Durrës
Festohet në qytetin e Durrësit 29 nëntori dita e çlirimit. Përfaqësues të pushtetit vendor dhe deputetë të këtij qarku kanë nderuar të rënët në luftën antifashiste nacionalçlirimtare. Kurora me lule janë vendosur në varrezat e dëshmorëve të qytetit bregdetar.
Gjirokastër
Dhjetëra banorë të Gjirokastrës, drejtues të pushtetit vendor, deputetë të qarkut dhe veteranë kanë marrë pjesë në ceremoninë e homazheve të organizuara në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës, për nder të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut. Gjirokastra, numëron, mbi 230 dëshmorë prej të cilëve 10 heronj të popullit në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Vlorë
Çlirimi i vendit përkujtohet edhe në Vlorë ku janë nderuar të rënët në luftë nga kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika, kryetar i Qarkut Sadri Danaj, qytetarë dhe veteranë. Ceremonia e përkujtimit u krye në varrezat e dëshmorëve.
Sarandë
Në qytetin e Sarandës festat kombëtare janë shoqëruar me një numër të lartë vizitorësh. Ndërsa qytetarë, veteranë dhe pushteti vendor janë organizuar në ceremoninë nderuese në bvarrezat e dëshmorëve. Nënkryetari i veteranëve Telo Rushiti ka përshëndetur aktin historik.
Berat
Drejtues të pushtetit vendor, deputetë dhe veteranë të luftës, kanë përkujtuar ditën e çlirimit të vendit edhe në Berat. Edhe këtë vit, në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit nuk ka ardhur asnjë përfaqësues i PD-së, homazhet në nderim të të rënëve në luftë janë kryer vetëm nga përfaqësuesit e PS-së dhe LSI-së. Në Berat kanë rënë 350 dëshmorë në LANÇ.
Elbasan
Elbasani ka nderuar sot në 70 vjetorin e clirimit 286 dëshmorët që dhanë jetën për atdheun. Në një ceremoni me pjesëmarrje masive të familjarëve, veteranëve dhe të qytetarëve është nderuar kontributi për lirinë e vendit. Drejtues të pushtetit vendor kanë vendosur kurora me lule në lapidarin e varrezave të dëshmorëve duke përcjellë edhe urimin e rastit në këtë përvjetor të rëndësishëm të clirimit të vendit.
Kukës
Atmosfera e 70 vjetorit të çlirimit është përkujtuar edhe në Kukës. Veteranë, familjarë të tyre, të afërm, dhe drejtues vendorë kanë kryer homazhe në varrezat e dëshmorëve të qytetit. Prefekti i Qarkut të Kukësit, Safet Gjici dhe Gjeneral Kudusi Lame ish komandant i divizionit të Kukësit, gjatë krizës kosovare, uruan nga afër qytetarët e Kukësit për këtë ditë të veçantë në historinë e vendit.
Fier
Fieri ka përkujtuar 70 vjetorin e çlirimit të atdheut me homazhe në varrezat e dëshmorëve të këtij qyteti. Deputetë të qarkut, qytetarë, pushteti vendor dhe veteranë kanë nderuar të rënët në luftë duke vendosur tufa me lule në lapidarin kushtuar të dëshmorëve.
Shkodër
29 Nëntori, 70-vjetori i Çlirimit të vendit edhe këtë vit është festuar vetëm nga të majtët në Shkodër dhe veteranët e luftës antifashiste – nacional çlirimtare. Pas një aktiviteti festiv përfaqësuesit e së majtës kanë nderuar veprën e bijve të kombit, duke vendosur kurora me lule tek varrezat e dëshmorëve. Ndërsa më pas kanë dhënë edhe mesazhet me rastin e kësaj dite.
Korçë
Korça ka përkujtuar dëshmorët e luftës antifashiste nacional-çlirimtare të këtij qyteti. Veteranët, qytetarët të afërmit dhe përfaqësues të pushtetit vendor kanë nderuar të rënët në varrezat e dëshmorëve.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)