Parlamenti ka miratuar ditët e fundit një ndryshim në Kodin Penal që, në pamje të parë, i mbron gazetarët nga ndjekja penale për shpifje. Shpifja, edhe në Shqipëri (ashtu si në shumë vende të Bashkimit Evropian), është krim i parashikuar si në Kodin Civil ashtu edhe në Kodin Penal. Kodi Penal nuk parashikon arrest për shpifësit, por vetëm gjobë, e cila gjithsesi mund të arrijë deri në 3 milionë lekë (të rinj). Kodi civil parashikon vetëm një dëmshpërblim. Me përhapjen e rrjeteve sociale, shpifja është kthyer në një krim me rëndësi të madhe, por në Shqipëri ajo është edhe më e përhapur, pasi përveç ushtrisë së “hejtersave” online (shpesh anonimë), në shumë raste i bashkohen edhe gazetarë që shkruajnë në mediat tradicionale. I nxitur nga Bashkimi Evropian, Parlamenti shqiptar ka vendosur ta depenalizoje këtë vepër vetëm për gazetarët, një vendim delikat i marrë në emër të lirisë së shtypit.
Ndryshimi i miratuar ngre disa çështje që dua t’i theksoj, pas mbi 40 vitesh përvojë në profesionin e gazetarit, të ushtruar në vende të ndryshme të botës, dhe sidomos si viktimë tashmë prej më shumë se tridhjetë vitesh e shpifjeve me origjinë politike të pësuara këtu në Shqipëri për shkak të profesionit tim.
Së pari, e kundërshtoj kategorikisht idenë se shpifja dhe liria e informacionit janë e njëjta gjë, apo se janë në ndonjë mënyrë të lidhura me njëra-tjetrën. Në fakt është e kundërta: liria e informacionit është viktima kryesore e shpifjes, sepse gazetari i vërtetë kërkon të vërtetën, e cila shpesh është e vështirë për t’u gjetur dhe edhe më e vështirë për t’u publikuar, ndërsa shpifja është shpesh një gënjeshtër e qëllimshme, që qarkullon shumë më lirshëm. Në media, pra, është shumë më e lehtë të publikohen shpifje sesa të vërteta.
Çështja e dytë është se ndryshimi i futur në Kodin Penal mbron vetëm figurën e “gazetarit”, e cila në Shqipëri nuk rregullohet nga asnjë ligj dhe as nuk identifikohet nga ndonjë regjistër apo urdhër profesional, siç ndodh për profesione të tjera, për shembull avokatët apo mjekët. Këtu, në fakt, çdokush mund të fshihet pas etiketës “gazetar”, edhe gjobaxhinj vulgarë apo ish-funksionarë partie, të cilët në një vend liberal nuk do të kishin asgjë të përbashkët me profesionin e gazetarit. Pak ditë më parë, një fotoreporter i njohur italian (Fabrizio Corona) u dënua në Itali për të hequr nga faqja e tij në YouTube disa video shpifëse, pikërisht me argumentin se, duke mos qenë gazetar i regjistruar në një urdhër profesional, ai nuk po ushtronte asnjë të drejtë për informim. Si do të munden gjyqtarët shqiptarë të dallojnë një gazetar të vërtetë shqiptar nga një shpifës i maskuar si gazetar?
Megjithatë, duhet thënë se ndryshimi i futur në Kodin Penal nuk i shpëton të gjithë shpifësit. Për të përfituar nga ky “imunitet”, gazetari duhet të provojë dy gjëra që shpifësit profesionistë (ndryshe nga gazetarët e vërtetë) nuk i bëjnë kurrë:
se ka bërë çdo përpjekje për të verifikuar bazueshmërinë e akuzës;
në prani të një përgënjeshtrimi nga ana e të akuzuarit, se e ka publikuar atë ose madje ka fshirë artikullin apo deklaratën shpifëse.
Shpifësit që e bëjnë këtë si profesion (dhe pak rëndësi ka nëse janë apo jo të maskuar si gazetarë), përkundrazi, sillen saktësisht në mënyrë të kundërt dhe, në përvojën time të gjatë si viktimë e shpifjeve në Shqipëri, i njoh shumë mirë.
Shpifësit profesionistë:
Nuk i verifikojnë kurrë akuzat e tyre; edhe kur kanë dokumente në dorë, i interpretojnë sipas interesit të tyre; nuk dëgjojnë kurrë versionin e viktimës dhe, në rastin më të mirë, përsërisin mekanikisht akuzat e bëra nga lideri i tyre politik kundër “armikut” të radhës. Me Kodin e ri, këto sjellje nuk do të mjaftojnë për t’i shpëtuar procesit penal.
Shpifësit profesionistë nuk publikojnë kurrë asnjë përgënjeshtrim, sepse përndryshe shpifja (apo gjoba) humbet efektivitetin ose sepse lideri politik nga i cili marrin urdhra ua ndalon këtë. Me Kodin e ri, mjafton të mos publikohet përgënjeshtrimi për të përfunduar nën ndjekje penale.
Ndryshe nga shpifësit profesionistë, gazetarët e vërtetë, përpara se të publikojnë një akuzë, përpiqen të verifikojnë bazueshmërinë e saj, tentojnë të interpretojnë saktë dokumentet, kërkojnë versionin e viktimës, distancohen nga deklaratat në dukje shpifëse të politikanëve dhe, në prani të një përgënjeshtrimi, e marrin atë në konsideratë dhe e publikojnë. Ndryshimi i ri i Kodit Penal, pra, mbron vetëm gazetarët “në mirëbesim”, të cilët, duke u sjellë në mënyrë korrekte, edhe nëse gabojnë duke publikuar lajme të pasakta, dëshmojnë se qëllimi i tyre ishte vetëm informimi, pa ndonjë qëllim tjetër.
Për fat të mirë, fyerjet me të cilat zakonisht gazetarët e rremë shoqërojnë shpifjet e tyre nuk do të gëzojnë asnjë imunitet: Kodi Penal (neni 119) nuk është ndryshuar dhe fyerja vazhdon të mbetet vepër penale për të gjithë, me një dënim që mund të arrijë deri në 3 milionë lekë (të rinj). Pikërisht sjellja kriminale (pra e dënueshme nga Kodi Penal) e profesionistëve të shpifjes e ka shtyrë Sali Berishën dhe klanin e tij politik t’i mbrojnë ata, duke tentuar në Parlament të depenalizoje jo vetëm shpifjen, por edhe fyerjen pa vendosur asnjë kusht, të dyja mjete që Berisha dhe partia e tij i përdorin bashkë me ''gazetarë të familjes'' prej dekadash si armë të përditshme politike.
Së fundi, ka edhe një pikë tjetër për t’u sqaruar: a do të mjaftonte procesi civil për t’u mbrojtur nga shpifja dhe fyerja? Përgjigjja është JO. Dhe jo sepse Kodi Civil nuk i parashikon fyerjen dhe shpifjen si shkelje, por sepse drejtësia civile është aq e ngadaltë dhe e bllokuar nga mungesa kronike e gjyqtarëve, saqë një proces zgjat zakonisht shumë vite. Dhe në pritje të vendimit, shpifësit profesionistë, sapo marrin vesh se janë paditur, i përdorin ato vite pritjeje për t’u hakmarrë, duke u hedhur në shpifje dhe fyerje të tjera, pa i lënë viktimës asnjë mbrojtje.
Ndryshimet në Kodin Penal përbëjnë pra një hap përpara të Shqipërisë drejt legjislacionit evropian, i cili ofron mbrojtje më të madhe për gazetarët e vërtetë dhe nuk u jep asnjë avantazh shpifësve profesionistë, për të cilët, në të vërtetë, do të nevojitej edhe dënimi me burg, dënim që jo rastësisht Sali Berisha arriti ta heqë nga Kodi Penal 14 vite më parë. Një lëvizje që synonte t’u dhuronte një imunitet të fortë për të mbrojtur kriminelët e partisë nga përdorimi i shpifjes dhe fyerjes kundër qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë.
Komente









