Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës morën pjesë autoritete të strukturave të qeverisjes vendore, drejtues të institucioneve dhe të organizatave të shoqërisë civile, krijues, gazetarë të mediave lokale private dhe publike, kolegë nga rrethet fqinjë, gazetarë në pension dhe veteranë të gazetarisë.
Në ceremoninë e çeljes gazetari Engjëll Serjani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Jugut tha se: “Ekspozita fotografike “Gazetaria gjirokastrite në vite” është veprimtaria që komuniteti i gazetarëve të këtushëm ka zgjedhur si ditë kujtese dhe nderimi për të gjithë brezat e gazetarëve gjirokastritë të cilët kanë lënë shenjat e tyre në historinë kombëtare të 100-vjetëve në pamvarësi”.
Nga koha kur pushka e pena qëndronin në vijën e parë të përpjekjeve për pavarësi e progres kombëtar, -nënvizoi Serjani, Gjirokastra krehohet me Bajo dhe Çerçiz Topullin, në vitet 1920–40 periudhë e mëkëmbjes së shteti shqiptar krenohet me Gazetën “Demokratia” dhe dekanët e gazetarisë shqiptare, si Branko Merxhani, Jorgji Meksi, Xhevat Kallajxhi, Veli Hashorva, Vangjel Koça, Veli Toton, etj, në vitet e luftës dhe periudhën e komunizmit me gazetarët disident dhe jo disident, si Musine Kokalari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Spiro Dede, Sotir Papuli, Spiro Kufoi dhe aktualisht me një plejadë të re gazetarësh të dalë në vitet e demokracisë që janë të pranishëm në të gjitha mediat shqiptare.
Në përshëndetjen e saj Prefektja e qarkut të Gjirokastrës Mimoza Çomo tha se roli dhe kontributi i gazetarëve gjirokastritë ka qenë i pranishëm në historinë e vendit, në kujtesën e popullit dhe vazhdon të jetë e pranishme në të gjitha ngjarjet e mëdha, duke e vendosur me vetëdije veten në pozicionin e rëndësishëm të përmbushjes së standarteve më të përparuara të kohës që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane.
“Sidomos mediat lokale vazhdojnë të pasqyrojnë dhe monitorojnë nga afër dhe në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet e këtushme në mirëqeverisjen vendore dhe thellimin e reformes decentralizuase”, nënvizoi Prefektja Çomo.
Ekspozita fotografike, që paraqet 350 fotografi me me pamje nga puna dhe veprimtaria e gjallë e gazetarëve gjirokastritë në të katër periudhat e historisë 100-vjeçare të shtetit dhe mediave shqiptare, u ndoq me mjaftë interes nga të pranishmit në ceremoninë e çeljes dhe në vijim nga banorë të qytetit.
Sipas gazetarit Ilir Lluri, pjesa më e madhe e fotografive janë shkrepje të aparatit fotografik të gazetarëve gjatë punës në ngjarje dhe evenimente, por grupi organizator ka përfshirë në këtë ekspoze edhe mjaft shkrepje të çastit, në momentet kur gazetari përpara se të fotografojë objektin që i intereson për tëasqyruar në media, bën një shkrepje për provë dhe këto foto ngjallin mjaft emocion për vetë gazetarët dhe për publikun që i shikon këto foto spontane.
Sipas drejtores së RTVGJ Marjeta Spiri, ekspozita jo vetëm që do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë këtyre ditëve në vijim të kremtimeve të 100-vjetorit, por ajo do të bëhet pjesë e përhershme e hollit të këtij institucioni duke u pasuruar me foto të reja nga shtypi i traditës gjirokastrite me idenë dhe dëshirën e komunitetit të gazetarëve për ta pasuruar më tej edhe me objekte për ta transformuar në të ardhmen në një muze modest të gazetarisë gjirokastrite.
Gjatë veprimtarisë së organizuar me nga Komuniteti i Gazetarëve Gjirokastritë në kuadrin e 100-vjetorin të Pavarësisë së vendit është organizuar rituali i prerjes së tortës me imazhe të flamurit kombëtar realizuar nga Pastiçeri “Vasho” dhe janë prezantuar edhe shumë mbresa dhe kujtime nga jeta intensive, e vështirë por e bukur e gazetarëve.
(Foto, ceremonia e prerjes së tortës së gazetarëve)
(Gre.M/Shqiptarja.com)