TIRANE - Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe United, Shpëtim Idrizi, ka reaguar një ditë pas deklaratave të presidentit grek, Prokopis Pavlopoulos, i cili u shpreh se "nëse shqiptarët duan të shkojnë në BE, atëherë duhet të pranojnë që çamët bashkëpunuan me nazistët".  

Idrizi sfidon kreun e shtetit grek që të nxjerrë një provë të vetme që fakton pretendimin e tij, ndërsa i kujton se qëllimisht harroi 2771 civilët çamë të vrararë barbarisht në vitit 1944-1945. Idrizi kërkon edhe nga Tirana zyrtare që të mbajë qëndrim të fortë ndaj këtyre deklaratave që vijnë nga Athina. 

Ju harroni qëllimisht zoti Pavlopulos, se në vitet 1944-1945, janë vrarë barbarisht 2771 civilë nga Çamëria. Kurrë nuk treguat një dokument, një foto, një formacion të Shqiptarëve të Çamërisë me nazi-fashistët. Po pres reagimin zyrtar të kryeministrit shqiptar dhe të ministrit të jashtëm Bushati, te cilët bëjnë sikur nuk shohin e nuk dëgjojnë, këto deklarata të papranueshme, antihistorike dhe kërcënuese për integrimin europian të Shqipërisë. 

Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU

Sa i takon paralajmërimit të Prokopis se rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Athina dhe nëse do integrimin atëherë duhet të pranojë kushtet e Athinës për çështjen Çame, Idrizi ka një përgjigje: 

Duhet ta harrojnë një herë e mirë kokat e nxehta të Athinës dhe idiotët e dobishëm të Tiranës se rruga e Shqiperisë drejt BE, kalon nga Greqia.  

Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU

Një ditë më parë, Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, u shpreh se Shqipëria nuk duhet ta përmendë kurrë problemin e çamëve në diskutimet me Greqinë. Sipas tij, çamët bashkëpunuan me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se u larguan nga trojet e tyre për t'i shpëtuar drejtësisë për krime kundër njerëzimit. Kreu i shtetit grek shtoi gjithashtu se nëse Shqipëria do integrimin në BE, atëherë duhet të pranojë këtë të vërtetë historike, sipas tij.