Neni 22 i Kushtetutës parashikon qartazi: "Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet." Mjaftojnë këto 24 fjalë për të rrëzuar si antikushtetuese 125 faqet e Rregullores së re dhe 552 faqet e Komentarit ("me të drejtat e autorit të rezervuara"), që kryetari i komanduar i GJKKO-së, Erion Bani, ka publikuar në faqen e internetit të gjykatës për të vendosur masa censure të papranueshme në një vend demokratik, ndaj medias, ndaj avokatëve, dhe deri diku edhe ndaj prokurorëve.
Kam 45 vjet që ushtroj profesionin e gazetarit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe nuk më ka ndodhur kurrë të dëgjoj nga kryetari i një gjykate të shpallë parimin se gazetarëve nuk u njihet asnjë kompetencë për të përmbushur detyrën e tyre institucionale për të informuar, siç lexohet në këto dokumente. Përkundrazi, gazetarëve, në çdo demokraci, u garantohet një akses i privilegjuar në burime, dokumente dhe vende që shpesh, për arsye sigurie, diskrecioni ose fshehtësie, janë të ndaluara për pjesën tjetër të publikut. Dhe kjo jo sepse gazetari duhet të gëzojë përparësi të padrejta, por sepse është vetë profesioni i tij që e detyron dhe i jep mundësinë të shkojë atje ku qytetarëve të tjerë mund t'u ndalohet hyrja: sepse gazetari shkon atje në emër të të gjithëve, për të informuar të gjithë. Edhe ata që "mbeten jashtë".
Por, në diktatin e tij me frymë sovjetike, Bani injoron rolin kushtetues të gazetarëve, madje edhe atë të avokatëve, pasi ndër kufizimet absurde që synon të vendosë, është edhe ndalimi për ta (domethënë për mbrojtësit e të pandehurve) që të hyjnë në sallën e gjyqit duke mbajtur me vete telefonin celular. Aspekti qesharak i Rregullores është se Bani, duke e konsideruar veten qartazi si mbajtësin e vetëm të konceptit të Drejtësisë, synon t'ua ndalojë edhe prokurorëve të SPAK-ut mbajtjen e telefonave celularë në sallën e gjyqit. Ndërsa me Nenin 77 i Rregullores ofrohet si favor mbajtja e një laptopi. Sipas këtij neni, "Prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë gjyqësore mund të mbajnë me vete dhe të përdorin vetëm kompjuterë portativë (laptopë) për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për aq kohë sa përdorimi i tyre nuk cenon rendin, solemnitetin ose zhvillimin e rregullt të seancës gjyqësore." Gazetarët nuk merren fare në konsideratë. Po si mundet një gazetar të ndjekë debatin e një procesi gjyqësor dhe të raportojë në kohë reale në redaksi, pa mundur të përdorë një telefon celular për të komunikuar ose një laptop për të mbajtur shënime
Por Bani e shpjegon këtë në Komentarin e tij: mediat nuk janë palë në procesin gjyqësor dhe, për këtë arsye, atyre nuk u rezervohet asnjë privilegj dhe asnjë akses preferencial. Madje, ato penalizohen. "Në rastet kur salla e gjykimit nuk ka vende të mjaftueshme për sistemimin e të gjithë të interesuarve për të ndjekur seancën, vendos për lejimin e pjesëmarrësve në sallë, sipas kësaj radhe përparësie: i) subjektet në gjykim; ii) familjarët dhe iii) përfaqësuesit e medias" (neni 65). Pra, gazetarët edhe një herë në vendin e fundit. Sipas Banit, kur nuk ka vend për të gjithë, disa gazetarë mbeten jashtë sallës për t'u lënë vend subjekteve të tjera të procesit. Po kush e informon pastaj opinionin publik?
Ashtu siç ndalohen telefonat celularë, neni 76 i Rregullores ndalon natyrisht edhe praninë në sallën e gjyqit të aparateve fotografike, kamerave televizive, regjistruesve dhe çdo pajisjeje tjetër elektronike. Bani dëshiron ta kthejë profesionin e gazetarit mbrapa në kohën e stilolapsit, megjithëse neni 22 i Kushtetutës (shumë më modern se kryetari i gjykatës) parashikon se, përveç shtypit, ekzistojnë edhe radioja dhe televizioni, pra media elektronike, liria e të cilave duhet të garantohet po njësoj. Por si mund të bëjë informim një gazetar i radios ose i televizionit nëse nuk mund të regjistrojë zëra ose të xhirojë video?
Kjo censurë paraprake, e vendosur në atë që duhet të ishte tempulli i Drejtësisë së Re, justifikohet nga Bani "për garantimin e sigurisë, rendit dhe solemnitetit të seancës gjyqësore". I fiksuar pas këtyre tre elementeve, të cilat i përsërit qindra herë në 677 faqet e analizës së tij "me të drejtat e autorit të rezervuara", Bani harron Kushtetutën, lirinë e informimit, rolin e shtypit dhe, mbi të gjitha, detyrimin që edhe vetë Bani ka për të dhënë llogari para popullit dhe ligjit për mënyrën se si administron Drejtësinë. E cila nuk është një pronë e tij personale, por një e mirë kolektive që atij i është deleguar për ta administruar në mënyrë të përkohshme dhe të kushtëzuar, jo sikur të ishte pushteti absolut i një sovrani.
Në emër të vlerave, sigurisht themelore, si siguria, rendi dhe solemniteti i seancës gjyqësore, Erion Bani fshin një parim tjetër jo më pak të rëndësishëm të një procesi gjyqësor: transparencën! Të censurosh mediat, duke i penguar ato të marrin pjesë dhe të regjistrojnë fazat e një procesi që mund të çojë në privimin e një personi nga e mira e çmuar e lirisë, është një akt i papërshkrueshëm arrogance, dhe qartësisht antidemokratik. Duke ndjekur të njëjtat parime që Erion Bani zbaton në Rregulloren e tij, çdo institucion shtetëror, duke filluar nga qeveria, mund të ndihet i lirë t'i mohojë shtypit aksesin dhe informacionin, duke i kategorizuar gazetarët në rolin e armiqve potencialisht të rrezikshëm.
Kjo nuk është më një drejtësi moderne dhe as një demokraci evropiane, por është paradhoma e një diktature të re.
-
Drejtesia eshte baza kryesore e shtetit ligjor dhe reforma u krye ! Kush i votoi ? Parlamenti qe populli i delegoje pushtetin deputeteve.A perfaqosojne denjesisht deputetet sovranin ? Drejtesia po sillet si pushtet mbi pushtetet dhe populli ka nevoje te ushtroj te drejten kyshtetuese per transparence .Ne rast se GJKO vazgdon te censuroj median dhe kyvendi luan lohen e puset te mis reagimit,populli te kerkoj referendum dhe te zgjedhe vet prokuroret dhe gjykatesit e GJKO dhe SPAK ut direkt nga nga sovrani si ne USA
Përgjigju











Komente
Komento