Pronari i klubit kuqezi, Gerry Cardinale, do të ndjekë nga afër Milan - Cagliari, vetëm ndonjë e papritur mund ta ndryshojë programin e tij. Të dielën ai shpreson të festojë kualifikimin në Champions League, para se të kthejë faqe dhe të skicojë Milanin e sezonit 2026-27. Duke nisur nga konfirmimi i Allegrit dhe ndonjë ndryshim në organigramën e drejtuesve.

Me një vend në 4-shen e parë aktivizohet automatikisht një vit më shumë në kontratën e trajnerit livornez. Cardinale do që trajneri të mos ketë dyshime mbi qëndrimin në Milanello, sepse e ka në qendër të projektit. Me të në stol kuqezinjtë kaluan nga vendi i 8-të sezonin e kaluar tek i 3-ti, kur kanë mbetur edhe 90 minuta për t’u luajtur.

Me siguri Allegri do të kërkojë nga Cardinale një merkato, që do ta lejojë Milanin të përballojë impenjimin e dyfishtë të sezonit të ardhshëm. Duhet më shumë kualitet dhe lidership në skuadër. “Dhurata” e parë do të vijë shpejt me firmën e gjermanit Leon Goretzka. Mesfushori në dalje nga Bayerni me parametra zero po pret që kuqezinjtë të sigurojnë Championsin. Ka folur me trajnerin dhe drejtuesit dhe është i bindur për të zbarkuar në Serie A.

Për sulmin pastaj janë disa emra në listë. Ata janë Gonçalo Ramos i PSG-së, Guirassy i Borussia Dortmund, Jackson dhe Sorloth. Është edhe Vlahovic, për të cilin duhen pritur më parë lëvizjet e Juventusit.

Sulmi ka ndryshime edhe në dalje, me Leaon që duket se e ka mbyllur ciklin si kuqezi. E kërkojnë Fenerbahçe në Turqi dhe Manchester United në Angli.

Cardinale do të qëndrojë në Milano edhe të hënën, sepse duhet të vendosë edhe për pjesën e drejtuesve. Ai ka takuar në Londër javën e kaluar konsulentët Calvelli dhe Ibrahimovic, si dhe administratorin Furlani.

Trajneri Allegri sheh me sy të mirë qëndrimin e Igli Tares, të cilin e lavdëroi në konferencën për shtyp të shtunën. Një vlerësim për drejtuesin shqiptar, që mund të jetë shumë i rëndësishëm.

Një rol te Milani mund të ketë edhe Adriano Galliani. Ai mbetet drejtuesi më i suksesshëm i klubit (29 trofe në 31 vjet), si dhe një tifoz i flaktë i Milanit. Përvoja e tij dhe marrëdhënia e fortë me Allegrin mund të jenë gjithashtu të dobishme në shmangien e tensioneve si ato midis Max dhe Ibrahimovic.