Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ndodhet në Luginën e Preshevës, ku po zhvillon një vizitë zyrtare tre ditore.
Gjatë ditës së sotme, Kryediplomati Cakaj ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e partive pjesëmarrëse në Listën e Luginës së Bashkuar.
Në një reagim në Facebook lidhur me takimet e zhvilluara, Cakaj u shpreh se së bashku theksuan rëndësinë e patjetërsueshme të ruajtjes së unitetit të brendshëm dhe nevojën e punës së përbashkët për mbrojtjen e lartësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Ne do të ecim bashkë e do të veprojmë të bashkërenduar për të bërë më të mirën për Luginën e shqiptarët në çdo kohë e çdo rrethanë”, përmbylli reagimin e tij Ministri në detyrë Cakaj.
Ai shton se gjatë gjithë kësaj kohe kanë intensifikuar dialogun politik me gjithë përfaqësuesit shqiptarë këtu dhe është marrë një varg masash për përmirësimin e jetës këtu dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve edhe në Luginën e Preshevës në përgjithësi.
"Bashkimi i faktorit politik shqiptar këtu është i domosdoshëm. Ndaj, një prej arritjeve më domethënëse gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë formimi i listës së përbashkët për Luginën e Bashkuar në mënyrë që të kemi një platformë të unifikuar politike, të kemi një plan të qartë të veprimit se si duhet të ecim përpara dhe të zgjerojmë fushëveprimin e mundësive për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Natyrisht kjo listë nuk kompenson një varg masash që duhet të merren nga Serbia dhe që duhet të mbështeten nga të gjitha forcat demokratike në rajon sepse shqiptarët këtu nuk i kanë punët se i kanë pasi janë të ndarë. Por, për t’i përmirësuar punët e tyre, duhet të bashkohemi", shton Cakaj.
Ai thekson se jemi në një situatë kur duhet të përmbahemi prej komenteve në raport me njëri-tjetrin dhe duhet të ndihen të gjitha çështjet tona në raport me Serbinë.
"Është mbështetur pa hezitim, pa kursim edhe nga Republika e Kosovës. Është koha që të sillemi si një trup i vetëm kombëtar dhe të bëjmë më të mirën për shqiptarët. Ky koalicion nuk mund të prodhojë mrekulli dhe ne nuk kemi iluzione për efektin që do të ketë por është tepër e rëndësishme që të ruhet shpresa, motivi dhe ky koalicion të jetë thjesht një instrument shtesë në gjithë vargun e masave më të mëdha që duhet të marrim bashkë për të ndryshuar këtë situatë, sepse kjo situatë ka prekur limitet e saj dhe nuk mund të vazhdohet kështu tani e tutje", ka përfunduar fjalimin ministri.