Besiana Kadare, vazja e Ismail Kadares, është përzgjedhur si zëvëndës presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në sesionin e 75 të saj. Një lajm mjaft pozitiv për Shqipërinë e cila në këtë sesion do të përfaqësohet nga vajza e shkrimtarit të njohur edhe ndërkombëtarisht, e cila më herët ka shërbyer si sekretare e parë në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në OKB, në vitet 2002-2005.

Më pas ajo u kthyer në Shqipëri për të punuar në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID). Në 2008 Besiana do të shërbente në ambasadën e Shqipërisë në Francë, ndërsa nga 2011-20016 ajo ishte Ambasadore e Shqipërisë dhe delegate e përhershme në organizatën Arsimore, Shkencore dhe Kulturore në Kombet e Bashkuara (UNESCO), në Paris.

Vetë Besiana për përzgjedhjen në këtë post të rëndësishëm në rrjetet sociale shkroi: "Krenare të njoftoi se Shqipëria është zgjedhur si zëvendës/presidente në sesionin e 75 të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Është një nder i madh për të shërbyer si zëvendës/presidente në këtë sesion historik dhe po shoh para për të punuar me ambasadorin turk Volkan Bozkir, që është edhe presidenti i Asamblesë së Përgjithshme."

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:27
Cakaj: Detyra e Besiana Kadaresë, sfiduese dhe e rëndësishme për Shqipërinë

Nëpërmjet një reagimi në facebook Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka përshëndetur marrjen e postit të lartë të Zv/Presidentit të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nga Shqipëria.

“Zgjedhja e Shqipërisë në këtë pozicion të lartë institucional dëshmon fare qartë praninë në rritje të diplomacisë shumëpalëshe shqiptare në OKB. Përderisa këtë detyrë do ta kryejmë me përgjegjësi të plotë, ne po vazhdojmë angazhimin për të siguruar ulësen e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.”- theksoi Cakaj në postim. 

Gjithashtu, Cakaj i uroi suksese Ambasadores së Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, në këtë detyrë, që sipas Kryediplomatit është sa sfiduese, aq edhe e rëndësishme për Shqipërinë e jo vetëm.

Ora 13:55
'Sukses kombëtar dhe politik', Ruçi për zgjedhjen e Kadares si zv/presidente në OKB

Gramoz Ruçi, kryetari i kryesise se Kuvendit, ka uruar Besiana Kadaren, vajzën e Ismail Kadares, për zgjedhjen si zëvendës presidente në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ruçi thotë se përzgjedhja e Besianës është një sukses kombëtar dhe politik.

“Zgjedhja juaj si Përfaqësuese e Përhershme e Shqipërisë, në detyrën e lartë të Zëvëndëspresidentes së Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një sukses kombëtar dhe politik. Uroj ta kryeni me sukses këtë mision dhe ta përdorni maksimalisht këtë mundësi për të lartësuar emrin, dinjitetin dhe kontributin e atdheut tonë në arenën ndërkombëtare,”- shkruan kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ora 12:27
Ambasadorja Kim për Besiana Kadaren: Urime për përzgjedhjen në këtë post të rëndësishëm

Yuri Kim, ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, ka reaguar pas zgjedhjes së Besianës, vazjës së Ismail Kadaresë, si zëvendës/presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ambasadorja ka shpërndarë në njoftim të Besianës ku njofton se është zgjedhur dhe është krenare për postin në OKB dhe shkruan: "Urime Besiana Kadare si e përzgjedhura e Shqipërisë në këtë post të rëndësishëm."

Ora 12:25
Meta për zgjedhjen e Besiana Kadares në OKB: Mundësi për përfaqësimin dinjitoz të vendit

Për këtë arritje të fundit ka shkruar edhe presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili me anë të një shënimi  në rrjetet sociale thotë se caktimi i Shqipërisë për të mbajtur këtë sesion dhe zgjedhja e Besianës për të ushtruar këtë detyrë është një mundësi shumë e mirë e përfaqësimit të vendit në mënyrë sa më dinjitoze në këtë organizatë.

"Caktimi i Shqipërisë për të mbajtur postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është një mundësi shumë e mirë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në këtë institucion tepër të rëndësishëm botëror.
Shumë suksese Ambasadores Besiana Kadare në ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësie të lartë,"-shkruan Meta.