Ambasada e Federates Ruse ne Tirane
TIRANE, 21 Gusht /ATSH/. - Ambasada e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë është e habitur nga publikimi kohët e fundit i materialeve të shumta në mediat shqiptare për gjoja ekzistencën e një rreziku të ndërprerjes së furnizimit të Shqipërisë me grurin rus.
Nepermjet nje njoftimi per shtyp, ambasada ben te ditur se "eshtë e njohur që sipas vendimit të Qeverisë ruse Nr. 842 të dt. 13 gusht 2015, Shqipëria, bashkë me katër vende të tjera, është përfshirë në listën e miratuar të shteteve, ndaj të cilave është vendosur ndalimi i eksporteve të prodhimeve bujqësore në Rusi. Ky hap i ndërmarrë në bazë të parimit të reciprocitetit ka qenë një kundërmasë e Rusisë ndaj vendeve që e kanë mbështetur vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2015/971 të dt. 22 qershor 2015 për zgjatjen e sanksioneve të paligjshme ekonomike kundër Rusisë, lidhur me të ashtuquajturat "veprime destabilizuese të Rusisë në Ukrainë" dhe vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian 2015/959 të dt. 19 qershor 2015 për zgjatjen e sanksioneve të paligjshme ekonomike kundër Krimesë dhe Sevastopolit".
Ambasada thekson edhe një herë se vendimi i lartpërmendur i Qeverisë ruse parashikon vetëm ndalimin e importeve në Rusi të prodhimeve dhe lëndëve të para bujqësore, si dhe të ushqimeve nga vendet që u janë bashkuar sanksioneve antiruse. Regjimi i eksportit të mallrave ruse, përfshirë këtu edhe grurin, nuk preket nga ky vendim. Pra, çdo shqetësim për një ndërprerje të mundshme të furnizimit të Shqipërisë me grurin rus është absolutisht i pabazë.
"Në rast se do të merret vendimi për bllokimin e importeve të grurit rus në Shqipëri, mund të themi me siguri të plotë që kjo nuk do të bëhet nga Rusia", theksohet ne njoftimin e ambasades se Federates Ruse. /a.ke/












