Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe, deklaroi të premten se 3 kompani zotërojnë mbi 70% të tregut të tregtimit të naftës dhe thuajse të gjithe tregun e benzinës.

“Tregu nuk është as i lirë dhe as konkurrues, Përqëndrim i lartë, norma fitimi të larta, cilësi e dobët dhe çmime eksesive. Qeveria të rrisë fiskalizimin, të ndryshojë ligjin dhe udhëzimin për karburantet dhe të kontrollojë sasinë dhe cilësinë në pompë”, shkruan Braçe në një postim në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, ka të dhëna të besueshme që tregu është shumë i përqëndruar, 5 kompani, ndër të cilat dy çifte kompanish, kanë të njëjtët aksionerë, pra praktikisht 3 kompani, zotërojnë mbi 70% të tregut të tregtimit të naftës; 3 kompani zotërojnë thuajse të gjithë tregun e benzinës. Por, Braçe thotë se “ka gjithashtu të dhëna të besueshme se të gjitha këto dhe po tre kompani, zëvëndësojne njëra tjetrën në operacione tregtare, blejnë e shesin nga njëra tjetra, përcaktojnë çmime duke ndryshuar nga njëra tjetra në shumë pak diferencë”.

Lidhur me kompanitë, Braçe konkludon se ato përcaktojnë çmime të padrejta duke përfshirë edhe çmimet eksesive, të cilat janë dukshëm pa lidhje racionale me vlerën ekonomike të produktit. Sipas kreut të Komisionit të Ekonomisë, ka një arsye që çmimet në pompë nuk kanë reflektuar plotësisht uljen e çmimit të naftës. “Tregu nuk funksionon as i lirë dhe as konkurrues”, thotë ai.

Lidhur me taksat e larta, Braçe shprehet se “taksat janë të larta dhe kjo ka qënë zgjedhja jonë për të dekurajuar konsumin e naftës”. Braçe thekson se  ka kërkuar nga Ministria e Financave të ndryshojë një udhëzim që u krijon mundësinë kompanive të kenë shoqëri të tregtimit me pakicë.

“Dua ta them se udhëzimi në fuqi është i firmosur nga ish- ministri i Financave në vitin 2008, është goditur nga Autoriteti i Konkurencës në vitin 2009, por askush nuk e ka ndryshuar!! Një ligj që i ka krijuar mundësinë kompanive të tregtimit me shumicë të karburanteve të kenë edhe kompanitë e tyre të tregtimit me pakicë. Një udhëzim për qëllime të administrimit fiskal, i cili i përcakton kompanitë e pakicës si agjent të kompanive me shumicë, i jep të drejtën kompanive të shumicës që të përcaktojnë çmimin e shitjes me pakicë të naftës e benzinës në pompë, madje i detyron kompanitë e pakicës të mos ndryshojnë këtë çmim, përndryshe gjobiten rëndë”, shkruan Braçe.

Braçe nënvizon se konkurrenca është e pamundur për shkak të përqëndrimit të lartë të tregut, se nuk ekziston fare në pjesën e poshtme të tij, atje te pompat e naftës dhe benzinës dhe se normat e fitimit janë shumë të larta dhe për këtë arsye të gjitha institucionet duhet të veprojnë, të rikthehet konkurrenca në treg, të fiskalizohet tregu, të amendohet ligji dhe udhëzimi si dhe të kontrollohet sasia dhe cilësia në çdo pompë.


Redaksia Online 
(g.f/Shqiptarja.com)