Nenad Çanak, ish-politikan i Serbisë, ka pohuar se serbët në Kosovë po armatosen përmes Kishës Ortodokse Serbe (KOS).
Çanak ka përmendur Bosnjën, Kosovën e Malin e Zi si shtete ku po hyn armatimi i prodhuar në shtetin serb.
“Në Bosnjë dhe Hercegovinë, kontrabanda e armëve për kampet terroriste ruse të Dodikut kalon përmes Kishës Ortodokse Serbe. Në Kosovë i gjithë terrorizmi dhe armatimi ‘patriotik’ kalon përmes KOS-it. Në Mal të Zi janë të armatosur deri në dhëmbë, zgjedhjet blihen përmes kishës”, shkroi ai në platformën X (ish-Twitter).
Disa javë më parë, deputetja britanike, Alicia Kearns, kishte ngritur alarmin edhe në parlament, më 4 korrik, se armët kontrabandohen nga Serbia në Kosovë me autoambulanca dhe se ato “deponohen” në ambientet e Kishës Ortodokse Serbe.
“Në Qeveri [të Britanisë së Madhe] janë të vetëdijshëm, me ushtarët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se armët po kontrabandohen përmes kufirit në kishat ortodokse me autoambulanca. Kur trupat tona përpiqen të marrin leje për të shkuar t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që merret leja, shih befasinë, autoambulanca shfaqet në kishë dhe nxjerr përsëri armët”, tha Kearns.
Në një rezolutë të marsit 2022, Parlamenti Evropian deklaroi se Kisha Ortodokse Serbe promovon Rusinë në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e vlerësuar këtë si shqetësuese.