Zgjedhjet e tetorit në Izrael po kthehen në pengesë për fazën e radhës të planit amerikan për Gazën.

Kryeministri Benjamin Netanyahu u ka thënë përfaqësuesve të Bordit të Paqes se avancimi i planit në prag të votimit për Knessetin është “problematik”, ndërsa Uashingtoni po shton presionin për çarmatimin e Hamasit, kalimin e Gazës nën një administratë teknokrate palestineze dhe nisjen e procesit që do t’i hapte rrugë tërheqjes izraelite.

Mesazhi i Netanyahut, i raportuar nga CNN, është dhënë gjatë takimit të së hënës në Jerusalem me Jared Kushner, kreun e Bordit të Paqes Nikolay Mladenov dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Të tre kanë mbërritur në Izrael me synimin për ta kaluar planin e presidentit amerikan Donald Trump nga tryeza e negociatave në hapa konkretë në terren.

Në qendër të bisedimeve është faza më e vështirë e planit me 20 pika të Trump: çarmatimi i Hamasit dhe e ardhmja e qeverisjes së Gazës. SHBA kërkon që Hamasi të dorëzojë armët, të çmontojë infrastrukturën e tij ushtarake dhe të heqë dorë plotësisht nga administrimi i Rripit të Gazës.

Megjithatë, afrimi i zgjedhjeve izraelite në tetor duket se po ndikon në llogaritë e Netanyahut. Çdo lëvizje për Gazën në javët para votimit prek drejtpërdrejt një prej çështjeve më të ndjeshme të politikës së brendshme izraelite.

Pavarësisht rezervave të raportuara, takimi nuk është mbyllur pa një marrëveshje.

Zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se Izraeli dhe Bordi i Paqes do të krijojnë dy grupe pune. Njëri do të merret me çarmatimin dhe demilitarizimin e Gazës, ndërsa tjetri me emergjencat që prekin drejtpërdrejt popullsinë, nga uji i pijshëm dhe kanalizimet te çështjet e tjera të shëndetit publik.

“Takimi ishte i gjatë, i thelluar dhe shumë produktiv. Ramë dakord me kryeministrin për rrugën përpara. Izraelitët do t’i japin një mundësi. Tani i takon Hamasit të tregojë nëse synon vërtet të zbatojë detyrimet”, tha një zyrtar i Bordit të Paqes për The Jerusalem Post.

Presioni diplomatik nisi që një ditë më parë në Egjipt. Kushner, Mladenov dhe Blair zhvilluan takime në El Alamein me zyrtarë të lartë egjiptianë dhe ndërmjetës të tjerë, përpara se të udhëtonin drejt Jerusalemit.

Ata u takuan edhe me Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës, strukturën teknokrate që parashikohet të marrë gradualisht në dorë administrimin e territorit.

Plani që po negociohet synon një Gazë ku Hamasi të mos ketë më as kontroll politik dhe as kapacitete ushtarake. Kalimi i qeverisjes te komiteti palestinez, çarmatimi i Hamasit dhe çmontimi i infrastrukturës së tij ushtarake do të krijonin më pas kushtet për vendosjen e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe tërheqjen e mëtejshme të forcave izraelite.

Në të njëjtën kohë, Bordi i Paqes kërkon të përshpejtojë hyrjen e ndihmave humanitare dhe rindërtimin e Gazës, por duke ngritur një sistem që të garantojë se ndihmat nuk përfundojnë nën kontrollin e Hamasit.

“Hamasi duhet të heqë dorë nga qeverisja, nga të gjitha armët dhe nga infrastruktura ushtarake. Gaza nuk mund të shërbejë më kurrë si burim terrorizmi kundër Izraelit”, deklaroi zyrtari.

Takimet e fundit tregojnë se negociatat kanë hyrë në pikën ku nuk diskutohet më vetëm armëpushimi, por se kush do ta qeverisë Gazën, kush do të garantojë sigurinë dhe në çfarë kushtesh Izraeli do të tërhiqet.

Pikërisht në këtë moment, Uashingtoni kërkon përshpejtim, ndërsa Netanyahu sinjalizon se kalendari elektoral në Izrael mund ta bëjë shumë më të vështirë marrjen e vendimeve para zgjedhjeve të tetorit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:25
Kushner i kërkoi të mos krijojë pengesa, Netanyahu refuzon planin për armëpushim në Gaza, CNN zbulon detajet e takimit 4-orësh

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka thënë "jo" të dërguarit të Donald Trump, Jared Kushner, për planin e armëpushimit me Hamasin në Gaza. Lajmi raportohet nga CNN, sipas së cilës, takimi në Jerusalem zgjati më shumë se katër orë, por përfundoi pa një marrëveshje.

Sipas një burimi izraelit të cituar nga CNN, Kushner i kërkoi Netanyahut të ecë përpara me planin e mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe të "mos krijojë pengesa" për zbatimin e tij. Megjithatë, kryeministri izraelit, i cili në fillim të këtij muaji kishte hedhur poshtë planin me 15 pika, u shpreh se përparimi në këtë fazë do të ishte "problematik" për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Izrael, të planifikuara për në fund të tetorit.

Sipas CNN, Netanyahu ka hezituar të bëjë lëshime për Gazën përpara zgjedhjeve, ndërsa synon të sigurojë mbështetjen e elektoratit të djathtë. Media amerikane raporton gjithashtu se ai rezulton prapa në sondazhet e fundit.

Gjatë takimit, Netanyahu i tha Kushnerit dhe drejtorit të Board of Peace, Nickolay Mladenov, se hapat e parë duhet t'i ndërmarrë Hamasi. Dy zyrtarët kishin zhvilluar një ditë më parë takime me përfaqësues të Hamasit në Egjipt.

Qëndrimi i Netanyahut mbetet se Hamasi duhet të çmilitarizohet plotësisht përpara se Izraeli të nisë tërheqjen e forcave nga Rripi i Gazës. Nga ana tjetër, Hamasi ka deklaruar se është i gatshëm të çarmatoset vetëm nëse ky proces zhvillohet paralelisht me një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza.

Sipas CNN, gjatë takimit Netanyahu u tha gjithashtu Kushnerit dhe drejtorit të Board of Peace, Nickolay Mladenov, se hapat e parë duhet t'i ndërmarrë Hamasi. Dy zyrtarët kishin zhvilluar një ditë më parë takime me përfaqësues të Hamasit në Egjipt.

Qëndrimi i kryeministrit izraelit mbetet se Hamasi duhet të çmilitarizohet plotësisht përpara se Izraeli të nisë tërheqjen e forcave nga Rripi i Gazës. Nga ana tjetër, Hamasi ka deklaruar se është i gatshëm të çarmatoset vetëm nëse ky proces zhvillohet paralelisht me një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza.