TIRANE - Debati për sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe nevoja për reformimin e tij është zhvendosur në Universitetin Ismail Qemali, në Vlorë.

Në debatin e radhës kanë qenë të pranishëm gjyqtarë, avokatë, pedagogë dhe studentë të mbledhur nga gjithë vendi e jo vetëm nga qyteti bregdetar. 

Debati u fokusua në kuadrin kushtetues në bazë të të cilit ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet e drejtësisë në vend. Në fjalën e tij, ambasadori britanik Nicholas Cannon vlerësoi se reforma në drejtësi është një proces i rëndësishëm, ndonëse i vështirë. 

“Më duhet të them se në zemër të gjyqësorit shqiptar është ngritur një klikë gjyqtarësh që veprojnë në grup, duke e përdorur sistemin gjyqësor për përfitime, duke blerë dhe shitur drejtësi. Korrupsioni në gjyqësor e bën të vështirë luftën ndaj kriminalitetit”, deklaroi Cannon. 

Cannon vlerësoi se, sado që policia dhe prokuroria të bëjnë punën e tyre, nëse ekzison një sistem gjyqësor i korruptuar, masat ndaj krimit nuk do të jenë kurrë efikase. 

“Komisioni Evropian ka identifikuar si pengesën numër një për progresin drejt Bashkimit Evropian sistemin gjyqësor. Pa reformën në drejtësi procesi i integrimit të Shqipërisë do të bllokohet”, vijoi ambasadori. 

Ai shtoi se, një grup i vogël njerëzish, më pak se 100, po helmojnë institucionet dhe shoqërinë shqiptare, duke mbajtur peng të ardhmen e një kombi të tërë. 

Ndërsa Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, tha se, përmes paanshmërisë dhe transparencës mund të kapërcehen problemet e ndryshimeve kushtetuese në vend./Top Channel/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)