Gjatë ditës së sotme kreu i policisë shqiptare Haki Çako ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Greqi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, Greqi, ku u prit nga homologu i tij Grek Konstantinos Tsouvalas.

Qëllimi i kësaj vizite ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në çështjet e rendit dhe sigurisë, si dhe nxitja e bashkëpunimit kundër krimit ndërkufitar, ku u ra dakord për organizimin e operacioneve të përbashkëta.

Gjatë takimit u konfirmua bashkëpunimi i mirë ndërmjet autoriteteve policore të të dy vendeve dhe u evidentua përparimi konstruktiv që është arritur gjatë viteve të fundit, përmes takimeve të rregullta për luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.

Rëndësi e veçantë iu kushtua trajtimit dhe luftës kundër trafikimit të lëndëve narkotike.

Drejtori Çako diskutoj homologun Grek në lidhje me planin e veprimit të Qeverisë Shqiptare “Forca e Ligjit”, i cili fokusohet në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe goditjen e grupeve kriminale, që trafikojnë lëndë narkotike.

Mbi këtë çështje u ra dakord që mes dy palëve të ketë një bashkëpunim edhe më të theksuar në vijimësi.

Drejtorët e Përgjithshëm ranë dakord gjithashtu për të ndjekur me prioritet format e ndryshme të krimit ndërkufitar (trafikim i lëndëve narkotike, vjedhje dhe grabitje pranë zonave kufitare, si dhe krimet kundër mjedisit.

Për këtë qëllim, Policitë e të dy vendeve do të organizojnë operacione të koordinuara:

duke kryer patrullime të përbashkëta në zonat e vijës kufitare të dy vendeve.

duke përcaktuar pika të kontaktit për shkëmbim të menjëhershëm të informacionit mbi krimin e organizuar dhe ndërkufitar;

duke realizuar takime në nivel ekspertësh (teknikë) të të dy Policive të Shtetit për trajtimin e akteve kriminale në zonat afër pikave kufitare tokësore.

Gjatë kësaj vizite, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Çako u prit në një takim edhe nga Ministri i Rendit Publik dhe Mbrojtjes së Qytetarit Nikolaos Toskas, i cili konfirmoi edhe nga ana e tij bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston midis dy Policive si dhe ofroi mbështetjen e tij për thellimin e këtij bashkëpunimi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Çako, i shoqëruar nga homologu i tij Grek Tsouvalas, zhvilloi një vizitë në Drejtorinë Policisë Shkencore në Athinë.

Gjatë kësaj vizite u diskutua për forcimin e bashkëpunimit midis kësaj Drejtorie dhe Institutit të Policisë Shkencore në Tiranë.

U konfirmua mbështetja e palës Greke në procesin e akreditimit të Institutit të Policisë Shkencore Shqiptare sipas standardeve ndërkombëtare ISO 17025 si dhe për shkëmbimin reciprok të eksperiencave.

Gjatë takimit vërehet se në fotot e bëra gjatë takimit, vihet re se vetëm flamuri grek është vendosur, ndërsa ai shqiptar mungonte.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com