Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Michalis Chrisochoidis, ka folur për mashtrimet telefonike që shënjestrojnë qytetarët, përfshirë ‘call center’-at në Shqipëri.
Sipas Chrisochoidis, grupet kriminale kanë zhvilluar mënyra gjithnjë e më të organizuara për të përfituar në mënyrë të paligjshme para, prona dhe bizhuteri, duke synuar shpesh personat e moshuar.
“Kanë gjetur një mënyrë më të lehtë për të përfituar në mënyrë të paligjshme para, prona dhe bizhuteri”, tha ai. “Ata mashtrojnë njerëzit, kryesisht të moshuarit.”
Ai tha se policia ka zhvilluar tashmë hetime të rëndësishme dhe ka kryer arrestime, ndërsa shumë prej të dyshuarve ndodhen tashmë në burg, por grupe të reja vazhdojnë të shfaqen.
Ministri tha se rrjetet kriminale po bëhen gjithashtu gjithnjë e më ndërkombëtare.
“Për shembull, ka një ‘call center’ në Shqipëri, ka një ‘call center’ në Maqedoninë e Veriut”, tha ai, duke shtuar se në këto skema janë përfshirë grupe të caktuara kriminale ndërkufitare.
Chrisochoidis iu referua gjithashtu arrestimeve të kryera, por theksoi se nevojitet një strukturë e përhershme dhe një politikë operacionale afatgjatë.
“Do të arrestohen të gjithë”, tha ai. “Thjesht nevojitet një strukturë e përhershme dhe një politikë operacionale e përhershme për t’i dhënë fund këtij fenomeni.”









Komente
Komento