BUKURESHT - Prania e Gent Cakajt në mbledhjen me ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit në Bukuresht të Rumanisë, ka shkaktuar një përballje mes tij dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç. Ky i fundit ka kërkuar fjalën në fillim të mbledhjes duke e konsideruar praninë e Gent Cakajt, ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, një provokim të pastër ndaj Serbisë nga kryeministri Edi Rama.

Kosova ka dy ministra të jashtëm në këtë takim, ky është një provokim i Edi Ramës kundrejt nesh”, është shprehur Daçiç në mbledhje. "Pse Kosova të ketë dy ministra të jashtëm?", ka thënë kryediplomati serb. 

Menjëherë pas fjalëve të Daçiç ka ndërhyrë Cakaj duke i thënë se ai duhet të ishte skandalizuar më parë, pasi Kosova i ka pasur dy ministra të jashtëm gjithmonë dhe ka vijuar duke i thënë një fjalë të urtë popullore: "Nuk ka dy pa tre”.

Reagimi i Daçiç për Cakajn vjen nga origjina e tij pasi ai është shqiptar nga Kosova dhe lidhur me këtë ky i fundit është shprehur: "Ju jeni nga Prizreni dhe përfaqësoni këtu Serbinë, kurse unë jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë".

Gent Cakaj ka thumbuar homologun Serb me origjinë nga Kosova duke ia bërë të qartë fakin se në fakt Kosova përfaqësohet në takim nga tre ministra të jashtëm. Ndërhyrja e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë ka shkatuar të qeshura ne sallë dhe situata ka kaluar pa tensione. 

Replikat Daçiç-Cakaj

Ivica Daçiç: Kosova ka dy ministra të jashtëm në këtë takim. Ky është provokim i Edi Ramës kundrejt nesh... Pse Kosova të ketë dy ministra të Jashtëm?

Gent Cakaj: Nuk ka dy pa tre... Ju jeni nga Prizreni dhe përfaqësoni këtu Serbinë. Kurse unë jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë.