pezull gjithashtu vlerësimi për konsolidimin e saj.

Duke i hedhur një sy tekstit të ligjit për Vetingun vihet re fare qartë se, ai përmban edhe dispozita që përkojnë mot a mot me gërmën e disa ndryshimeve kushtetuese, çka nuk të lënë të dyshohet për antikushtetutshmëri të tyre. Ndryshe mund të arsyetohet për disa norma të tjera, si afatet e kryerjes së procesit të Vetingut, aftësia ligjore e segmenteve të pushtetit ekzekutiv për të ofruar të dhëna me fuqi të plotë provuese, dublimi apo mbivendosja e organeve të pavarura me ato kushtetuese etj., ndaj të cilave Gjykatës Kushtetuese i takon të shprehet vetë. Mirëpo, ajo e ka pezulluar, e ka ngrirë juridikisht (siç thamë më lart) tërë grupin e normave që përmban ligji, sikur të gjitha këto të krijonin dyshime të arsyeshme për antikushtetutshmëri.

Nëse kujtesa i ka lënë paksa disa gjyqtarë kushtetues, mjaftonte që ata të shfletonin edhe një herë Opinionin Final të Komisionit të Venecias, ardhur zyrtarisht në Tiranë më 15  mars 2016, dhe të lexonin më së paku paragrafin 54 të tij ku thuhet, se: “Në lidhje me masat e jashtëzakonshme për të vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët, Komisioni i Venecias është i mendimit që këto masa jo vetëm që janë të justifikuara, por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor”.

Për të shmangur dilemat që mund të lindnin nga leximi i një paragrafi të vetëm, Dokumentit që cituam më lart mund t’i shkohej më tej, për shembull, te paragrafi 86, ku Komisioni i Venecias përgëzon autoritetet shqiptare dhe sidomos ekspertët e Komisionit parlamentar ad hoc për punën që ky Komision ka bërë në përgatitjen e reformës kushtetuese të gjyqësorit, si edhe për gatishmërinë e treguar për të marrë parasysh rekomandimet e Opinionit të Ndërmjetëm, çka sipas këtij organi këshillimor evropian meriton vlerësim të veçantë. Nëse edhe këto përgëzime dhe vlerësime nuk do t’u mjaftonin anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në maxhorancë për këtë çështje, tek e fundit le të vijonin leximin në paragrafin 87, në rreshtat e të cilit do t’u bëhej e qartë, se:  “Projekt-ndryshimet kushtetuese përmbajnë propozime të qëndrueshme për strukturën e ardhshme institucionale të gjyqësorit shqiptar, teksti në tërësi është koherent dhe në  përputhje me standardet evropiane”. Pas këtyre qëndrimeve të prera, a mund të shpresohet që të përgënjeshtrojë vetveten Komisioni i Venecias, anëtarët e të cilit nuk besohet t’i ketë zënë skleroza dhe t’i adrersonin Gjykatës Kushtetuese në Tiranë një opinion këshillimor të detajuar dhe me kontestime rreth një çështjeje të shkëputur nga një objekt i gjerë, siç është paketa e re e ndryshimeve kushtetuese, për të cilën ai organ mbikombëtar është shprehur brenda këtij viti dy herë të tjera?

Sidoqoftë, arsyeja e bërë publike nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin prej saj të ligjit të Vetingut ka të bëjë me dyshimin, nëse procesi i parashikuar në këtë ligj është i pajtueshëm apo jo me Komventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke paraqitur për sqarim nenin 6 të saj për një proces të drejtë gjyqësor dhe nenin 8 për respektimin e jetës private dhe atë familjare, si edhe gjashtë nene të tjera të Kushtetutës në lidhje me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, vendosjen e kufizimit të të drejtave vetëm me ligj dhe për interes publik etj. Por, edhe sikur të merren këto dyshime si të mirëqena, nuk duhet të harrohet se doktrina kushtetuese shqiptare ka një qëndrim të njëzëshëm për statusin që gëzon apo pozicionin e privilegjuar që ka KEDNJ në Kushtetutën shqiptare, sigurisht vetëm përsa i takon kufizimit të të drejtave të individit në rendin tonë të brendshëm. Dhe Komisioni i Venecias në hartuimin e Opinionit të vet Final të marsit 2016 nuk mund të mos e merrte parasysh këtë status, që gjithsesi nuk është unik, vetëm në Shqipëri.

Pa u zgjatur këtu me analizën e përmbushjes nga ligji i Vetingut të kërkesave që përmbajnë 8 referencat, Gjykata Kushtetuese mund të kishte vënë në lëvizje një mekanizëm tjetër të jursiprudencës evropiane, Gjykatën e Strasburgut, përderisa që në majin e vitit të kaluar Shqipëria ka ratifikuar Protokollin Nr. 16 të KEDNJ, nëpërmjet të cilit i jepet e drejta Gjykatës Kushtetuese të çdo Shteti ratifikues që në këtë fushë të kërkojë opinion këshillimor para Dhomës së Madhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Për ngërçin që ka krijuar Gjykata Kushtetuese në vijimësinë pa pengesa të zbatimit të reformës në Drejtësi, rruga drejt Strasburgut dhe jo drejt Venecies në mënyrë të përsëritur ndoshta do të ishte më e  përshtatshme, më e vlefshme. Por kjo “ngatërresë” e Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta lërë pa zgjidhje çështjen e Vetingut, për t’iu hapur rrugë edhe efekteve të ligjeve të tjera prioritare të reformës kyçe për vendin tonë.  
 
Në referim të kalendarit vjetor të veprimtarisë së Komisionit të Venecias, mbledhja më e afërt dhe e fundit e tij për 2016-n do të jetë ajo e zhvilluar në muajin dhjetor (për një datë më të afërt nuk mund të shprehem). Pra, vetëm pak javë mbeten për t’u njohur me një nga dy variantet e mundshme. Nëse Opinioni këshillimor i këtij organi mbikombëtar do të rekomandojë kontestimin e një ose disa normave të parashikuara në ligjin e Vetingut, sigurisht që ato do të shfuqizoheshin prej vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa ajo që ka më shumë gjasa të ndodhë është që Opinioni i Komisionit të Venecias t’u përmbahet vlerësimeve për kushtetutshmërinë e ligjit, në frymën e opinioneve të mëparshme të tij. Atëhere Gjykata Kushtetuese është e detyruar ta pushojë çështjen dhe procesi kyç i Vetingut të rihyjë në fuqi. Çka do të provojë gjithashtu, se gjyqtarët kushtetues i varën për këtë çështje togat e tyre atje ku nuk mund t’i marrin për t’i hedhur supeve përsëri.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com     
                             
 
         

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

‘Rama veq arab ka mbet. Pse nuk Biznese me Evrop e Amerik?’, kryeministri i përgjigjet komentuesit: 1 mld € investime të huaja në vend, shumica nga Perëndimi! SHBA na ka përzgjedhur për një financim të madh

‘Rama veq arab ka mbet. Pse nuk Biznese me Evrop e Amerik?’, kryeministri i përgjigjet komentuesit: 1 mld € investime të huaja në vend, shumica nga Perëndimi! SHBA na ka përzgjedhur për një financim të madh