TIRANË- Shoqatat e Gazetarëve e kanë dënuar ashpër rregulloren e re të GJKKO-së e cila pritet të futet në fuqi më 1 shtator dhe rikthen censurën ndaj mediave duke shuar edhe ato pak hapësira lirie informimi që kishin mbetur. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e quan rregulloren e re kufizim të lirisë së mediave, duke theksuar se drejtuesi i GJKKO-së, Erion Bani po i sheh gazetarët si rrezik për procesin gjyqësor.
“Ka përcaktime kufizuese, censuruese, penguese dhe aspekte burokratike të cilat në një lloj pikëpamje nuk vlejnë për atë marrëdhënie që ka përgjithësisht media dhe gazetari me kohën”, shprehet Aleksandër Çipa.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa në një intervistë për Report Tv thekson se rregullorja e re bien ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si edhe me nenet 6 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që mbrojnë publicitetin e proceseve gjyqësore dhe të drejtën për informim.
"UGSH konstaton se Rregullorja dhe komentari në këtë rast kanë përmbajtje tekstuale udhëzuese se si të shkelet Kushtetuta e vendit, neni 22 i së cilës garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Në këto dy dokumente udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë”, thuhet në deklaratë.
Shoqata ngre shqetësim edhe për detyrimin që gazetarët duhet të marrin autorizim 24 orë para seancës për të ndjekur një gjyq. Sipas saj, kjo e kthen të drejtën e medias për të qenë e pranishme në gjykatë në një ‘leje administrative’ dhe krijon kufizime për gazetarët.
"UGSH vëren se kërkesa për autorizim paraprak, kushtëzon praninë e mediave dhe e trajton aksesin nga një e drejtë në një leje administrative. Sipas kësaj procedure, po për seancat e papritura apo zhvillime të befta, kur media nuk mund të përmbushë afatin e përcaktuar në këtë rregullore, a nuk kemi precedentin e kufizimit pengues?!", thuhet në deklaratë.
“Kur bëhet fjalë për procedurën e akreditimit të mediave dhe gazetarëve kemi të bëjmë me një paradoks burokratik kërkohet një regjistrim një herë në vit çka do të thotë që ne e dimë fort mirë që në strukturat redaksionale të mediave tona ka lëvizje gazetarësh ka paqëndrueshmëri ka në të njëjtën kohë largime apo ë udhëtime të ndryshme të cilat mund ta zëvendësojnë reporterin apo gazetarin që ndjek këtë institucion në përditshmërinë e vetë. Atëherë për këto largime dhe ndryshime a do të pritet përsëri vendimi burokratik i gjykatës i kaluar në ato që quhet aulat e saj të procedimit burokratik. Këto janë pengime dhe në një lloj pikëpamje japin efektin e censurës”, thekson Aleksandër Çipa.
Ndalim absolut quan pikat e tjera të rregullores, të cilat nuk do të lejojnë që gazetarët të futen në gjyq me telefona, i vetmi mjet pune i lejuar deri më tani për komunikimin e informacionit në redaksi, apo ndalimin e kamerave brenda në gjyq. Nëse deri më tani lejohej filmimi i minutave të para të seancës, me rregulloren e re Bani ua kufizon edhe këtë hapësirë mediave.
“Pika tjetër e rregullores ku përcaktohet kufizimi i fotografimit dhe regjistrimit, mbart riskun e ndalimeve absolute. Ky komentar, sipas pikëpamjes sonë, është burim kufizimesh shtesë. Njëkohësisht sipas nesh, koncepti i prezumimit të medias si rrezik për rendin, bie ndesh me parimin e publikimit të gjykimit”, vijon deklarata.
“Mënyra si përcaktohet kufizimi i regjistrimit, i përdorimit të medieve mjeteve logjistike të gazetarit, praktika e regjistrimit dhe akreditimit të operatorëve dhe nga ana tjetër edhe kufizimi i mosregjistrimit të çdo seance gjyqësore, këto janë elemente të kufizimit dhe që në një lloj pikëpamje cenojnë si një precedent i rrezikshëm edhe ligjin themelor të republikës që është kushtetuta”, thotë Aleksandër Çipa.
Në mënyrë arbitrare GJKKO po u mbyll dyert mediave dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thekson se në rregulloren e re nuk ekziston mekanizmi i ankimit, nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk mund ta kundërshtojë vendimin
Për Report Tv, Çipa thotë se rregullorja e re është hatuar pa asnjë konsultim me mediat dhe i bën thirrje kryetarit të GJKKO-së që ta rishqyrtojë atë para 1 shtatorit, kur futet në fuqi.
“Nuk ka diskutim që ë e redaktimit dhe të rishqyrtimit të dy teksteve për të cilët po flasim edhe për rregulloren edhe për komentarin e ka institucioni i gjykatës në rastin konkret Këshilli Drejtues që është dhe miratuesi dhe kryesuesi i institucionit që është kryetari i Gjykatës së Posshme dhe kjo duhet bërë të paktën sapo të përfundojë edhe ky që e quajmë një lloj sezoni i pushimeve sepse periudha e fillimit të shtatorit është ndryshe dhe nuk mund të zbatohet të kjo rregullore dhe aq më tepër ky komentar
Ne kërkojmë që për të arritur deri te ky veprim do të duhen të bëhen dy hapa të ketë një ri akt të ri le të themi recensimit të dy teksteve bazike. Këto janë ndoshta tekstet më të gjata në historinë e institucionalizmit shqiptar që publikohen në faqet zyrtare sepse bëhet fjalë për një rregullore që ka më shumë se gati 100 faqe dhe bëhet fjalë për një komentar që ka 532 faqe”, shprehet Çipa.
Rregullorja e re e GJKKO-së, e cila hyn në fuqi më 1 shtator, parashikon që gazetarët të kërkojnë autorizim të paktën 24 orë përpara çdo seance, kufizon numrin e gazetarëve që mund të ndjekin gjyqin në sallë, ndalon përdorimin e telefonave, tabletëve dhe laptopëve gjatë gjykimit, si edhe heq mundësinë e filmimit të minutave të para të seancave gjyqësore.
Deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e |Organizuar (GJKKO) ka publikuar vendimin nr 49, datë 17.07.2026 “ RREGULLORE E BRENDSHME “PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së" dhe komentarin PËR RREGULLOREN E BRENDSHME "PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së". Janë dy dokumenta që përcaktojnë kritere, procedura dhe kufizime të reja për praninë e mediave dhe gazetarëve në këtë institucion.
Komentari shoqërues prej 532 faqesh në një kapitull të veçantë, mishëron disa kufizime që ngjallin shqetësime serioze, kur ballafaqohen me të drejtën për raportim dhe lirinë e medias. Kjo rregullore fikson procedura burokratike penguese për gazetarët, kufizime mbi numrin e gazetarëve dhe rregulla të reja për regjistrimet mediatike dhe praninë në mjediset e institucionit gjyqësor.
UGSH konstaton se Rregullorja dhe komentari në këtë rast, kanë përmbajtje tekstuale udhëzuese se si të shkelet Kushtetuta e vendit, neni 22 i së cilës garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Në këto dy dokumenta udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë. Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj, garanton se proceset gjyqësore zhvillohen publikisht dhe neni 10 i kësaj Konvente mbron të drejtën për informimin publik mbi funksionimin e drejtësisë.
UGSH vlerëson se këto dy dokumenta ekspozojnë bindjen e hartuesve dhe drejtuesve të këtij institucioni se media përbën një rrezik për procesin gjyqësor dhe për këtë arsye kanë krijuar një kapitull dhe pika specifike penguese e kufizuese për gazetarët, operatorët dhe mjetet profesionale të tyre në sallat e gjykimeve dhe mjediset e institucionit në fjalë.
Nga leximi i plotë i teksteve në fjalë, UGSH vëren se kërkesa për autorizim paraprak, kushtëzon praninë e mediave dhe e trajton aksesin nga një e drejtë në një leje administrative. Sipas kësaj procedure, po për seancat e papritura apo zhvillime të befta, kur media nuk mund të përmbushë afatin e përcaktuar në këtë rregullore, a nuk kemi precedentin e kufizimit pengues?!
Pika ku përcaktohet kufizimi i gazetarëve, ku mungojnë kriteret përzgjedhëse, cënon parimin e së drejtës së pranisë së secilës media dhe pluralizmit informues. Mungesa e këtyre kritereve në Rregullore dhe Komentar, i jep atribut administratës ose strukturave të sigurisë së institucionit të selektojnë praninë e gazetarëve dhe mediave, legjitimohet diskrecioni i administratës për të lejuar dhe refuzuar hyrjen.
Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut në nenin 10 përcakton se kufizimet duhet të jenë të parashikueshme dhe të bazuara në kritere të qarta. Pika tjetër e rregullores ku përcaktohet kufizimi i fotografimit dhe regjistrimit, mbart riskun e ndalimeve absolute. Ky komentar, sipas pikëpamjes sonë, është burim kufizimesh shtesë. Njëkohësisht sipas nesh, koncepti i prezumimit të medias si rrezik për rendin, bie ndesh me parimin e publikimit të gjykimit.
Në këto dy dokumenta nuk ekziston mekanizmi i ankimit, nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk ekziston një procedurë për të kundërshtuar vendimin.
Pika tjetër ku përcaktohen kriteret e akreditimit, paraqet probleme serioze për redaksitë dhe vetë reporterët e profilit që ndjekin proceset në këtë institucion. Realizimi i këtij procesi akreditimi nga Gjykata një herë në vit, është absurd dhe skualifikon nga kjo e drejtë jo vetëm shumë reporterë, por mund të ndodhë të pengojë edhe media që e kanë siguruar këtë akreditim, nëse reporteri, për një arsye apo tjetër, largohet për një periudhë nga puna dhe aktiviteti. Procedura e fiksuar akredituese nuk parashikon zëvendësime dhe akreditime pasuese.
UGSH sjell në vëmendje të hartuesve të këtyre dy dokumentave dhe titullarëve të këtij institucioni, se vendime dhe procese pararendëse në institucione të larta eruopiane të drejtësisë, kanë vlefshmëri reference për të mos rënë në shkelje dhe cënime të ligjit themelor dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Unioni i Gazetarëve Shiptarë, nisur nga parimi se media është rojtare publike e demokracisë, vëren se në këto dy dokumenta bazike për marrëdhënien e institucionit të GJKKO me mediat dhe gazetarët, përcaktohen orientime konkrete se si të administrohet media, kufizohet rëndë aksesi i saj, sidomos prej akreditimit të kufizuar, etj.
UGSH apelon pranë këtij institucioni për rishqyrtimin e këtyre dy dokumentave në kapitujt për marrëdhëniet me mediat. Ne kërkojmë një ndërhyrje redaktuese të menjëhershme.
Ndërkohë i drejtohemi Zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë si donatore dhe mbështetëse kryesore e Reformës në Drejtësi, Ambasadës Amerikanë në Tiranë, Zyrës së Përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore në vendin tonë, të ushtrojnë ndikimin e tyre të menjëhershëm, për të mos lejuar që rregullore dhe komentarë të tillë, të shndërrohen në modele të censurës dhe shkeljes së lirisë themelore brenda një gjykate të posaçme sikundër është GJKKO.
Lajmi në përditësim...











Komente
Komento