Ca e ca “harrojnë”, qytetarët jo!

Vizita në Tiranë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i cili është njëkohësisht edhe Zv/Kancelar i këtij shteti që konsiderohet si lokomotivë e trenit shumëvagonësh të BE, nuk mund të kalonte në heshtje, pa një jehonë të gjerë në mediat e hapësirave evropiane, madje edhe përtej Atlantikut.

Pasqyrimi i kësaj vizite, qoftë edhe vetëm disa orëshe ishte dhe mbetet e kuptueshme kryesisht për mesazhet që Gabriel përçoi këtu, kur vendi rrezikon të lëngojë nga një krizë politike e stisur prej opozitës, në një kohë kur tingëllon më shumë se kurrë  ajo çka tha 15 vjet më parë Patten (atë kohë Komisioneri për Zgjerimin e Unionit) në Forumin Ballkanik të mbajtur në Selanik: “Zgjidhja është për ne e qartë: ose do të importojmë stabilitetin në Ballkan, ose Ballkani do të importojë destabilitetin në Evropë”.
 
*  *  *
Por, në ndryshim nga transmetimet e huaja, në Shqipëri u ndjenë prej përpjekje nga krahut opozitar, por edhe nga ndonjë gjymtyrë e shkurtër e maxhorancës, për të sfumuar pamjet reale të kësaj vizite, për të ulur tonalitetet e konstatimeve të bëra dhe për të zbehur vlerën e këshillave të përcjella gjatë saj, prej një emisari të lartë të një vendi ekonomikisht dhe juridikisht të admirueshëm, për të cilin Shqipëria ka nevojë akute dhe perspektive në shumë plane. “Bojkoti i opozitës është absurd”, “Bojkoti është frikë nga drejtësia” – theksoi Gabriel, kur sipas tij: “Kush bojkoton parlamentin, ai e largon vendin prej BE – së dhe dëmton interesat e qytetarëve të vet”. Në mirëkuptim të plotë të thelbit të këtyre mesazheve, Kryeministri shqiptar, Edi Rama tregoi edhe një herë tjetër gatishmërinë për të dialoguar me opozitën. Por përkundër kësaj kërkese, andej nga çadra e opozitës dhe nëpër ekrane ngrihen Lulzim Basha, Genc Pollo etj., duke shfryrë: “Gabriel ishte i painformuar...”. “Gabriel the broçkulla, duhet të ketë ndëruar mendje kur takoi Bashën!”...

Korit të këtyre politikanëve, që me mosregjistrimin e forcës së tyre politike në zgjedhjet e 18 qershorit mund “t’u humbasë edhe vula”, çuditërisht u janë bashkuar pothuajse me të njëjtën gjatësi vale edhe zërat e ca e të vetquajturve analistë, të cilët, nga padija apo dinakëria, ngaqë harrojnë apo bëjnë sikur harrojnë, as nuk informojnë saktë publikun dhe as nuk mund të nddikojnë kështu në formimin e drejtë të tij.

Ashtu si historianët që vlerësohen më së pari dhe më së shumti për kërkimet në arkiva dhe pastaj për interpretimet që u bëjnë të dhënave të nxjerra. Mirëpo, ja që vete një ditë në redaksi dhe i mëshon penës së çjerrë të tij kryeredaktori i organit zyrtar të Partisë Demokratike, duke deformuar me sharje edhe emrin e mikut gjerman: “Gabët kudo në Evropë kanë prodhuar dhe po prodhojnë të paimagjinueshmen. Janë fundi i pafund i kësaj Evrope”.

Të zgjatemi këtu me komentin e kësaj paçavureje, nuk ia vlen barra qiranë. Më mirë le t’i hedhin sytë te idetë e një tjetri, i cili gjatë disa legjislaturave me rradhë u qepet me dijenitë e tij “të vyera” të gjithë pushtetarëve për të siguruar një vend në qeveri a në Kuvend. Në artikullin e tij të rradhës ai hedh dyshime “të forta” nëse Sigmar Gabriel meqë është social-demokrat të ketë mundur të sjellë këtu edhe mendimin e eprores së vet, që është kristian – demokrate(?).

Për të hequr merakun e këtij analisti, mos duhet pyetur vallë vetë Kancelarja Merkel, edhe pse Deutsche Welle – një zë kumbues i poltikave shtetërore dhe shoqërisë gjermane që atë ditë të vizitës së shumkomentuar u shpreh: “...Gabriel preferoi të ishte i drejtpërdrejtë, duke dhënë vlerësimin e Berlinit zyrtar për atë që po ndodh në Shqipëri”!    

Në një emision televiziv të së hënës, një nga ata që duket se janë abonuar atje për të sqaruar publikun e gjerë për politikat e mëdha iu përgjigj një pyetje për vlerësimin e këshillave të Ministrit gjerman, se ai analist është kundër bojkotit, por me një ndryshim nga miku që dha këshilla: Gabriel ka nënshtetësi gjermane, ndërsa djaloshi gazetar ka nënhtetësi shqiptare(!). Se çfarë vlerimi i jepka vetes ky që të përdori si pikë referimi një diplomat evropian të rangut të lartë, hajde gjeje i dashur lexues! Por, në atë emision çuditë s’kishin të mbaruar, kur një koleg i tij u hodh e tha se ne shqiptarët u dashka të largohemi nga bota gjermanike, që t’i përkasim asaj anglo – saksone. Pa le pastaj një tjetër...

Lere, lere, ku nuk u vete mendja! Prandaj, ndoshta nuk do të ishte keq që në këto raste, pra, përpara se të merrnin vrullin për të nxjerrë nga goja ca marrëzira, nuk do të ishte keq që ca e ca të vinin termometrin (në ballë, në gojë apo në prapanicë, ku ta kenë më mirë!).
 
*  *  *
Në vend të ndonjë replike me secilin prej tyre, në këto rradhë ndoshta vlen t’u kujtojmë politikanëve dhe analistëve, atë që shumë qytetarë shqiptarë nuk e kanë harruar, se Zv/kancelari gjerman në vizitën e së hënës në Tiranë tërhoqi vëmendjen për realizimin e një detyre, të cilën përfaqësuesit e Shqipërisë e kanë pranuar dhe për të cilën janë betuar. Pikërisht tre vjet më parë, Takimi i IV i Nivelit të Lartë për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit të zhvilluar në Bruksel filloi me shpërndarjen delegacionit tonë parlamentar (përfaqësuar nga pozita dhe opozita) të një Deklarate të firmosur nga ministrat e Jashtëm të 28 Shteteve Anëtare të BE – së, pra, edhe të Britanisë së Madhe.

Ishte një dokument i rëndësishëm për fatin e së ardhmes së Shqipërisë tonë në familjen e begatë evropiane, ku vihej në dukje, veç të tjerash, përmirësimi i klimës politike në vendin tonë, por edhe vlerësimi për rëndësinë e jashtëzakonshme politike që kishte zbardhja e plotë e dosjes së 21 janarit dhe ajo e Gërtdecit. Për të vijuar më tej, me domosdoshmërinë e ndërmarrjes së një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë, duke u hedhur piketat në gamën e gjerë të ndryshimeve kushtetuese dhe përmirësimeve institucionale të organeve të kësaj fushe. Ishte pranimi verbal dhe firmimi me shkrim i kësaj Deklarate nga Pala jonë, që shërbeu si prologu i akordimit Shqipërisë të statusit të Shtetit Kandidat për në Bashkimin Evropian.

Këtu, në kanceleritë e Kuvendit dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme është e arkivuar ajo Deklaratë, që shërbeu edhe si një bazë apo vlerë e shtuar për projekin e asaj që tashmë thirret zakonisht me fjalën “Vetting”. Le të kërkohet, të gjendet dhe të freskohet kujtesa e ca e cave që e kanë “harruar” përmbajtjen e saj. Ndërsa për ata që nuk dëshirojnë të freskojnë kujtesën dhe vështrimin e mbajnë vetëm te brigjet e Atlantikut, që ne t’i përkasim vetëm harkut anglo – amerikan, nuk do të ishte e lodhshme të vritej mendja shumë, për t’u përqendruar te vlerësimet e ambasadorit të SHBA akredituar në Tiranë, por edhe i shumë zyrtarëve të tjerë nga Uashingtoni, të cilët janë shprehur në vazhdimësi, se SHBA mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Këtë përmbajtje kishte në thelb edhe Deklarata e fundit e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku për herë të parë përmendej nga Uashingtoni domosdoshmëria e zbardhjes së plotë të ngjarjes së hidhur të 21 janarit.

Ja pra, përse u ka hyrë tartakuti në palcë Lulzim Bashës e Sali Berishës, Fatmir Mediut e Genc Pollos me shokë. Ja pra pse kishte të drejtë, gjithashtu, Sigmar Gabriel që ia tregoi opinionit publik qartazi dhe prerë diagnozën e bojkotit të opozitës: frika nga drejtësia!.      
           
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 5 Shkurt, 10:32

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Gjunjëzimi i PD para 'Kandidatit për Kryeministër'

Mero Baze: Gjunjëzimi i PD para 'Kandidatit për Kryeministër'