Carlo Bollino: Politikanët e urrejtjes, bashkëfajtorë moralë në agresionet ndaj medias

Carlo Bollino: Politikanët e urrejtjes, bashkëfajtorë moralë në agresionet ndaj medias

Carlo Bollino

Sulmi i armatosur kundër Top Channel që i kushtoi jetën rojës së turnit të tretë Pal Kola, 60 vjeç dhe me 5 lekë në xhep, është pamja dramatike e një vendi ku mediat janë në qendër të një kaosi më të madh se vetë ato. Për të kujtuar një skenë të ngjashme dhune duhet të kthehemi pas në vite, në 1997, kur bandat paraushtarake të Sali Berishës sulmuan redaksinë e Kohës Sonë duke lënë gati në fund të jetës gazetarin Zamir Dule që flinte në zyrë pasi nuk kishte një strehë. Në atë kohë sulmi ishte i hapur politik, edhe pse asnjë përgjegjës dhe asnjë porositës nuk pagoi kurrë. Përkundrazi, dërguesi I atij sulmi vazhdon akoma dhe sot të jetë I lirë për të vazhduar me urrejtjen kundër mediave. 

Porositësi i atij sulmi, Sali Berisha, lëshoi vrerin e tij të fundit të premten që shkoi, pikërisht kundër Top Channelit, duke përdorur si pretekst një dokument privat të nxjerrë nga një qehaja i tij, mbi një shitje paraprake që nuk u konkretizua asnjëherë nga pronarët legjitimë të Top Channel dhe një shoqërie off-shore pas të cilës me të ngjarë ishin po ata. Një gjetje procedurale për të shpëtuar pronën e televizionit të themeluar nga Tan Hoxha dhe që familja legjitimisht e mbronte. Asnjë lidhje me politikën, por që Berisha e stigmatizoi publikisht si “akt kriminal”, duke u nisur nga një mentalitet komunist që botuesit e një media, në këtë rast Top Channel, nuk mund ta shesin siç duan televizionin e tyre, sepse përdorin për të transmetuar frekuencat që janë pronë publike. Një absurd juridik, që do të ishte njësoj sikur të pretendojmë që një makinë që kemi blerë nuk është më e jona vetëm se udhëton në rrugët që janë pronësi e Shtetit. Një pretendim qesharak që as Enver Hoxha në delirin e tij kundër pronës private, nuk arriti të shqiptojë.  

Tri ditë pas këtij sulmi të egër të Sali Berishës, që prej vitesh bashkë me gazetarët dhe analistët e tij godet dhe media të tjera, Top Channel u vu në shënjestër të atentatorëve. Ne nuk guxojmë as ta imagjinojmë se mund të jetë Berisha pas këtij akti kriminal, por nuk mund të mos konstatojmë se të shpërndash akuza dhe urrejtje ndaj dikujt, mund të armatosë lehtësisht dorën e ndonjë të çmenduri, apo të ndonjë krimineli, apo të një tifozi të egërsuar e të papërmbajtur të një reality shou . Një dorë që mund të fshehë arsyet e veta private, pas deklaratave me urrejtje publike të politikanëve. Rast në të cilin politikani duhet të mbajë koston politike të sulmit.

Sulmi i përgjakshëm kundër Top Channel duhet të tërheqë vëmendjen për përgjegjshmëri nga ana e politikës, të gjithë politikës, mbi rrezikun se fjalët e tyre të urrejtjes të lëshuara vetëm për të mbrojtur interest e veta, janë veprime të një papërgjegjësie të rëndë: që venë në rrezik operatorët e informacionit. Pal Kola që për pak lekë në muaj mbronte i mbyllur në kabinën e tij 2 metra për 3 pallatin e Top Channel, ku zhvillohet mes të tjerash një spektakël plot polemika si Big Brother Vip, për fat të keq është viktimë e kësaj urrejtje. Edhe Pal Kola është një viktimë e informacionit. 

Në prag të një fushate zgjedhore që paralajmërohet që sot e zjarrtë si pak të tjera, sulmi I armatosur kundër Top Channel, duhet të jetë apel për përgjegjshmëri edhe për ne të gjithë që bëjmë informacion sepse urrejtja dhe shpifja nuk duhet të jenë kurrë mjete të profesionit tonë. Etika, deontologjia dhe integriteti duhet të karakterizojnë përherë atë që bëjmë dhe transmetojmë, për të shmangur konfuzionin dhe për të treguar me qartësi origjinën e sulmit kur ndodh, edhe duke i hequr çdo alibi kujt shpreh solidaritet dhe ngushëllime pasi na vendos në shënjestër të sulmuesve.

K.T./a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • cuf dabjoni: 28/03/2023 12:18

    Carlo.. ! mos harro dhe nje nga fushat ku mbillet e korret Urejtje... Shpifja qe jane mediat qe lejojne botimin e tyre ne komentet por tek tuk dhe ne shkrime..

    Përgjigju
  • Gripi: 27/03/2023 13:14

    Ka dhe nje problem tjeter ai TV. Aty ka aksione krimi dhe ndoshta ky akt terrorist eshte i frymezuar nga Berisha por si autore ka pikeriht ate aksioner.

    Përgjigju
  • Kistra: 27/03/2023 12:25

    Bollino eshte botues e gazetar i pashoq ne kete vendin tone te cuditshem e me probleme pafund! Respekte i nderuar!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!