DURRËS-18 gra dhe vajza janë helmuar mëngjesin e sotëm në një fasoneri që ndodhet në zonën e Fllakës, afër mbikalimit në autostradë. Punonjëset e rrobaqepësisë janë ndjerë keq dhe kanë pasur marrje mendsh e këputje, e për këtë arsye, janë dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit. Report Tv sjell pamjet nga spitali i Durrësit, ku duket edhe fluksi në Urgjencë, teksa disa prej punonjëseve qëndrojnë nga dy në një shtrat.
Mes grave që janë helmuar njëra prej tyre është shtatzënë, ndërsa është dërguar në Shërbimin e Obstetrikës. Ndërkohë që disa prej punonjëseve të tjera kanë pasur probleme me sytë dhe janë dërguar në repartin e Okulistikës. Pas marrjes së ndihmës së parë disa nga punonjëset janë larguar për në banesat e tyre, ndërsa 7 prej tyre ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.
Drejtoresha e Spitalit të Durrësit, Nadire Jani u shpreh se gjendja e grave është relativisht e mirë.”Gjendja është relativisht e mirë, nuk janë të sëmura rëndë, më shumë i ka kapur paniku, kanë marrje mendsh, u vjen edhe për të vjellë. Shifrat e tensionit janë normal, ka një ulje të oksigjenimit në organizëm, ata që kanë qenë në gjendje më të mirë i kemi çuar në pavione, pasi kanë nevojë për oksigjen. Situata po stabilizohet” tha ajo
Sipas policisë shkak i helmimit të punonjëseve në fasonerinë Albastar ka qenë rrjedhja e gazrave në tubin e aspirimit, që nxjerr jashtë gazrat e kaldajës së hekurosjes. Ndërkohë që priten analizat toksikologjike për shkakun zyrtar, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dega Durrës ka pezulluar aktivitetin e fasonerisë deri në datë 7 shkurt, ndërsa e ka gjobitur 500 mijë lekë për mungesë të kushteve higjeno-shëndetësore. Prokuroria, policia dhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ushtruan menjëherë kontrolle në ambientet e fasonerisë pas ngjarjes duke pezulluar punën deri në përfundim të hetimeve.
Në këtë fasoneri ky është një rast i përsëritur, pasi edhe në 24 nëntor të vitit të kaluar, 40 punonjëse u helmuan, ndërsa policia deklaroi asokohe se shkak ishte bërë çmontimi i kondicionerëve,të cilët lëshuar gaz (lexo këtu)