Vepra me burime dokumentare, citime e fragmente botimesh të periodikëve, librave dhe agjensive të lajmeve ruse, “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)” e autorëve dr. Islam Lauka e porf. dr. Ershref Ymeri (Prishtinë-Tiranë: Universiteti Iliria & Instituti Shqiptar i Studimeve Politike, 2012), sjell për studiuesin, historianin, politikanin, diplomatin dhe lexuesin e përgjithshëm shqiptar informacione dhe të dhëna me vlera shumë të veçanta të cilat ndihmojnë një njohjen më për së afërmi të veprimeve, qëndrimeve dhe vendimeve politike e diplomatike të Rusisë në momentet më vendimtare të popullit shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti të shqiptarëve të Kosovës para dhe pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të tyre më të ri në Europë.
Si njohës të thellë të zhvillimeve dhe prapaskenave politike, profesionit të fushës së diplomacisë, pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve, autorët me mjeshtri kanë përzgjedhur momentet më kulmore, vendimet më të rëndësishme, botimet dhe lajmet më interesante të kësaj periudhe, të cilat janë botuar ose shkruar në rusishte dhe që ishin fare pak të njohura ose njiheshin vetëm nga një rreth i caktuar politikanësh e diplomatësh, e shumë rrallë nga ndonjë studiues.
Përkthimi në gjuhën shqipe nga rusishtja i një “korpusi” të tillë burimesh na mundëson të gjykojmë, analizojmë dhe reflektojmë mbi qëndrimet politike, vendimet dhe veprimet diplomatike të politikës ruse duke i vënë ato përballë veprimeve dhe vendimeve të shteteve të tjera si të rajonit, Evropës e botës, e veçanërisht SHBA-ve, në momentet vendimtare para dhe pas shpalljes së pavarsisë së Kosovës.
Botimi kësaj vepre “plotëson një boshllëk që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në historiografinë shqiptare lidhur me qëndrimin rus ndaj çështjes sonë”, dhe kjo vepër: “jep një pamje të plotë, të sistemuar dhe të strukturuar të qëndrimit rus ndaj çështjes shqiptare”.
Vepra është e ndarë në dy tërësi (pjesë) të lidhura sipas kriterit logjik, e të ndjekura po sipas kriterit kronologjik të krijimit të dokumentit apo materialit. Kësaj vepre i paraprin një studim i thukët, mjaft përmbajtësor i prof. dr. Gazmend Pulës. Në pjesën e parë janë paraqitur dhe sistemuar dyzet e shtatë dokumente e materiale të ndryshme.
Dokumenti i parë i përket vitit 1878 dhe ka të bëjë me qëndrimin e politikës dhe diplomacisë ruse ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndërsa dokumenti i fundit kësaj pjese është ai 11 shtatorit të vitit 2012 dhe reflekton deklaratën zyrtare të Presidentit rus, Vladimir Putin, pas takimit të tij të dytë brenda vitit 2012 me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq. Në pjesën e dytë të librit “Antologjia e kryqëzimit.
Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)” me mjaft mjeshtri dhe profesionalizëm të lartë, janë përzgjedhur e paraqitur vlerësimet dhe qëndrimet themelore të Komisionit të Dumës Shtetërore të Federatës Ruse për hetimin e “krimeve” të NATO-s kundër Jugoslavisë, të cilat janë botuar në rusisht në veprën: “Golgota Jugoslave–Ygoslavskaya Golgofa” Moskë, 2002, me bashkautorë ish-Kryetarin e Këshillit të Minisitave të BRSS, Nikollaj Rizhkov, njëkohësisht kryetar i Komisionit “anti-NATO” dhe Vjaçeslav Tetjokin, sekretar përgjegjës i këtij komisioni.
“Vepra ‘Golgota Jugoslave’ paraqet platformën më të përpunuar dhe më të sofistikuar të politikës antishqiptare aktuale të Moskës, si të thuash, kuintesencën e saj. Rizhkov dhe Tetjokin e ‘arsyetojnë’ konstanten antishqiptare ruse me parimet e të drejtës ndërkombëtare.
Në të vërtet nisur nga interesat e ngushta ruse, në rastin e Kosovës ata injorojnë plotësisht legjitimitetin politik, historik, moral dhe humanitar të ndërhyrjes së armatosur të komunitetit ndërkombëtar në vitin 1999, siç dihet në emër të shmangies së një katastrofe të tillë humanitare që do të ishte e aftë të destabilizojë jo vetëm rajonin e Ballkanit, por edhe krejt Evropën”.
Autorët, Lauka e Ymeri me korrektësi, profesionalizëm dhe kritere të larta shkencore që zbatohen me rastin e botimeve të tilla serioze, kanë paraqitur për secilin dokument ose material, të dhëna të sakta, duke shënuar burimin, datën dhe në raste të caktuara kur e kanë gjykuar si të domosdoshëm kanë bërë komente të shkurtëra, por përmbajtësore, duke shtuar kështu edhe më shumë vlerën e këtij botimi.
Këto shënime dhe komente ata i kanë vendosur në faqen e fundit të secilit dokument ose material të botuar. Ndërsa kur është fjala për personalitete të politikës dhe diplomacisë ruse, autorët kanë dhënë shënime shumë të çmuara plotësuese e sqaruese me të dhëna kryesore biografike, pozitat dhe funksionet përkatëse të tyre në hierarkinë e pushtetit rus.
Ky libër të hap sytë për ta parë botën që na rrethon ndryshe nga çfarë e shohim çdo ditë. Konceptualisht i përgatitur sipas metodës kronologjike, duke filluar në fund të shekullit XIX, përkatësisht nga viti 1878, vit shumë i rëndësishëm ky në historinë politike të popullit shqiptar, trajton qëndrimet, përcaktimet deklarimet dhe vendimet e njërës prej superfuqive më me ndikim të botës, Rusisë,si fuqi ndërkombëtare duke u kthyer në retrospektivë për një historik të shkurtër të rikujtesës sonë historike për të shikuar e analizuar me kujdes qëndrimet miqësore korrekte e tendencioze gati armiqësore të kohës, të cilat autorët Lauka e Ymeri me një mjeshtri të jashtëzakonshme i përmbledhin në një tërësi konceptuale që është një nga momentet më të bukura të veprës “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”.
Shtjellimi i shtresëzuar i një rrëfimi shkencor sipas modaliteteve bashkëkohore kritike të monografive të specializuara të historisë, politikës dhe diplomacisë bashkëkohore, e bën studiuesin e lexuesin që me padurim të lexojë faqe pas faqe një rrëfim në dukje të parë narrativ, të thjeshtë, por që në brendësi të tij ka brumë, të dhëna dhe informacione politike, diplomatike dhe vendimmarrëse të një hierarkie shtetërore në rrafshin vertikal vendimmarrës, po që përmban edhe të dhëna të shumta shkencore, statistikore dhe të tjera që janë të domosdoshme jo vetëm për të gjithë ata që merren me këto fusha por edhe për lexuesin e kultivuar, e sidomos për studentët universitarë dhe ata të studimeve pasuniversitare si të historisë, shkencave politike, juridike, ekonomike, të marrëdhënieve ndërkombëtare etj.
I shkruar me një sqimë të hollë, me një kujdes të posaçëm, me një përkushtim të madh, kjo vepër, është pa frikë ndër botimet më të arritura të kësaj fushe, botuar nga autorë shqiptarë bashkëkohorë, të kanë arritur nivelin edhe të autorëve europianë e botërorë.
Një pohim të tillë e mbështesim në radhë të parë duke u bazuar në trajtimin e guximshëm dhe mjaft të arsyeshëm të lëndës burimore, të dokumenteve dhe informacioneve të botuara për ato ngjarje e zhvillime që janë ende të freskëta dhe të pashlyera në kujtesën tonë, si dëshmitarë të përjetimit të tyre.
Qëmtimi me kujdes, ballafaqimi kritik me burime relevante, vlerësimi racional dhe paraqitja logjike me një gjuhë të rrjedhshme e të pastër, të bëjnë që të të vijë keq kur përfundon së lexuari librin, gjë që nuk ndodh shpesh me libra të kësaj natyre.
Kjo vepër është një thesar i çmuar, një udhërrëfyes i sigurt, një sinjalizim shumë domethënës për politikanët kosovarë që marrin pjesë në bisedimet më të fundit që po ndodhin në dialogut Kosovë-Serbi, për të treguar tërë vëmendjen e tyre dhe kujdesin e duhur ndaj qëndrimeve të njërës prej superfuqive botërore siç është Rusia.
Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)